Televizioni i njohur italian RAI3 ka publikuar një tjetër kronikë që ka në fokus Shqipërinë dhe luftën ndaj drogës. Këtë herë, RAI3 ka marrë në intervistë Dritan Zaganin, ish-oficer i antidrogës, në azil në Zvicër i cili flet për trafikun e lëndëve narkotike që bëhej në vend në kohën kur ministër i Brenshëm ishte Saimir Tahiri.

“Ky është dokumenti që mban datën 21 mars 2017. Është një përgjigje zyrtare nga autoritetet zvicerane të njohjes së azilit politik për mua dhe familjen time,” thotë që në hyrje të reportazhit të RAI 3, Dritan Zagani. Televizoni italian thotë se Dritan Zagani ishte një zyrtar i policisë shqiptare që merrej veçanërisht me luftën kundër drogës, por që nga sot është një refugjat, i cili ka kërkuar azil politik në Zvicër sepse pranon që ka zbuluar korrupsionin midis politikës dhe narkotrafikantëve në Shqipëri.

“Duke bërë një hetim për një narkotrafikant në Vlorë, arrita të bija në gjurmë të një makine, një Audi të zi. Kontrollova targën dhe rastësisht pashë që pronar i kësaj makine ishte ministri im i kohës”, tha Zagani.

Saimir Tahiri, ministri i Brendshëm u detyrua të jepte dorëheqjen për këtë rast që zbulonte se kushërinjtë e tij ishin njerëz të punëve të pista, kurse kushërinjtë e tij, vëllezërit Habilaj u arrestuan në Katania ku po zhvillonin biznesin e tyre duke shituar marijuanë Cosa Nostras.

Tahiri u dënua vitin e kaluar për shpërdorim detyre, e njëjta vepër penale për të cilën është akuzuar edhe Zagani. Mbi Zaganin bie akuza se i ka shitur informacione një oficeri italian, por që asnjëherë nuk është hapur një hetim. “Unë nuk mund ta hetoj bandën, por banda më futi mua në burg”, u shpreh Zagani.

Më herët, eksponentë të Partisë Demokratike të Shqipërisë kanë publikuar dokumentarin e RAI3, ku flitet për trafik droge. I menjëhershëm ishte reagimi i qeverisë, duke mohuar se realiteti përputhet me kronikën në fjalë.

“E takuam Zaganin në Zvicër, ku kanë mbërritur edhe të paktën 5 policë shqiptarë me histori të ngjashme për të kërkuar azil politik vitet e fundit”, shprehet gazetari i Rai3.

Unë nuk pretendoj të fitoj, unë pretendoj të kem drejtësinë time. Në fund çdokush duhet të bëjë të vetën. Unë u përpoqa të bëj timen deri në këtë pikë”, deklaron Zagani.

(d.xh/ balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb