Teksa protesta mbush nesër plot 4 javë, kryeministri Edi Rama është shumë aktiv në Instagram. Çdo ditë publikon investime dhe punë publike në zona të ndryshme të vendit; muzeun e lundrimit në Shkodër, stadiumin në Gramsh, projekte për turizmin në Lezhë apo aktivitete në Elbasan.

Përmes këtyre postimeve përpiqet të krijojë idenë se gjithçka vazhdon normalisht, se protesta nuk ka ndikim dhe se qeveria e tij vazhdon të punojë.

Por investimet dhe punët publike janë detyrim i çdo qeverie, jo favor ndaj qytetarëve dhe as arsye për propagandë.

Pas 13 vitesh në pushtet, shqiptarët presin shumë më tepër sesa reklamim të punëve që duhej të ishin bërë prej kohësh.

Asnjë video e montuar bukur, asnjë fotografi dhe asnjë algoritëm nuk mund ta zbehë zhgënjimin e madh të krijuar gjatë qeverisjes së tij.

Pakënaqësia nuk lindi brenda një muaji dhe revolta e ndezur nuk mund të shuhet me postime në Instagram. Ajo është rezultat i premtimeve të pambajtura, korrupsionit, arrogancës, shkeljeve të ligjit dhe mënyrës së qeverisjes që mijëra qytetarë e kanë jetuar prej vitesh.

Prandaj qëndresa vazhdon. Sepse propaganda nuk mund të fshijë realitetin 13 vjeçar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb