TIRANE- Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço në “Studio e Hapur “ të Eni Vasilit në News 24 ka folur për reformën në drejtësi, puna që po bëhet nga ekspertët dhe variantet për shkrirjen e KLD-së, reformimin e Gjykatës së Lartë si dhe ndryshimet kushtetuese. Përballë Ministrit të Drejtësisë, ishin Tedi Blushi zv.kryeredaktor i ‘Gazeta Shqiptare’ dhe Arion Sulo, kryeredaktor i gazetës ‘Mapo’.

Si do të reformohet KLD?
“Ka disa formula për KLD-në. Vende të ndryshme kanë modele të ndryshme, do të zgjedhim një prej tyre. Nuk marr dot rolin e ekspertit. Anëtarët e KLD mund të jenë të gjithë gjyqtarë, por modeli i përzgjedhjes i ndryshëm, synimi është të shmangim që KLD të funksionojë si një koorporatë. Synojmë një model të ndryshëm nga ky që është tani, i cili nuk ka funksionuar. Nuk besoj se ka një betejë të humbur me KLD-në. Nuk kam pasur betejë personale me asnjë gjyqtar të veçantë. Beteja jonë ka qenë me ata që nuk zbatonin ligjin”.

Do bashkëpunohet me KLD-në për reformën apo do të shkrihet si trup?
“Unë besoj se nuk është gjithë KLD në bllok, por individë të caktuar që mbajnë peng zbatimin e ligjit përmes lidhjeve të tyre koorporatiste. Janë atë nuk mbajnë qëndrim ligjor në KLD. Ndaj tani ka lindur domosdoshmëria për ta riformatuar, ky model që është tani nuk është rezultativ. Pra mund të jenë sërish 9 anëtarë nga konferenca gjyqësore por që janë me mandat të plotë në mënyrë që të mos kenë një sy në KLD dhe një dorë në gjykatë. Mund të jenë me 11 ose 13 anëtarë”

Pra do të ketë ndërprerje mandatesh?
“Kemi folur për reformim të KLD dhe Gjykatës së Lartë. Unë kam bërë një propozim që Gjykata e Lartë duhet të përfshihet brenda KLD-së, në mënyrë që ata të mos i zgjedhë Kuvendi por të jenë gjyqtarë karriere, që vijnë në Gjykatën e Lartë për shkak të karrierës së tyre dhe jo për shkak të vullnetit politik. Unë këtë quaj reformim kurse juve shkrirje”.

Është opsioni që presidenti të jetë kreu i këtij institucioni të ri?
“Vende të ndryshme kanë modele të ndryshme. Këtu tek ne Presidenti zgjidhet edhe me 71 vota. Qenia e presidentit në krye të KLD-së, ku drejton të gjitha mbledhjet, i ardhur nga një forcë politike, ku dekreton të gjithë anëtarët e Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, kreun e Prokurorisë, dekreton emërimet dhe shkarkimet e prokurorëve. Pra, gjithë sistemi është në dorë të presidentit por ai nuk mban përgjegjësi, duhet gjetur modeli që kushdo që është në krye të sistemit, të mbajë përgjegjësi”.

Si do zgjidhen mandatet e KLD-së dhe Gjykatës së Lartë që janë në vazhdim?
“Është komisioni i posaçëm parlamentar që do të dërgojë produktin final në parlament, ekspertët po punojnë mbi një draft”.

A do të rikthehet në punë Lulzim Lelcaj, Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë?
“Qëndrimi im është publik, Elvis Cefa dhe Lulzim Lelcaj ishin zgjedhur nga Kuvendi, nuk po ushtronin detyrën e tyre, për shkeljet që gjeti edhe Komisioni Hetimor Parlamentar. Gjykata Kushtetuese thotë që duhet riformatuar neni për shkarkimin e anëtarëve të KLD-së. Ky nen i veçantë është pjesë e reformës, do të riformatojmë dhe kështu do zbatojmë edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Në asnjë rast gjykata dhe vetë zotërinjtë nuk kërkojnë të rikthehen në punë. Nëse lexoni procesverbalin e mbledhjes së KLD-së, edhe Presidenti tha që ti kërkojë Parlamentit të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk mund të kërkojmë një gjë që është pa objekt, në asnjë rast nuk detyrohet Kuvendi që të kthehen ata në punë. Të presim dhe vendimin e Gjykatës Administrative. Kur të merret vendimi do ta shohim. I thashë Presidentit mos kërko, që unë si ministër të dal në Kuvend dhe të kërkoj diçka që nuk ekziston. Nuk mund të ndodhë që Presidenti në çdo takim i merr këta të dy nga prapa dhe thotë këtu i kam unë gati. Nuk ndodh në asnjë vend, që Presidenti nuk emëron zv.kryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, dhe pse ka kaluar një vit. Nuk ka dashur, nuk do dhe gjendja është kjo që është. Presidenti duhet të ishte pjesë e reformës. Ky lloj sistemi ku Presidenti është në krye të gjithçkaje dhe nuk mban përgjegjësi, nuk ka funksionuar. Do shkojmë te ndryshimet kushtetuese”.

A parashikon varianti i mazhorancës që Presidenti do të jetë në krye të KLD?
“Nuk kemi ende propozime, ja kemi lenë ekspertëve. Fatmirësisht tashmë është edhe opozita dhe kur të hapen letrat do të shikohen edhe variantet”.

Po flasim për reformë kushtetuese, cilat mandate do të ndërpriten?
“Komisioni i posaçëm ka disa nënkomisione, sigurisht që do të ketë propozime konkrete. Kemi pasur votat për të bërë ndryshimet. Duam ta bëjmë këtë në mënyrë konsensuale, dhe reformat të jenë gjithëpërfshirëse. Unë kam thënë që në fillim që Gjykata e Lartë të përfshihet te KLD që të kemi një gjykatë karriere, jashtë ndikimit politik”.

Për procedimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve ka akuza të ndërsjella, ju akuzoni KLD por kjo e fundit ju akuzon juve për pengesë?
“Një nga ndryshimet e bëra vitin e kaluar ishte që kërkesat e ministrit të shqyrtohen brenda një muaji. Dy kërkesa të bëra nga ministri në nëntor të 2014 u shqyrtuan vetëm javën e kaluar”.

Akuzat janë që ju nuk keni çuar kërkesat dhe keni djegur afatet?
“Për tre dosje që kanë humbur, kam bërë denoncim. Mora një ministri pa inventar. Bëra inventar dhe më rezultoi që tre dosje nuk janë. Kjo nuk është përgjegjësia ime. Në rastet e tjera kam vepruar sipas kërkesave të ligjit”.

Çfarë do ndodhë me KLD-në do na e thoni saktë?
“Do e reformojmë, do përfshijmë gjykatën e Lartë në KLD. Sot quhet KLD, në vende të tjera Këshilli i Magjistraturës. Ju e quani shkrirje, unë e quaj reformim”.

Përsa kohë do përfshihet Gjykata e Lartë do të thotë që ka dhe ndërprerje mandatesh?
“Unë thashë do ta reformojmë”.

Sa do të ndërhyhet në Kushtetutë?
“Ndryshimet në kushtetutë kanë ardhur si domosdoshmëri nëse duam të reformojmë sistemin. Nuk është si në ndryshimet e 2008 kur dy forca politike u bënë bashkë, ndryshuan Kushtetutën për të eliminuar një forcë tjetër politike. Këtë herë është ndryshe janë të gjithë në një zë që duhen bërë për të përmirësuar sistemin. Nëse e bëjmë të njëanshme mund të ketë pasoja, po nëse bëhet me vullnet politik dhe konsultime nuk ka asnjë problem”.

Çfarë do ndodhë me prokurorinë?
“Do reformohet zyra e Prokurorit të Përgjithshëm. Është një organ tejet i centralizuar, ekspertë të ndryshëm japin variante të ndryshme. Është çështje e politikës nëse do që zyra e Prokurorit të bëhet me propozim të ministrit dhe emërim të kryeministrit, apo të jetë kështu si është dhe të jepet pëlqimi i kuvendit. Unë do të doja të merrej një variant i BE, ku zyra e prokurorit është brenda Këshillit të Lartë të Drejtësisë, apo modelin e Francës që ka Këshill të Lartë të Magjistraturës për Prokurorë dhe për gjyqtarë”.

A preket mandati i Adriatik Llallës? Kur flasim për reformim ju shkoni të mandatet?
“Nuk ka qenë ky qëllimi, jemi tre hapa para, do gjykojmë kur të kemi variante konkrete. Reformim për Gjykatën e Lartë, KLD, Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, shkollën e magjistraturës, Konferencën Gjyqësorë Kombëtare dhe Gjykatën Kushtetuese”

Si do të reformohet Gjykata Kushtetuese?
“Unë kam thënë që kjo gjykatë nuk funksion si duhet për shkak të mënyrës së emërimit të gjyqtarëve. Ju e keni parë si funksionin del dispozitivi i vendimit dhe vetëm 6 muaj pas vendimi i arsyetuar”.

Sa i përket korrupsionit në gjyqësor, një raport i bërë publik i ekspertëve të atashuar pranë komisionit të posaçëm parlamentar të reformës në drejtësi thotë se gjyqtarët paguajnë 200-300 mijë euro për emërimin. Kujt ia japin këto para?
“Kemi marrë disa masa ligjore për të luftuar këtë fenomen. Korrupsioni ekziston, nuk mohoj që nuk paguajnë, por nuk e di kujt, duhet të pyesni ata që kanë bërë raportin, nuk e di shifrën. Në folëm për rastin e KLD-së ku anëtarët e saj promovonin veten ndaj ndryshuam ligjin. Ata ruanin vendet e tyre në Gjykatën e Apelit. Ata vinin kë mund të vinin nga Gjykata e Shkallës së Parë në atë të Apelit. Ka qenë një rast, zotëria është ende anëtar i KLD-së, por Presidenti nuk e dekretoi për shkak të presionit pozitiv të ndërkombëtarëve”.

(to.bo/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: