Pedagogu dhe anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Roland Bejko i ftuar në rubrikën ‘’Opinion’’ në News24 ka thënë se opozita nuk i ka marrë ende garancitë për votën e lire në përmbylljen e Reformës Zgjedhore për tu futur në zgjedhjet e ardhshme.

Bejko thotë se opozita nuk ka shtuar propozime të reja sepse që në momentin që ajo doli nga parlamenti ajo bëri publike arsyet e këtij veprimi. Kishin dale dy dosjet e përgjimeve nga prokuroria për implikimin e zyrtarëve të lartë të qeverisë shqiptare në vjedhjen dhe manipulimin e votave me ndihmën e grupeve kriminale.Pra, PD e braktisi parlamentin sepse ai ishte jolegjitim pasi kishte dale nga një process i manipuluar. I vetmi shqetësim që ka sot PD në diskutimin në këshillin politik, është raporti me votën e lirë ku qytetarët shqiptarë ende nuk e kanë një të tillë pasi dihet si manipulohet ajo, si intimidohet administrata publike dhe si ushtrohet presion mbi qytetarin. Jemi ende në kushtet kur diskutojmë nevojën për votën e lirë, për alfën e demokracisë, për atë nga e cila buron dhe legjitimiteti i qeverisjes.

”Është një proces i gjatë, si manipulohet vota, si përdoret administrata, publike, si përdoret vet qeverisja.Sepse nëse qeverisja nuk del nga vota e lire, por nga mbështetja e banditëve, e para gjë që do të bësh ti nesër në pushtet do jetë kthimi i haraçit atyre që të kanë mbështetur në zgjedhje, grupeve kriminale, grupeve të interesit, krimit të organizuar, bandave etj.

Pse doli nga parlamenti opozita? Dhe a e realizoi qëllimin për të cilin doli nga parlamenti?

Opozita doli nga parlamenti pasi u bënë publike dy dosjet që dëshmonin blerien e votës nga grupet kriminale. Sa kohë që opozita ishte në parlament z. Rama e shtoi mazhorancën duke rekrutuar edhe deputetë të tjerë nga parti të tjera dhe vazhdimisht mundohej ta poshtëronte dhe intimidonte opozitën. Ai nuk merrte parasysh asgjë nga propozimet e opozitës, ndërkohë që parlamenti ishte kthyer në një institucion bezdisës për të gjithë jetën dhe mjedisin qytetar pasi u kthye në një spektakël të shëmtuar. Opozitës në atë parlament nuk i lejohej të ushtronte funksionin e saj kushtetues.

Në demokraci ka dy elementë që e bëjnë atë të funksionojë; legjitimiteti dhe marrëveshjet, kompromiset.

Rama vërtet ka marrë shumicën e votave për të qeverisur. Por kjo nuk do të thotë që qeverisjen dhe pushtetin ti ta kthesh në tirani kundër pakicës. Është një filozof francez që quhet Raymond Aron i cili thotë se edhe në pluarlizëm mund të ndodhë që një qeverisje të mundë të degradojë në tirani. Pse ndodh kjo? Së pari sepse kryeministri e kthen linjën e partisë së vet në linjë zyrtare dhe ja imponon atë gjithë shoqërisë si të tillë. A nuk ndodhi kështu me rilindjen?
E dyta, ndodh kur hedh në dorë dhe përdor të gjitha mediat për interesat e sundimit tënd e duke u mbështetur te propaganda ti i bën lavazh truri gjithë shoqërisë për ti imponuar asaj shijet e tua estetike dhe politike.

E treta, ndodh kur ti i zë të gjitha hapësirat opozitës, u zë të gjitha hapësirat njerëzve, përpiqesh ta dominosh dhe shkatërosh opozitën.
E katërta është kur ti hedh në dorë gjithë ekonominë.A jemi tani në kushtet kur themi se ekonomia shqiptare është kriminalizuar dhe monopolet i kanë zënë frymën ekonomisë konkuruese? Po.
E pesta, ndodh kur policinë e shtetit e keqpërdor për qëllime personale. E instrumentalizon dhunën që të është dhënë me ligj dhe e përdor atë për të goditur kundërshtarët e tu, si dhe për friksuar qytetarët që s’të binden etj.

Pra këto elemente të shndërimit në tirani të pushtetit, ne i gjejmë të gjitha te Rama.

Tani vijmë te pyetja a e realizoi qëllimin opozita?

Me protestat u duk sikur ishte shumë pranë rrëzimit të Ramës nga pushteti. Por reagimi ndërkombëtar ishte i tillë që gjithçka të ishte institucionale. U rrit sensibiliteti i ndërkombëtarëve për ato që ndodhnin në Shqipëri, por pushteti nuk do merrej nëpërmjet protestave. U kërkua largimi i Ramës me qëllim që ti hapej rrugë procesit të reformës zgjedhore dhe pastaj vendi të shkonte në zgjedhje të regullta.

Edhe Kodi Zgjedhor i mëparshëm ka qenë hartuar shumë mirë.Por nuk u respektua nga pushteti. Në këto kushte opozita kërkoi disa garanci të cilat do ta bënin atë të futej në zgjedhje pa ekuivok, pa dyshime. E vërteta është se deri tani nga Këshilli Politik nuk është arritur ndonjë gjë e madhe që të na garantojë ne dhe opinionin publik se nuk do ketë më manipulime të zgjedhjeve. Po negociohet me të njëjtët personazhë që bënë krimin elektoral. Është kryeministri Rama, arkitekti që ndërtuar gjithë skemën e manipulimit të zgjedhjeve më 2017. Edi Rama e vendosi enkas Gjiknurin përballë opozitës që kjo e fundit ta braktiste komisionin dhe ai ta akuzonte më pas si penguese të reformës zgjedhore, në vend që ta çonte atë para drejtësisë, dhe ti lejonte organet e saj të bënin punën e tyre për të dënuar fajtorët e vjedhjes së votave. Opozita zgjodhi të shikonte përpara, të vijonte procesin dhe t’ia linte në dorë drejtësisë së re që të vepronte dhe të tregonte veten se sa ajo ishte në gjendje ta ushtronte pritshmërinë e lartë që ka për të publiku shqiptar, faktori ndërkombëtar dhe të gjithë ata që u investuan për të.”
Pyetjes se a duhej Këshilli Politik të funksiononte kështu z.Bejko u përgjigj se “personalisht mendoj se duke qenë në faza parapolitike shoqëria shqiptare është përçudnuar në këtë lloj forme ku kemi dalë nga të gjitha kornizat institucionale. Këshilli Politik nuk duhet të ekzistonte. Por duke qenë se opozita duhej të përfshihej tani në një tryezë institucionale për ti dhënë zgjidhje problemit të reformës, ju dha mundësia nëpërmjet këshillit. Por, mendoj se Këshilli ndoshta, duhet të ishte më transparent për publikun për gjithçka që diskutohej aty.

Unë do të doja që pas kësaj vota t’i kthehej patjetër qytetarit, të kishim një sistem të hapur, sepse tek e fundit ne jemi parti e djathtë dhe partitë e djathta mbështeten shumë tek individi, tek individi me peshë, tek individi me repurtacion, tek personalitetet e larta të vendit dhe si të tillë ata do të ishin kandidatët që do të mlidhnin votat për ta sjellë opozitën në pushtet. Gjë e cila me këtë sistem të mbyllur nuk do të ketë shans të ndodhë sepse dihet që listat do ti bëjnë kryetarët e partive, ndoshta edhe kryesitë e partive. Partia Demokratike e ka në statutin e vet se procesi i përzgjedhjes së kandidatëve duhet të kalojë nëpërmjet primarëve, por gjithsesi parap ato do të jenë lista të mbyllura dhe ata që do të votojnë në zonën elektorale, nuk do të votojnë njërin nga më të mirët në listë por atë që i dikton partia. Ky sistemi i mbyllur nuk e maksimalizon votën e opozitës. Ky lloj sistemi mendoj se më shumë i shërben Edi Ramës.U provua që me këtë sistem ai fitoi zgjedhjet, skemën e manipulimeve e ka gati. Në mendimin tim opozita duhet të kishte përqafuar sistemin danez që propozoi ambasadoria amerikane sepse tani nuk do të kishim këtë Edi Ramë që kapardisej sot i relaksuar në parlament. Ai çfarë donte e mori, lëshoi vetëm ato elementë të cilat nuk i prishin fare punë. Të thuash që unë i lëshova pe opozitës dhe kërkoj që të bëjmë së bashku një depolitizim të administratës zgjedhore kjo është hipokrizi. Sa herë që vijnë raportet nga Brukseli për administrtën publike ato janë negative. Ata e quajnë administratën publike shqiptare tejet të politizuar dhe kërkojnë vazhdimisht depolitizimin e saj.Kur thua se ka një administratë publike të politizuar, atëherë si mund të thuash ti se unë do ti besoj asaj administrimin e votës së lirë të qytetarëve? Më mirë të thuash që unë do ti var ujkut mëlçitë në qafë për të mi ruajtur.

Nga ana tjetër unë mendoj se duhet të jemi objektivë. Edhe gjeopolitika ka pjesën e saj këtu.Duam s’duam ne ajo rezonon në të gjithë aktivitetin politik që zhvillohet në Shqipëri. Çështja e kosovës nuk është një çështje e lehtë, nga njëra anë, dhe ana tjetër është çështja e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Në datën 8 qershor faktoritit ndërkombëtar dhe qeverisë shqiptare i duhet që të çojë në Bruksel një arritje të tillë si reforma zgjedhore.
Në aspektin formal, nëse duhet firma e opozitës që të çohej kjo arritje aty, natyrisht që mirë i bën Shqipërisë, por nëse kjo reformë e miratuar, në përmbajtje, ditën që do të provohet në ditën e zgjedhjeve nuk do na japë një rezultat të pa kontestuar, do të thotë se ajo ka dështuar.Vetvetiu dhe ata që dolën garantë dhe shërbyen si interlokutorë në negociata, natyrisht që do të marrin pjesën e tyre të përgjegjësisë së dështimit.

Çfarë kërkon tani opozita?

Opozita kërkon garanci për votën. Kush do t’ia japë këtë?

I pari është ai që del garant dhe të fton në procesin e negociatave dhe të thotë, hajde mere shansin, topi është në këmbët e tua, duhet të firmosësh për të ardhmen tënde. Nga ana tjetër është drejtësia me institucionet e saj që dalin garante në zbatimin e ligjit duke ushtruar penalitetet e duhura ndaj atyre që janë shkelës procesit zgjedhor.

Mirëpo drejtësia është jashtë loje, është jo funksionale. Nuk egzistojnë më institucionet e saj. Gjykata kushtetuese jo,gjykata e lartë jo, kolegjet zgjedhore të kontestuara që tani…, pra nuk na japin dot garancinë që nesër do të kemi një rezultat të pakontestuar. Dhe kështu kthehemi përsëri atje ku e nisëm. Opozita nëse do të humbasë me vota të manipuluara natyrisht që nuk do ta pranojë rezultatin e zgjedhjeve. Demokracia shqiptare do ngelet në vend numëro, shqiptarët do vazhdojnë ta braktisin vendin edhe më shumë.”

Pyetjes se a është gati opozita për ti fituar këto zgjedhje Bejko tha se “opozitës avantazhin më të madh ia ka krijuar vet Edi Rama me qeverisjen e keqe të tij e cila tashmë është e perceptuar nga shqiptarët si e tillë. Kriza e madhe ekonomike veçanërisht pas pandemisë është një faktor tjetër më shumë që do ta ndihmojë opozitën. Gjithashtu administrata publike ka humbur motivimin. Shteti tashmë ka rënë. Nuk funksionon më asnjë strukturë shërbimi për qytetarët. Demokracia lokale është gjithashtu e rënuar, jo funksionale. Pra, pakënaqësia popullore është një element i rëndësishëm që e ndihmon shumë opozitën.
Partia Demokratike që kur është krijuar ka qenë një parti e madhe, parti pushteti dhe diferencat midis dy partive nuk janë shumë të mëdha pavarësisht si manipulohen zgjedhjet. Opozita tani ka edhe një kartë morale të madhe, ka një alternativë që ka filluar ta bëjë publik para qytetarëve duke u fokusuar kryesisht tek ekonomia dhe te çështjet e demokracisë, shtetit të së drejtës, etj.

Opozita e ka vet në dorë tashmë fatin e saj. Ajo duhet që të fitojë simpatinë e popullit.Me popullin përkrah të jeni të bindur që fitoren e zgjedhjeve e ka të sigurt. Ama kjo varet në mënyrën se si opozita do ta interpretojë vetveten, me qëllim që ajo ta kapërcejë atë dhe të bëhet e pëlqyeshme për pjesën gri të elektoratit. Sepse sistemi elektoral që kemi sot, është i tillë që çon në ballafaqim vetëm militantët e të dy blloqeve politike . Militantët e dy palëve do të ndeshen, pjesa tjetër, pjesa gri, atë ditë do të shikojë punën e vet sepse ajo do ndihet jo pjesëmarrëse, e pa përfaqësuar ngaqë nuk do të mundë të votojë dot deputetin që do. Kështu që opozitës i duhet tani të thithi pjesën gri të elektoratit dhe pastaj fitoria është e garantuar. E në këtë rast,nëse ti do marrësh me vete frymën popullore, nuk do të ketë krim e kriminel që do të guxojë të qaset te kutia e votimit ”- tha Roland Bejko.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb