Kur bota u përfshi nga karantina për shkak të Covid-19, regjisori Grek Kristos Barbas vendosi të izolohet për tri javë në një azil për të moshuar. Donte të xhironte jetën e tyre të përditshme, të dokumentonte gjestet e vogla e të moshës së tretë në një izolim të pazakontë. Filmi i tij u shfaq të enjten në Akademinë e Filmit dhe Multimedias Marubi në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut.

“Ishte një mbyllje brenda mbylljes. Moshat e treta ishin më të rrezikuarat në gjithë botën dhe për ta ishte një mbyllje brenda mbylljes, sepse kam besuar gjithnjë se një i moshuar është një njeri i mbyllur brenda trupit të tij dhe përvoja ime tri javore i mbyllur me ta, ma vërtetoi këtë. Takova njerëz të ri në mendime e me dëshira njësoj si tonat. Shumë prej nesh nuk duan të mendojnë plakjen, ndonëse e mendojmë vdekjen dhe i bëjmë edhe këngë asaj. Shoqëritë moderne po i largojnë këto mosha nga shtëpitë duke i lënë në azile”, tha regjisori.

Barbas nuk e sheh si një film të trishtë, as si një film për ata që janë në prag të shuarjes. Ai thotë se ka gjetur gëzim mes tyre dhe në ato tri javë është miqësuar me ta. I pyetur për shqiptarët që takoi në azil, ai përgjigjet.
“Kishte edhe shqiptarë te personeli (në azil). Mënyra se si shfaqnin ndjenjat e tyre ishte si për ne. Ky film vërteton se komunikimi është i rëndësishëm”.
Një vështrim mbi fundin e një jetëve njerëzore para një kërcënimi të madh si pandemia, mund të ndryshojë mënyrën se si ne e shohim jetën në vijim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb