Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) Avni Kastrati, ka thënë të hënën se të gjitha komunitetet në Kosovë janë duke marrë pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë, ndonëse janë shfaqur disa probleme në pjesën veriore. Procesi ka nisur më 5 prill dhe do të zgjasë deri më 17 maj. “Të gjitha komunitetet janë duke marrë pjesë në regjistrim, pa anashkaluar asnjë komunitet dhe besojmë që kështu do të vazhdojmë deri në fund të procesit të regjistrimit”, -ka thënë ai në një konferencë për media. Megjithatë, Kastrati e ka pranuar se një pjesë e regjistruesve në pjesën veriore janë tërhequr prej procesit.

Ai ka thënë se ka takuar personalisht pjesëtarë të komunitetit serb në veri të Kosovës, një ditë më parë, dhe se ASK-ja e ka siguruar një “numër solid” të regjistruesve për të regjistruar popullsinë e këtij rajoni brenda afateve kohore. Sipas tij, regjistruesit janë prej zonës veriore dhe jo prej zonave tjera të banuara me shumicë serbe brenda Kosovës, dhe se ka parë gatishmëri të komunitetit serb për t’u regjistruar. Më 5 prill, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë – e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka thënë se serbët e Kosovës nuk do të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë.

Lista Serbe ka thënë se pjesëmarrja në “proceset e organizuara nga [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti do të ishte poshtërimi më i madh për popullin tonë, në kohën kur i njëjti ua mohoi serbëve të drejtën për pensione dhe paga, pengoi funksionimin normal të shëndetësisë dhe përfitimeve sociale, hoqi të drejtën e votës, arrestoi dhe persekutoi serbët, i pushtoi komunat me forcë, militarizoi veriun e Kosovës…”. Në procesin e fundit të regjistrimit të popullsisë – të realizuar më 2011 – serbët e veriut nuk patën marrë pjesë, me kërkesë të autoriteteve të Beogradit. Sipas regjistrimit të vitit 2011, Kosova i ka rreth 1.8 milion banorë, dhe 25.000 prej tyre janë serbë. Megjithatë, organizata të shoqërisë civile besojnë së në këtë shtet jetojnë rreth 100.000 pjesëtarë të këtij komuniteti. Sipas Ligjit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, çdo person mund të gjobitet nga 30 deri në 2.000 euro, nëse refuzon t’i japë informacionet e kërkuara nga regjistruesi. Gjobat janë edhe më të mëdha për biznese dhe shkojnë në deri 20.000 euro./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: