TIRANË

Policia ka proceduar penalisht administratorin e një ekipi futbolli të Superligës pasi ka lejuar në fanellat e ekipit një reklamë bastesh. Sipas të dhënave zyrtare, specialistët e Seksionit për Krimin Ekonomik e Financiar në Sektorin për Krimin Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policise Tiranë proceduan penalisht shtetasin Gazmend Vogli, 30 vjec, banues ne Krujë, administrator i një ekipi futbolli të Superligës.


Në datën 09.02.2019 në stadiumin “Selman Stermasi”, gjatë zhvillimit të ndeshjes së superligës është konstatuar se në fanellat e lojtarëve të ekipit që ky shtetas është administrator ka pasur logo reklamuese të një shoqërie bastesh sportive, në kundërshtim me ligjin nr.75/2018.


Gjithashtu po kryhen verifikime për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës“ parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal edhe për vëzhguesin e Federatës Shqiptare të Fubollit prezent në këtë ndeshje i cili ka lejuar që futbollistët të futen dhe të luajnë ndeshjen duke pasur të reklamuar në fanella këtë logo të kompanisë së basteve.


Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqesor Tiranë për veprime të mëtejshme.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb