TIRANË

Ylli Shehu, deputeti i ri nga listat e LSI-së, i cili u betua në Kuvend më 4 mars, ka fshehur një dënim në formularin e dekriminalizimit depozituar në KQZ.

‘News 24’ sot publikoi vendimi për dënimin e tij, i cili mban datën 18 Nëntor 2008 dhe është dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë. Për këtë ka reaguar, deputeti Ylli Shehu, i cili shprehet se e priste këtë shënjestër nga partia që bëri fushatë në 2017.

Në reagim, Shehu pohon se është i gatshëm për të bashkëpunuar me Prokurorinë, ndërsa pretendimet e fundit, i quan thjesht presione ndaj tij dhe ndaj kolegëve të tjerë për të mos marrë mandatin e deputetit. Ai rikujton se ka qenë pjesë e deputetëve dhe  ka dhënë votën në Kuvend për ligjin e dekrimninalizimit të politikës, i cili u votua në vitin 2015.

Reagimi:

Nuk kam asnjë dyshim që prej ditës kur vendosa të marr mandatin e deputetit, do të kthehesha në shënjestër të sulmit të partisë për të cilën unë bëra fushatë në vitin 2017. Por dua t’ua bëj të qartë që unë kam qenë në Parlament në vitin 2015 kur e kam votuar Ligjin për Dekriminalizimin dhe e di fare mirë kush janë detyrimet e mija si subjekt deklarues dhe se dekriminalizimi ka në thelb dënimet me burg, jo gjobat.

Çdo kush e kupton se po të kisha deklaruar një gjobë administrative, nuk rrezikoja asgjë, pasi dënimi nuk hyn në kategorinë e veprave që përbëjnë kushte për të mos u zgjedhur.

Pra, logjikshëm, unë nuk mund të kem fshehur me qëllim një gjë që nuk më dëmtonte. Madje shikoni formularin dhe aty gjendet një dënim me gjobë edhe pse nuk ka qenë detyrim.

Për të gjithë ata që fërkojnë duart nga kjo situatë, kujtoj se gjobitja është bërë në vitin 2008, dhe në vitin 2015-2017 kur kam qenë deputet, unë i jam nënshtruar verifikimit në bazë të ligjit të dekriminalizimit, dhe kam rezultuar i pastër.

Edhe nëse ky rast do të përbëjë arsye për një rikontroll, shpreh gatishmërinë time për të bashkëpunuar me çdo institucion ligjzbatues para të cilëve asgjë s’kam për të fshehur.

I gjithë ky sulm bëhet për të dekurajuar kolegët dhe koleget e tjera që janë në proces të marrjes së mandatit. Unë jam shumë i qetë dhe i përgjegjshëm për detyrën që kam.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb