Nga Sokol Drrasati
Hetimi i atyre që kishin shkruar kundër Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës, në vitin 1990 në rrethin e Shkodrës – IN MEMORIAM

Më 14 shkurt 1990, Dega e Punëve të Brendshme Shkodër, dërgon një raport për Drejtorinë e Parë të Sigurimit të Shtetit (Degës së 8-të), në lidhje me letrat me “përmbajtje armiqësore”.

Shqetësimi më i madh i Sigurimit ishte më së shumti për uljen e reputacionit të Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës. Për këtë arsye, ka nisur puna me çdo kusht për gjetjen e tyre.

Një urrejtje e madhe drejtohej mbi veprën e Enver Hoxhës, mbi pasuesin e tij Ramiz Alia dhe mbi Nexhmije Hoxhën. Kjo e fundit që mbante postin e kryetares së Frontit Demokratik të Shqipërisë, cilësohej si “Pantera e zezë”. Për brezin e ri që nuk di ç’ka qenë Fronti Demokratik, po themi disa fjalë.

Ishte një “organizatë” që udhëhiqej nga Partia e Punës (duke pasur brenda organizate masave, satelite të PPSH-së), si vijuese e Frontit Nacionalçlirimtar. Që prej vitit 1945, udhëhiqej nga sekretari i parë i PPSH-së, Enver Hoxha. Fronti paraqitej i vetëm në të gjitha zgjedhjet dhe gjithmonë “fitonte”.

Ramiz Alia, pasi zuri vendin e Enver Hoxhës së sekretar i parë i Komitetit Qendror të PPSh-së, postin e kryetarit të Frontit Demokratik të Shqipërisë, i’a dhuroi postin Nexhmije Hoxhës, më shumë për të rritur e përligjur pjesëmarrjen e saj, në jetën publike të vendit.

Pikërisht për shkak të aleancës së fortë që Alia kishte me Nexhmije Hoxhën dhe për shkak të besnikërisë së tij për të vazhduar në “rrugën e Enverit”, edhe urrejtja popullore ishte e fortë.

Edhe në rastet e tjera të trakteve të hedhura në qytete të tjera të vendit, “Pantera e zezë”, është e pranishme si e akuzuar, çka tregon më së miri se ajo urrehej në mbarë vendin.

MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME

DREJTORISË SË I-rë

Degës VIII

Tiranë

Lënda: Për autorët e nxitësit e shkrimeve dhe letrave anonime të zbuluara në muajt janar-shkurt 1990, në rrethin e Shkodrës

Gjatë muajit janar-shkurt të vitit në rrethin e Shkodrës janë zbuluar këta autorë dhe nxitës të shkrimeve dhe letrave anonime me përmbajtje armiqësore.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Aldo Hajro Perizi, i vitlindjes 1962, lindur dhe banues në Lagjen “Perlat Rexhepi”, Shkodër, me arsim të mesëm, me punë punëtor në ndërmarrjen Zukth-Kashtës, i padënuar, i pamartuar.

I nxitur nga Klaudio Daka, ka shkruajtur më datë 14.01.1990, 12 copë fletushka me këtë përmbajtje armiqësore: “Vdekje Ramiz Alisë”, “Vdekje Nexhmije Hoxhës”, “Poshtë Pushteti Popullor”, “Poshtë Partia”, “Poshtë KQ i PPSH”, “Poshtë Stalini”, “Jemi me Gorbaçovin”, “Jemi me Perestrojkën” etj., të cilat po këtë datë i ka hedhur në lagjen “Qemal Stafa” (prapa pastiçeri “Rinia”).

Këto fletushka me përmbajtje armiqësore, të shkruara nga Aldo Perizi, vërtetohen me aktin e ekspertimit grafik Nr. 23/1, datë 2.2.1990, deklaratë e Klaudio Dakës dhe të vetë Aldo Perizit. Aktualisht, Aldo Perizi ndiqet në përpunim aktiv, si autor i fletushkave armiqësore.

Klaudio Sandër Daka, i vit-lindjes 1968, lindur dhe banues në lagjen “Perlat Rexhepi” Shkodër, me arsim të mesëm, punëtor në Fabrikën e Duhan-Cigareve, i martuar, i padënuar.

Nga materialet që disponohen, del se me datën 14.01.1990, ka nxitur Aldo Perizin, për të shkruar në copa letrash parulla me këtë përmbajtje armiqësore: “Vdekje Ramiz Alisë”, “Vdekje Nexhmije Hoxhës”, “Poshtë Pushteti Popullor”, “Poshtë Partia”, “Poshtë K.Q. i PPSH”, “Poshtë Stalini”, “Jemi me Gorbaçovin”, “Jemi me Perestrojkën” etj, të cilat i ka marrë vetë Klaudio dhe së bashku me Aldo Perizin, po më datë 14.01.1990, ora 20.00, i ka hedhur në lagjen “Qemal Stafa” (prapa pastiçeri “Rinia”)

Klaudio, është i arrestuar për këtë aktivitet armiqësorë.

Klaudio Daka, implikon si nxitës në shkruajtjen e parullave armiqësore dajën e tij, Tonin Ndrek Demën, i vitlindjes 1960, me banim në qytetin e Shkodrës, me arsim të mesëm, i padënuar, i martuar.

Tonini ndiqet në përpunim aktiv për veprimtari armiqësore dhe po punohet për dokumentimin e aktivitetit të tij për t’u arrestuar.

Hans Julian Benusi, i vit-lindjes 1971, lindur dhe banues në lagjen “Daniel Matlia”, me arsim të mesëm jo të plotë, vazhdon vitin e dytë ‘Industriale’ pa shkëputje nga puna, me punë elektroaut në ndërmarrjen e Bonifikimit, i padënuar, i pamartuar.

Më datën 2.2.1990, Hans Benusi ka hedhur në Ndërmarrjen e Bonifikimit, një fletushkë me këtë përmbajtje armiqësore; “Poshtë Partia”, “Poshtë Familja Hoxha”, kjo vërtetohet me aktin e ekspertimit grafik nr. 29, datë 7.2.1990, si dhe nga deklaratat e Çesk Berishës dhe të vetë Hans Benusit.

Nga materialet që disponohen del se, Çesk Vasel Berisha, është i vit-lindjes….lindur dhe banues në fshatin Gruda e Re, me arsim të mesëm, me punë mekanik në ndërmarrjen e Bonifikimit, i padënuar, i pamartuar.

Ky është nxitës i Hans Benusit dhe që të dy ndiqen në përpunim si autor të letrave me përmbajtje armiqësore.

Ylvi Shefqet Dibra, i vit-lindjes 1927, lindur dhe banues në qytetin e Shkodrës, me arsim të mesëm, me profesion stomatolog, në pension, i martuar, është APPSH.

Më datën 13.02.1989 i ka shkruar një letër me përmbajtje armiqësore, Sekretarit të Parë të K.Q. të Partisë, ku ndër të tjera ka shkruar fjalë të ulëta denigruese, për anëtarin e Byrosë Politike që ka qenë sekretar i parë i Komitetit të Partisë së Rrethit të Shkodrës, duke shkruar: “Nuk e meriton që të jetë anëtar i Byrosë Politike.

Djalin e tij e ka dërguar në Francë për kurim, se i dhembte veshi, e shoqja nga Parisi solli një kone që e ushqen me bërxolla … ka dhënë urdhër që t’i ndërtohet shtëpia e re veteranit të Luftës…”!

Gjithashtu në letër ka shkruar edhe barsoleta me përmbajtje armiqësore. Në bazë të aktit të ekspertimit grafik, Nr. 8, datë 13.01.1990, është vërtetuar se këtë letër e ka shkruar Ylvi Dibra, dhe me miratim të sekretarit të parë të Komitetit të Partisë së rrethit, Ylvi Dibra do të thirret e pyetet.

Frederik Rrok Ejlli, i vit-lindjes 1978 (vjeç 12) lindur e banues në fshatin Juban të Shkodrës, nxënës në klasën e 5-të të shkollës 8 vjeçare Juban.

Më datën 22.01.1990, në fshatin Juban nga Frederik Ejlli, është hedhur një fletushkë me këtë përmbajtje armiqësore: “Poshtë Partia”, “Poshtë Ramiz Alia”. “Nëse s’ban, do t’a hekim komunizmin”.

Kjo fletushkë është vërtetuar që është shkruar dhe hedhur nga Frederik Ejlli, si nga akti i ekspertizës grafike, ashtu edhe nga vetë shpjegimet e tij, ku si nxitës në këtë veprimtari është i vëllai i tij, Nesti Rrok Ejlli, i vitlindjes 1971, me banim në Juban, me arsim 8 vjeçar, me punë në kooperativë.

Aktualisht po vazhdojnë veprimet operative për sqarimin e këtij problemi për të zbuluar nxitësin etj.

Disa nga traktet dhe parullat e hedhura në Shkodër në janar – shkurt 1990./Memorie.al/

-“Poshtë partia”

-“Poshtë socializmi”

-“Poshtë Enver Hoxha”

-“Liri demokraci”

-“Poshtë pushtetit popullor, rroftë kapitalizmi”.

-“Poshtë pantera e zezë”

-“Poshtë Enver Hitleri”

-“Poshtë komunizmi”

-“Poshtë Ramiz Alia”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb