Ministria e turizmit të Turqisë ka publikuar disa statistika dhe ka deklaruar se numri i turistëve rusë që kanë udhëtuar në qytetin Antalias së Turqisë në pesë muajt e parë të këtij viti është reduktuar 96% në krahasim me periudhën e ngjashme të vitit të kaluar.

Agjencia e lajmeve Dogan njoftoi se Ministria e Turizmit të Turqisë ka deklaruar se në pesë muajt e parë të vitit 2016 numri i turistëve rusë që kanë udhëtuar në qytetin e Antalias ka qenë vetëm 21.359 persona.

Kjo është në kohën kur në periudhën e ngjashme të vitit të kaluar mbi 500 mijë shtetas rusë kanë vizituar këtë qytet. Sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit të Turqisë, në muajin prill 2016, numri i turistëve në të gjithë Turqinë në krahasim me periudhën e ngjashme të vitit të kaluar është reduktuar me 28% dhe kjo është rënia më e madhe e turizmit në Turqi në 17 vitet e kaluara.

Rreth 1.5 mln turistë vizituan Antalian për 5 muaj dhe nga këta 582 mijë ishin gjermanë. Autoritetet e industrisë së turizmit në Turqi kanë parashikuar se me vazhdimin e rënies së numrit të turistëve të huaj në Turqi, mbi 500 mijë persona do ta humbin punën e tyre në industrinë e turizmit.

Vlen të theksohet se marrëdhëniet mes Rusisë dhe Turqisë janë ftohur në masë të madhe që nga nëntori i vitit 2015 si pasojë e rrëzimit të avionit rus nga avionët turq në territorin e Sirisë. Rusia për këtë arsye ka vendosur disa sanksione tregtare, turistike dhe arsimore kundër Turqisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: