“Rama në burg, Berisha në burg” është një prej thirrjeve kryesore që shoqëron prej disa minutash marshimin e protestuesve në rrugët e Tiranës, në ditën e 84-t të protestës.
Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej” dhe marshimit drejt Kryeministrisë, qytetarët kanë vijuar lëvizjen në rrugët e kryeqytetit, duke përsëritur thirrjet për largimin e Edi Ramës nga posti i kryeministrit.
Krahas thirrjes “Rama në burg, Berisha në burg”, protestuesit kanë brohoritur edhe “Edi Rama jep dorëheqjen”, “Shqipëria kërkon revolucion” dhe “Poshtë patronazhistët”.
Marshimi vijon mes pankartave dhe thirrjeve kundër klasës politike, ndërsa protestuesit shprehen se rezistenca do të vazhdojë. Ata janë duke marshuar në zonën e “ish-Bllokut”.
