Partia Popullore Europiane PPE ka uruar konsensusin për marrëveshjen në Këshillin Politik si dhe ka kërkuar miratim sa më shpejt të Paketës së ndryshuar për Kodin Zgjedhor dhe zbatimin e saj në zgjedhjet e ardhshme parlamentare e lokale, por pa ndryshime të njëanshme nga qeveria.

PPE apelon që tashmë marrëveshja të miratohet siç është dhe mos bëhet asnjë ndryshim jashtë këtij konsensusi, sidomos nga qeveria e cila ka në dorë tashmë miratimin me mbi 84 vota në Kuvendin e Shqipërisë por që po has në kundërshtinë e opozitës parlamentare.

PPE shkruan se konsensusi mes palëve ishte kusht kryesor nga BE për fillimin e negociatave teksa shton se duhet nisur tashmë procedimi penal për blerjen e votave në zgjedhje, sidomos për akuzat tek dosjet 184 dhe 339.

 

STATUSI NGA MICHAEL GAHLER

Ne, grupi i Partive Popullore Europiane në Parlamentin Evropian, urojmë palët në Këshillin Politik shqiptar, në të cilin, pas Marrëveshjes së 5 Qershorit, u ra dakord për paketën e amendamenteve për zgjedhjet. Ne vlerësojmë konsensusin mes palëve, që përfshinte Partinë Socialiste në pushtet dhe Partinë Demokratike (anëtare e PPE) dhe presim miratimin e shpejtë zyrtar të kësaj pakete. Çdo deklaratë nga partia në pushtet për ndryshime të tjera të njëanshme shkon kundër konsensusit të arritur.

Ky konsensus ka qenë një kusht kryesor i BE për fillimin e negociatave të anëtarësimit. Ai duhet të ndiqet nga zbatimi i sinqertë i Ligjit Zgjedhor në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe lokale.

Në mars, Këshilli Evropian, kërkoi që Shqipëria të qartësojë ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të vitit 2019. Fakti që bashkitë në Shqipëri drejtohen nga një parti e vetme, e kundërshton nocionin themelor të një demokracie pluraliste.

Këto janë tre kushte të rëndësishme nga 15 që Shqipëria duhet të përmbushë përpara fillimit të negociatave të anëtarësimit në BE.

Opinionet e kohëve të fundit të Komisionit të Venecias për lirinë e medias dhe gjyqësorit duhet të zbatohen plotësisht në frymë dhe në gërmë, në mënyrë që të korrigjojnë devijimet e mëparshme dhe të ecet përpara.

Gjithashtu, duhet të fillohet ndjekje penal lidhur me akuzat e blerjes së votave në zgjedhjet e kaluara, përfshirë ato në Dosjet 184 dhe 339.

Të 15 Kushtet u vendosën në Mars nga Këshilli Evropian dhe u konfirmuan muajin e kaluar në Parlamentin Evropian nga një shumicë e madhe ndërpartiake.

Grupi i Partive Popullore Europiane vazhdon të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb