NGA ERMELINDA HOXHAJ*
Lajm i mirë për studentët që do të aplikojnë në Universitetin e Mjekësisë dhe Politeknikut, në programet e ciklit të dytë të integruara të studimeve, ku përfshihen Mjekësi e Përgjithshme, Farmaci, Stomatologji, Arkitekturë dhe Urbanistikës, ku si kusht për aplikim kërkohej edhe mbrojtja e gjuhës së huaj.

Ditën e djeshme drejtuesit e Universitetit kanë pasur takim me ministren e Arsimit, Lindita Nikolla dhe është rënë dakord që për këta maturantë të mos kërkohet gjuha e huaj si kriter hyrës, por të jetë kriter dalës nga universiteti.

Gjatë një interviste për “Gazeta Shqiptare”, rektori i Universitetit të Mjekësisë Tiranë, Arben Gjata, ndër të tjera ka thënë se studentët fitues do të miratohen nga vetë universitetet dhe jo nga Agjencia Kombëtare e Provimeve. Në lidhje me kuotat, ai ka theksuar se UMT ka kërkuar një ulje të lehtë të kuotave në të tri fakultetet e tij.

Universiteti i Mjekësisë Tiranë ofron në total 9 programe studimi. Sipas rektorit të UMT, Gjata, në 8 programe studimi është kërkuar ulje e kuotave me rreth 5-10% në krahasim me vitin e shkuar. Sipas tij, programi i vetëm i studimit ku është kërkuar rritje e kuotave është Stomatologjia, pasi vitin e shkuar ka pasur vetëm 55 kuota pranimi. Ndërsa te Mjekësia janë kërkuar 10 kuota më pak se vjet, pra 230 kuota. Në tabelën bashkëngjitur shkrimit janë kuotat e përafërta të pranimit në Universitetin e Mjekësisë.

Prof.Gjata, cila është marrëveshja që u arrit me Ministrinë e Arsimit në lidhje me mbrojtjen e gjuhës së huaj për ata që do aplikonin në një program të integruar të ciklit të dytë të studimeve, ku përfshihen tri programe studimi në universitetin tuaj?
Sot (dje) pasdite u mbyll takimi me ministren Nikolla, dhe ishte një takim i suksesshëm në lidhje me këtë problem. Ashtu siç edhe ne e kemi deklaruar më herët, ky ishte një kusht që maturantët i gjen të papërgatitur. Normalisht që udhëzimit të MAS iu bë interpretimi i duhur. Pra, maturantët që do të aplikojnë në programet e studimit Mjekësi e Përgjithshme, Stomatologji dhe Farmaci, të cilat janë programe të integruara të ciklit të dytë, nuk do u kërkohet mbrojtja e një prej 5 gjuhëve të huaja. Për këta studentë, mbrojtja e gjuhës së huaj u la të jetë kriter dalës, pasi nuk ishte e drejtë t’ua kërkonim që në ciklin e parë të studimeve bachelor. Mbrojtja e gjuhës së huaj do të kërkohet vetëm për aplikantët në studimet master, niveli B2.

Kjo ishte një marrëveshje vetëm për Universitetin e Mjekësisë, apo edhe për Universitetet e tjera që ofrojnë programe të integruara të ciklit të dytë, siç është Arkitektura?
Po, ky është një kusht për të gjitha programet e integruara të ciklit të dytë, që ofrohen në të gjitha universitetet jo vetëm tek Universiteti i Mjekësisë.

A janë miratuar kuotat e pranimit për vitin e ri akademik në 2016-2017 në Universitetin e Mjekësisë?
Po, kuotat janë miratuar dhe janë dërguar për miratim në Ministri të Arsimit. Edhe pse kuotat me ligjin e ri u lihet në dorë universiteteve, MAS ka për detyrë që të bëjë kontrollin dhe konfirmimin e duhur. Ne si UMT kemi propozuar kuotat tona, por ministria duhet t’i verifikojë, madje grupi i punës ka ardhur për verifikim, nëse ne i plotësojmë kushtet, ku përfshihen ambientet, stafi akademik, titujt akademike që duhet të kenë pedagogët etj.

Si është niveli i kuotave që ju keni propozuar në krahasim me vitin e shkuar? Ka rritje apo ulje të kuotave të pranimit?
Në të tria fakultetet e Universitetit të Mjekësisë ne kemi propozuar një ulje të lehtë të kuotave me rreth 4-5%. Kështu, për programin Mjekësi e Përgjithshme kemi një ulje të kuotave nga 240 që kanë qenë vjet në 230 kuota, pra janë ulur 10 kuota këtë vit. Edhe te Farmacia kemi ulje nga 90-80 kuota, ndërsa rritje të lehtë ka te programi i studimit Stomatologji.

Po ashtu, edhe në Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike ka reduktim të kuotave të Infermierisë dhe të programeve të tjera të studimit. Fakti se kemi reflektuar këtë lloj uljeje të kuotave të pranimit është bërë për të përmbushur kriteret e sipërpërmendura. Pasi nëse do kërkonim po aq kuota sa vjet apo më shumë se vitin e shkuar, do të na ishin kthyer mbrapsht për shkak të mosplotësimit të kritereve të sipërpërmendura dhe raportit të sipërfaqes së ambienteve me numrin e studentëve.

Profesor Gjata, takimi me ministren Nikolla kishte edhe pika të tjera, të cilat ju i diskutuat? Çfarë u vendos në lidhje me shpalljen e studentëve fitues për këtë vit akademik?
Udhëzimi u miratua dhe u përcaktua që përzgjedhjen e fituesve do ta bëjnë vetë universitetet. Ne do të na vijnë listat e maturantëve që do të aplikojnë me të gjitha të dhënat e tyre. Me tej, në bazë të kritereve që ka përcaktuar universiteti, do të bëhet edhe përzgjedhja e studentëve fitues.

Normalisht që çdo universitet duhet të krijojë një program elektronik për përzgjedhjen e fituesve, në mënyrë që të shmangen gabimet njerëzore në përllogaritjen e pikëve. Ajo që mund të them për UMT është se ne, unë si rektor, do t’i drejtohem Rrjetit të Akademikëve Shqiptar për të ndërtuar një program kompjuterik për përzgjedhjen e studentëve fitues në universitetin tonë.

Profesor, a nuk jeni pak vonë për të bërë një gjë të tillë? Në fillim u fol se AKP do bënte edhe përllogaritjen e pikëve të secilit aplikant, çfarë u bë me këtë gjë?
Vonë nuk jemi, pasi ende janë duke u hedhur të dhënat e të gjithë maturantëve në sistem. Universiteteve u është përcaktuar që për-zgjedhjen e fituesve ta bëjnë në fillim të shtatorit, 1-6 shtator përfundon procesi i përzgjedhjes së fituesve.

Sa i përket llogaritjes së pikëve, unë personalisht e kërkova që ta bënte AKP, por duke qenë se universitetet kanë kritere të ndryshme pranimi, Agjencia Kombëtare e Provimeve e kishte të pamundur që ta kryente këtë proces. Ne si Universitet Mjekësie ishim gati t’ia kalonim këtë kompetencë AKP-së, pasi kriteret tona të pranimit i kemi përcaktuar, ku kusht për aplikim është mesatarja mbi 8.5 për programet Mjekësi e Përgjithshme, Farmaci dhe Stomatologji dhe 8 për programet e infermierisë.

Tashmë na mbetet vetëm krijimi i programit elektronik, për të cilin do t’i drejtohemi Rrjetit të Akademikëve Shqiptarë për të lidhur një kontratë edhe kundrejt pagesës për përzgjedhjen e fituesve. Universiteti Mjekësisë për të tria fakultetet ka përcaktuar kritere të njëjta, kështu që nuk do ketë problem, pasi mjafton vetëm një program për përzgjedhjen e fituesve mes atyre që do të aplikojnë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: