Banorët e “Kodrës së Priftit”, në Tiranë, janë ngritur këtë pasdite në protestë kundër shembjes së banesave, që iu preken nga projekti i Unazës.

Ata i kanë bërë thirrje kryeministrit Edi Rama, që të shkojë e të shohë nga afër projektin dhe ta çojë atë aty ku ka qenë. Një prej banorëve tha për kamerën e “News24” se qeveria i ka lejuar vetë që të ndërtojnë pa leje 22 vite më parë.

“Ne kërkojmë nga qeveria që të shkojë projekti aty ku ka qenë, me qëllim që të ketë sa më pak probleme sociale, edhe ata që i zë të dëmshpërblehen me vlerën e plotë. Ne kemi paraqitur dokumentet e legalizimit para 22 vitesh dhe tani pas 22 vitesh na vjen përgjigjja që nuk na legalizohen shtëpitë, sepse na zë projekti i Unazës. Kemi hequr me qindra metra kub dhe, që e kemi niveluar.

Ai ka ndërtuar shtëpinë me gjak e djersë dhe këta i prishin, madje na vënë dhe gjobë, se nuk heqim mbetjet. Faji jonë është se ndërtuam pa leje, bëmë një gabim, por qeveria ka faj, sepse na lejoi, edhe policët kur vinin, merrnin 50-100 mijë lekë dhe na linin. Kjo ndodhte kur ishte vetë Rama kryetar bashkie. Ne presim përgjigje nga qeveria, nga, ARRSH. Ju bëjmë thirrje, që ata të vijnë ta shohin këtu, jo ta shohin me dron, siç po bëjnë. Ne do të mundohemi me çdo kusht, që zëri jonë të dëgjohet. Kemi bërë padi në prokurori për këtë punë. Do bëjmë protestë te prokuroria, te bashkia do shkojmë prapë. Nëse ata nuk e bëjnë, unë i bëj thirrje kryeministrit dhe të zgjedh një skuadër pushkatimi, një ditë para se të na prishi shtëpitë, të na nxjerr neve e të na pushkatojë, e më pas të prishë shtëpitë. Që unë të mos e shoh me sytë e mi shtëpinë kur shembet”, tha një prej banorëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb