TIRANË

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi, ka refuzuar të flasë sot kur është pyetur nga gazetarët lidhur me rastet e denoncuar për abuzime me fëmijët.

Çfarë masash konkete janë marrë në lidhje me rastet e abuzuara?
Muzhaqi: Unë jam shumë vonë dhe më duhet të lëviz, ju kërkoj shumë ndjesë.

Dy minuta kohë ju marrim.
Muzhaqi: Mirë u pafshim ditë të mbarë

Dhe kjo është përgjigja juaj si drejtuese e institucionit?
Muzhaqi: Institucioni im nëse do kishit lexuar VKM që përcakton përgjegjësitë e mia do e kishit kuptuar edhe përgjigjen.

Çfarë përmban vendimi i Këshillit të Ministrave për Ministrinë e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët

Referuar vendimit, ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët harton dhe zbaton politika që synojnë mbrojtjen e të drejtave të të rinjve, garantimin e pjesëmarrjes të të rinjve në jetën sociale dhe koordinimin e çështjeve që kanë të bëjnë me mbrojtjen, përkujdesjen, shëndetin, mirërritjen dhe miredukimin e fëmijëve.
Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët harton, zhvillon dhe monitoron politikat për:
a) mbrojtjen e të drejtave të të rinjve në mënyrë gjithëpërfshirëse;
b) krijimin e kushteve të nevojshme për aktivizimin, pjesëmarrjen dhe mbështetjen e të rinjve;
c) përcaktimin e funksioneve dhe kompetencave të institucioneve në nivel qendror dhe vendor për çështjet e rinisë;
ç) bashkëpunimin me organizatat që ushtrojnë veprimtari në fushën e rinisë;
d) të rinjtë shqiptarë në diasporë, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për diasporën;
dh) programet e shkëmbimit rinor ndërkombëtar.
Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, harton, zhvillon dhe monitoron politikat për:
a) mbrojtjen e fëmijës, nëpërmjet plotësimit të kuadrit ligjor e institucional, në zbatim të Kushtetutës, të Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtat e Fëmijës, të akteve ndërkombëtare që veprojnë në këtë fushë, si dhe të legjislacionit në fuqi;
b) parashikimin e parimeve bazë ku mbështeten politikat kombëtare për të drejtat e fëmijës, mekanizmat efikasë, si dhe autoritetet përgjegjëse në nivel qendror e vendor dhe kompetencat e tyre në fushën e të drejtave dhe të mbrojtjes së fëmijës;
c) sigurimin e mirëqenies dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së fëmijës, duke promovuar e mundësuar zhvillimin e tyre në shoqëri, ndihmën dhe përkujdesjen efektive për fëmijën;
ç) marrjen e masave për t’i siguruar fëmijës ushtrimin e të drejtave, në përputhje me zhvillimin e personalitetit, bazuar në interesin më të lartë të tij;
d) marrjen e masave për të siguruar jetesën dhe zhvillimin e fëmijës;
dh) sigurimin e bashkëpunimit ndërmjet strukturave dhe autoriteteve qendrore e vendore, si dhe organizatave që mbrojnë të drejtat e fëmijës;
e) parashikimin e mekanizmave efektivë dhe funksionimin e institucioneve të ngarkuara me marrjen e masave konkrete për promovimin, respektimin e mbrojtjen e të drejtave të fëmijës, si dhe për ngritjen e një sistemi të integruar e funksional të mbrojtjes së fëmijës, për parandalimin dhe përgjigjen efikase ndaj të gjitha formave të dhunës, abuzimit, shfrytëzimit e neglizhimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: