Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi prezantoi sot në Kuvendin e Shqipërisë raportin vjetor të punës për vitin 2021.

Duke u ndalur në momentet më të rëndësishme të punës së AMA-s për vitin 2021, Krasniqi theksoi se “gjatë vitit 2021 shqyrtimi i çdo ankese mbi përmbajtjet e transmetuara ka qenë në vëmendje të pandërprerë të Këshillit të Ankesave në AMA. Gjatë periudhës raportuese janë shqyrtuar për përputhshmëri ligjore mbi 300 ankesa. Pjesa më e madhe e tyre janë dërguar pranë Autoritetit nga individë, nga shoqata e organizata të shoqërisë civile”.

Kryetarja e AMA-s bëri të ditur se 35% e ankesave të trajtuara kanë qenë me objekt shkeljen e të drejtave të fëmijëve, privatësisë së tyre dhe 31% me objekt shkeljen e të drejtave të njeriut, etikës dhe moralit publik.

Duke vijuar me monitorimin dhe shqyrtimin e përmbajtjeve të transmetuara, Krasniqi u shpreh se vetëm në periudhën shtator-nëntor, AMA ndërmori 30 masa, 14 prej të cilave ishin për mosrespektimin të kërkesave ligjore dhe Kodit të Transmetimit.1

“Për 6 subjekte të licencuara janë dhënë masa për përdorim fjalori të papërshtatshëm për të miturit, si dhe cënim të të drejtave të tyre në bazë të nenit 32 dhe 33, i ligjit “Për mediet audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar si dhe pika 5.34 e Kodit të Transmetimit, sipas të cilit “ OSHMA-të duhet të zgjedhin orarin e transmetimit të programeve që mund të dëmtojnë zhvillimin mendor, fizik apo moral të fëmijëve, ose të marrin ndonjë masë tjetër teknike, që fëmijët të mos i shikojnë ose dëgjojnë të tilla transmetime (Ora kufi 22:00-06:00)”, tha Krasniqi.

AMA, vijoi Krasniqi, ka marrë po ashtu masa për televizionet, të cilat kanë transmetuar reklamë të ndaluar në kundërshtim me rregulloren “Për komunikimet audiovizive me natyrë tregtare, format, kushtet dhe koha ditore e lejuar për transmetimin e reklamave”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: