Armand Duka, presidenti i FSHF-ës, njëkohësisht anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA, në një intervistë për “TuttomercatoWeb”, ka folur për shumë tema, duke nisur nga futbolli në Shqipëri post Covid-19, tek vendimet e fundit të UEFA, e ardhmja e Kombëtares nën drejtimin e Edi Reja dhe shumë çështje të tjera. Duka ndez shpresë për tifozët kudo në europë duke theksuar se UEFA po shqyrton mundësinë për të futur tifozë në stadium në Champions dhe Europa League, përpara se këto turne të rinisin do të zhvillohen mbledhja të tjera. Duka beson se edhe tifozët në Shqipëri mund të shijojnë ndonjë ndeshje në stadium:

Duka1png
Duka1png

President, si po shkojnë gjërat në Shqipëri?
– Kemi rinisur kampionatet, por me dyer të mbyllura. Futbolli pa spektatorë nuk është i bukur, por e bëjmë për të mirën e futbollistëve. Po e mbyllim kampionatin me shpresën, që të bëjmë edhe disa ndeshje me tifozë në stadiume. Megjithatë, tani që ka disa raste të reja me Covid-19, për momentin synojmë të mbyllim sezonin. I kemi rihapur të gjitha kategoritë.
– Çfarë mund të thoni për Kumbullën?
– Një mbrojtës i mirë, luan në kombëtare dhe përfaqëson të ardhmen tonë.
– Flitet se mund të shkojë tek Interi. Sipas jush, a është djaloshi gati për këtë hap të madh?
– Është akoma i ri, vetëm 20 vjeç, nuk e di nëse në një skuadër të madhe do të ishte menjëherë titullar, por me siguri mund të rritet edhe më shumë. Këtë vit te Verona ka treguar një personalitet të madh dhe të bën të mendosh që mund të shndërrohet në një “top-player”. Di që interesohet dhe Juventus, ka qenë dhe Napoli në janar… Për ne është e rëndësishme, që ai të luajë gjithmonë për 90 minuta, kudo ku ai zgjedh të luajë, kështu mund të jetë edhe në formë edhe për Kombëtaren.

Duka2
Duka2

– Tani është një sfidë direkte mes Juves dhe Lacios. Ju shqiptarët, gjithashtu keni përfaqësues edhe në Romë…
– Drejtori është i yni. Edhe portieri, Strakosha. Prej disa vitesh Lacio po luan mjaft mirë dhe në këtë kampionat po bën diçka të mrekullueshme: mund të luajë shanset e veta deri në fund. Nuk e di se në çfarë forme do të jenë pas ndërprerjes, por para fillimit të pandemisë ishin vërtetë në formë të shkëlqyer. Shpresojmë të jenë mirë dhe Strakosha të mos pësojë asnjë gol.
– Çfarë mendoni për Igli Taren?
– Mendoj se ai është i aftë të arrijë suksesin si në Itali, ashtu edhe në Evropë: ka gjetur lojtarë të mirë, duke ndërtuar një skuadër të aftë për të marrë rezultate të mira. Madje, edhe ekonomikisht ka bërë punë shumë të mirë: është e gjitha meritë e tij.
– Ju e doni Italinë. Çfarë mund të na thoni për trajnerin Reja?
– Edi është një trajner i madh, ka eksperiencë dhe shumë ndeshje në karrierë. Kemi shumë shpresa, që me të në stol të kualifikohemi në një turne madhor, duke përsëritur atë çfarë ka bërë heroi ynë Xhani De Biazi, të cilin e do i gjithë populli shqiptar.
– Si ndryshon kalendari i Kombëtares shqiptare?
– Mbetet thuajse i njëjti, në shtator do të kemi dy sfida të Nations League dhe pastaj tre në tetor, dy të Nations League dhe një miqësore për ne që nuk jemi në “play-off”. Të organizosh miqësore para kësaj date është e pamundur, pasi nuk gjen data.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: