TIRANË- Shumica e bashkive dhe komunave që kërkuan nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të pajisen me formularët për mbledhjen e firmave për të kundërshtuar hartën e re territoriale, kanë dorëzuar tashmë gjithë dokumentacionin e kërkuar.

Burime nga KQZ-ja bëjnë të ditur për Gazetën ‘Panorama’ se 96 njësi vendore prej ditësh kanë dorëzuar formularët me 10 për qind të firmave të banorëve të zonës që kanë të drejtë vote. Pas dorëzimit të këtyre dokumenteve, administrata e KQZ-së ka tre muaj kohë për të shqyrtuar dokumentacionin dhe për tja paraqitur mbledhjes së KQZ-së për të marrë vendim. Sipas Kodit Zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka tre muaj kohë për të marrë vendim nëse është dakord për mbajtjen e referendumit për hartën e re territoriale. Vendimi i KQZ-së më pas shkon për interpretim kushtetues në Gjykatën Kushtetuese, e cila nga ana e saj ka 2 muaj kohë për të marrë vendim.

Sipas Kodit Zgjedhor, referendumet lokale nuk mund të mbahen deri në 3 muaj para zgjedhjeve lokale. Kjo do të thotë se pasi Presidenti Bujar Nishani të dekretojë nesër datën 21 qershor, KQZ-ja dhe Kushtetuesja duhet të kenë marrë vendim para 21 marsit për mbajtjen e referendumit, në të kundërt ai shtyhet për vitin tjetër.
Rreth 1/3 e njësive vendore kundërshtuan hartën e re territoriale, e cila parashikon shkrirjen e të gjitha komunave dhe organizimin me 61 bashki.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb