TIRANË- Raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian Knut Fleckenstein ka takuar sot familjarët e Aleks Nikës, një prej viktimave të “21 janarit”, ashtu siç edhe e kishte parashikuar në axhendën e tij 3-ditore në Shqipëri. Mësohet se takimi me familjarët e Aleks Nikës ka zgjatur për rreth një orë. Ndërkohë në një lidhje telefonike për Neës24, xhaxhai i Aleks Nikës, Mark Nika tha se i kanë kërkuar raporterit Fleckenstein të bëhet drejtësi dhe të mos zvarritet procesi, ndërsa kanë marrë premtimin e tij se çështja do të përfshihet në raportin përfundimtar.

“Raporteri Fleckenstein na premtoi që do të ngrejë zërin në Parlamentin Europian dhe Këshillin e Europës. Gjithashtu na pohoi se do të ndikojë tek qeveria që kjo çështje të ketë drejtësi”, ka treguar Mark Nika.

Xhaxhai i Aleks Nikës deklaroi se çështja po zvarritet ndaj dhe ata janë detyruar ti kërkojnë ndihmë Brukselit. “Kjo dosje ka 4 vjet që zvarritet nga drejtësia shqiptare. Por ne deri tash kemi hasur vetëm heshtje, nuk e di se çfarë arsyeje mund të ketë ekzekutivi dhe kryeministri. Kjo është e papëlqyeshme për ne”, tha Mark Nika.

Takimi mes eurodeputetit Fleckenstein dhe familjarëve të Aleks Nikës, u kërkua nga gruaja e të ndjerit, e cila i dërgoi një letër në institucionet evropiane me të cilën kërkoi hetim të plotë për ngjarjen ku mbeti i vrarë bashkëshorti i saj si dhe vënien para përgjegjësisë së fajtorëve. Familjarët e Nikës kanë kërkuar vazhdimisht hetim të plotë për ngjarjen e ndodhur më 21 janar 2011 ku u vra në demonstratën para kryeministrisë Aleks Nika dhe 3 protestues të tjerë.

Zoti Nika, ju keni patur sot një takim me raporterin Fleckenstein, cili është qëllimi i këtij takimi dhe cili ka qenë reagimi i eurodeputetit?
Ne kemi kërkuar takim edhe eurodeputeti na priti dhe biseduam hollësisht për ngjarjen e 21 janarit, masakrën që është kryer përpara kryeministrisë. E informuam për ecurinë e hetimeve, për zvarritjet, për shkeljet procedurale dhe ligjore që ka bërë prokuroria dhe drejtësia shqiptare. Eurodeputeti ishte në dijeni të ngjarjes dhe zvarritjes. Kjo për ne dhe të gjithë të afërmit tanë është vdekjeprurëse. Të mbahet 4 vjet një çështje, pakuptim, kur ajo është e provuar e dokumentuar me prova ligjore dhe filmike që janë realizuar ditën e masakrës. Ai mori përsipër për ta ngritur në PE dhe sipas fakteve që do të formulojë, raportit, do ta ngrejë si shqetësim dhe do ti bëjë thirrje drejtësisë shqiptare dhe qeverisë të merret seriozisht me këtë çështje, ta hetojë deri në fund dhe fajtorët para përgjegjësisë penale.
Zoti Fleckenstein në fund të këtij muaji do të përgatisë një raport rreth zhvillimeve më të fundit në Shqipëri, a ju premtoi se shqetësimi juaj do të ishte pjesë e këtij raporti?
Po, shqetësimi ynë do të pasqyrohet në raportin e komisionerit dhe do të dërgojë dhe një kopje me shqetësimin tonë dhe me detyrat qeverisë shqiptare dhe drejtësisë.
Ata si edhe ne, nuk e falin këtë masakër, ai do të jetë një zhvillim negativ për pranimin e Shqipërisë. Si është e mundur thoshte të vriten njerëz në bulevard nga qeveria. Ky ishte edhe opinioni ynë, ai i mbajti shënim të gjitha ankesat që kishim dhe do e ngrejë çështjen në PE, KiE, do të formulojë edhe të dhënat përkatëse.
Zoti Nika, zbardhja e mëtejshme ose vënia drejtësi për ngjarjet e 21 janarit, ka qenë edhe një premtim i vetë kryeministrit Rama në zgjedhjet e 23 qershorit, pse ju u takuat me zotin Fleckenstein? E keni humbur besimin tek drejtësia shqiptare ose shteti shqiptar?
Me sa shohim ne qeveria shqiptare i ruhet kësaj parimit të ndarjes së pushteteve, që për ne është e padrejtë. Ekzekutivi e ka detyrim të merret me këtë çështje nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme, për të denoncuar dhe për ti dërguar Prokurorisë edhe fakte të reja që mund të lidhen me këtë hetim. Por ne deri tash kemi hasur vetëm heshtje, nuk e di se çfarë arsyeje mund të ketë ekzekutivi dhe kryeministri. Kjo është e papëlqyeshme për ne kjo punë. Nuk na vjen mirë. Detyrimi i qeverisë aktuale është i madh sepse dihet botërisht nga çdo shqiptar, se ne na vrau qeveria Berisha. Ne dhe demonstruesit e tjerë. Si mundet të hyjë në parlament dhe ti krijohet hapësirë e madhe Berishës, si urdhërues i vrasjeve, masakrës së 21 janarit? Bile i lutet maxhoranca të vijë në parlament, ti jepet hapësirë e nevojshme atyre për të folur në parlamentin shqiptar, Berishës me shokë. Ata shpifin, akuzojnë padrejtësisht.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb