Nga: IV KALOÇI*

Sot ekskluzivisht në “Gazeta Shqiptare”, për herë të parë po publikojmë të plota disa relacione sekrete të Drejtorisë së Zbulimit dhe të Komitetit të Partisë së rrethit të Tropojës, të përpiluara gjatë muajve qershor-shtator të vitit 1968, dërguar përkatësisht ish-ministrit të Jashtëm dhe më pas instruktorit në Komitetit Qendror të PPSH-së për Marrëdhëniet me Jashtë, Behar Shtyllës dhe vetë Sekretarit të KQ të PPSH-së, Hysni Kapos, lidhur me zhvillimet e vrullshme politiko-ekonomike dhe sociale në bllokun lindor, në vjeshtën e viti 1968. E stacionuar në ambientet e Ministrisë së Jashtme, Drejtoria e Zbulimit me Jashtë, e drejtuar nga Jonuz Mersini, në këto dy kabllograme dërguar Behar Shtyllës, tregon qartë disa informacione tepër të detajuara lidhur me zhvillimet e demonstratave në Pragë të Çekosllovakisë, si dhe paralelisht demonstratat e para që shpërthyen në Kosovë dhe në vise të tjera të shqiptarëve të ish-Jugosllavisë, në kërkesat e vazhdueshme për statusin e krahinës autonome me të drejta të plota. Gjithashtu, nëpërmjet burimeve operative të Sigurimit të Shtetit, të përqendruara në shtetet fqinje të Ballkanit dhe në ato të bllokut komunist të Europës Lindore, Mersini bën në dije Komitetin Qendror për të gjitha lëvizjet politike dhe diplomatike të qeverisë së Josip Broz Titos, e cila për të “parandaluar” një pushtim të mundshëm sovjetik të Jugosllavisë pas asaj të Pranverës së Pragës, do të mund të krijonte një pakt ballkanik antisovjetik së bashku me Rumaninë, Greqinë, Bullgarinë, Turqinë dhe më pas edhe Shqipërinë (si dhe ecurinë politike përkatëse të këtyre shteteve). Po e njëjta gjë do të vërehet edhe në materialin e dytë sekret të Sekretarit të Komitetit të Partisë të rrethit të Tropojës, Ali Krujës dërguar personalisht Hysni Kapos (ky i fundit ia ridërgon vetë ministrit të Mbrojtjes, Beqir Ballukut me rekomandimin për ta parë vetëm hierarkët e lartë të ushtrisë), lidhur me masat drastike të ndërmarra nga ushtria dhe sigurimi jugosllav, në kufirin me Shqipërinë dhe jo vetëm gjatë periudhës së pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë, si dhe përgatitjen nga ana e Forcave të Armatosura të Shqipërisë në kufirin verilindor. Viti 1968 do të sillte një tronditje të thellë në disa nga vendet komuniste të Europës Qendrore dhe Lindore përsa u përket zhvillimeve politike dhe sociale. Procesi i Pranverës së Pragës, ndërhyrja e Traktatit të Varshavës ushtarakisht në territorin çekosllovak, “shpallja e pavarësisë” së Rumanisë së Çausheskut nga tutela e Moskës, zhvillimi i demonstratave studentore në Prishtinë, por edhe në Sarajevë, Zagreb dhe Lubjanë për të kërkuar më shumë të drejta për autonomi dhe barazi kushtetuese nga Beogradi zyrtar, si dhe dalja e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës dhe KNER-i, do të trondiste thellë pozitat e komunizmit sovjetik në këto vende, çka do të shënonte edhe fillimin e fundit të regjimeve diktatoriale komuniste që do të shembeshin 22 vjet më pas me rënien e Murit të Berlinit.
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE
TEPER SEKRET
DREJTORIA E ZBULIMIT Ekzemplar. Nr. 1
Nr. 15
Tiranë, më 27/6/1968
NFORMACION
Nga burimet tona jashtë informohemi se:

Për Jugosllavinë
Një burimi ynë kompetent dhe i besueshëm në Maqedoni na informon sa më poshtë:
1. Në qarqet drejtuese të Republikës së Maqedonisë, komentohet e sigurt se lëvizja e studentëve në Jugosllavi u nxit dhe u organizua nga kundërshtarë të Titos, me kombësi serbe, që janë në udhëheqjen e federatës. Qëllimi i kësaj lëvizjeje ishte që të kompromentonte Titon dhe përkrahësit e tij, duke nxjerrë në pah dështimin e politikës së vetë-administrimit dhe reformave ekonomike dhe shoqërore. Ajo ka tronditur dhe preokupon edhe udhëheqjen e Republikës së Maqedonisë, sepse ka ashpërsuar kontradiktat nacionale brendapërbrenda republikës, midis maqedonasve, bullgarëve dhe shqiptarëve. Duke pasur frikë se mos kjo situatë shfrytëzohet nga serbët që banojnë në Maqedoni si dhe nga Bullgaria dhe RP e Shqipërisë, për të organizuar ndonjë lëvizje të brendshme, qeveria maqedonase ka marrë një sërë masash duke vënë në gatishmëri ushtrinë dhe revizionistët dhe duke forcuar kontrollin policor në të gjithë Republikën.
2. Lidhur me kontradiktat për çështjen maqedonase midis Jugosllavisë dhe Bullgarisë, kohët e fundit në organizatat bazë të Lidhjes Komuniste të Maqedonisë po punohet një letër sekrete, me të cilën kritikohen udhëheqësit bullgarë si shovinistë dhe kërkohet nga komunistët që të rrisin vigjilencën.
Jonuz Mersini: Maqedonasit po punojnë për liberalizimin e Jugosllavisë dhe Bullgarisë
Nga ana tjetër, në kuadrin e të gjithë veprimtarisë titiste në drejtim të vendeve revizioniste, udhëheqjes maqedonase i është ngarkuar detyra e veçantë nga ana e federatës për të punuar me njerëzit e saj në Bullgari, që edhe atje të krijohen mundësitë e një procesi “liberalizimi” dhe “demokratizimi” të tipit që po ndodh në Çekosllovaki. Dhe në këtë drejtim, maqedonasit me shumë kujdes dhe takt duhen të punojnë në drejtim të Bullgarisë. Sipas tyre, ky proces “liberalizimi” dhe “demokratizimi” në Bullgari është i domosdoshëm dhe për faktin se në këtë mënyrë do të shpëtojë dhe Maqedonia nga pretendimi i shovinistëve bullgarë.
3. Në mbledhjen e fundit të Shkup-shtinës Federale të Jugosllavisë, 8 deputetë kroatë paraqitën një propozim për dorëheqjen e qeverisë si përgjegjëse e vështirësive ekonomike që ka sjellë reforma. Shumica e deputetëve e kanë përkrahur këtë, por për arsye politike të opinionit publik ndërkombëtar, si dhe të situatës së brendshme kritike, kjo kërkesë u hodh poshtë. Në Jugosllavi kudo flitet se reforma e re dështoi, se janë futur në rrugë pa krye dhe se nuk ka asnjë perspektivë që të tregojë se si do të dilet nga kjo rrugë.

II Për Kosovën
1. Po i njëjti burim i provuar që thamë më sipër, na informoi gjithashtu se kërkesën për një autonomi më të plotë të krahinës së Kosovës, paraqitur nga komisioni për statut të kësaj krahine, që shoqërohet me një rritje të patriotizmit dhe kërkesave të po atij karakteri nga shqiptarët që jetojnë në Maqedoni, kanë shqetësuar udhëheqjen e Republikës së Maqedonisë. Ajo i trembet faktit se mos shqiptarët në Maqedoni do të kërkojnë bashkimin e viseve të tyre me Kosovën dhe parulla të këtij karakteri ka pasur deri tani nga dibranët dhe tetovasit? Prandaj ajo u është kundërvënë këtyre kërkesave të paraqitura zyrtarisht nga komisioni për statut i krahinës dhe i shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni dhe është duke marrë masa për t’u prerë hovin këtyre kërkesave. Nga sa informon burimi i mësipërm, ata janë duke marrë konkretisht këto masa:
– Kanë shtuar kontrollin dhe përpunimin e patriotëve shqiptarë në këtë republikë nëpërmjet UDB-së.
– Pengojnë indirekt aktivitetet artistike-kulturore të shqiptarëve, sidomos të grupit artistik “Xhemal Kada”, i cili me koncertet e tij si në Dibër, ashtu edhe në Kosovë, ka entuziazmuar popullsinë shqiptare.
– UDB-ja e Maqedonisë po përpiqet që me anë të kuadrove shqiptarë të kësaj republike të përpunojë kuadrot kryesorë të Kosovës dhe t’i përdorë materialet e nxjerra nga këto përpunime në kuadrin federal kundër këtyre kuadrove kosovarë.
– Përpiqen të kufizojnë kontaktet e kuadrove shqiptarë të Republikës së Maqedonisë me ata të Kosovës, duke i konsideruar këta të fundit si nacionalistë.
Dokumenti i Sigurimit: “Jugosllavët po përpiqen të përçajnë faktorin shqiptar”
– Do të kufizojnë aktivitetet që do të zhvillohen në kuadrin e 60-vjetorit të krijimit të alfabetit shqip, për të cilat janë penduar që i kanë lejuar, por tani e kanë të vështirë që ta anulojnë. Në këtë drejtim kanë përhapur fjalë se ndoshta këto aktivitete nuk do të priten mirë nga RPSH, sepse asaj i takon ta përkujtojë këtë përvjetor, etj.
– Do kufizojë në maksimum kontaktet e shqiptarëve që jetojnë në Jugosllavi me persona nga RPSH dhe do të tërhiqen nga propozimet e ndryshme që i kanë bërë deri tani vendit tonë për kontakte kulturore.
– Kanë aktivizuar shumë punën në radhët e shqiptarëve që jetojnë në Turqi, duke dërguar kuadro e agjentë të saj, duke u nisur nga fakti se ata janë nën influencën tonë dhe këtë influencë e shtrijnë në Maqedoni me anë të lidhjeve që kanë. Po lidhur me këtë, një burim tjetër na informon se Fadil Hoxha dhe Veli Deva, po insistojnë pranë qeverisë që të dërgohet si ambasador në Turqi, Asllan Fazllija, një krerë tjetër titistë kosovarë, e jo në një nga vendet arabe sikurse ishte parashikuar, me qëllim që të punojë më kosovarët, të kontrollojnë punën e përfaqësisë sonë dhe të realizojë kthimin e kosovarëve në Kosovë.
– Kohët e fundit, Komiteti Ekzekutiv i Lidhjes Komuniste të Maqedonisë, në një mbledhje të ngushtë të tij ka analizuar çështjen e shqiptarëve në Maqedoni. Duke arritur në konkluzionin se 1/3 e popullsisë së Maqedonisë përbëhet nga shqiptarë dhe se rritja natyrale e tyre është shumë e lartë, si rezultat i së cilës mbas disa vjetësh shqiptarët do të bëjnë gjysmën e popullsisë së Maqedonisë, është vendosur që në forma shumë të maskuara të nxisin largimin e shqiptarëve në Turqi dhe nga ana tjetër, të kthejnë sa më shumë maqedonas grekë, ish-pjesëtarë të LNCL që ndodhen në vendet revizioniste. Në këtë drejtim kanë filluar një fushatë në radhët e maqedonasve grekë në vendet revizioniste, duke premtuar menjëherë banesa dhe punë. Disa prej tyre edhe janë kthyer.
2. Punimet dhe vendimet e plenumit të 14 të Lidhjes Komuniste të Serbisë kanë ngjallur pakënaqësi dhe shqetësim nga masat kosovare, si dhe në vetë krerët tististë kosovarë dhe jugosllavë.
Mersini: “Ymer Pula dhe Mehmet Hoxha po u thonë shqiptarëve të bëhen të durueshëm”
Për këtë arsye, menjëherë mbas Plenumit për të evituar çdo ekzaltim të mëtejshëm të masave shqiptare, krerët kosovarë që janë me punë në Kosovë, si Ymer Pula dhe Mehmet Hoxha, të ardhur posaçërisht nga Beogradi, po marrin kontakte të shumta dhe të shpeshta me kosovarët, në të cilat ju flasin se duhet të tregohen të durueshëm, se kërkesat për një autonomi më të plotë nuk morën fund me diskutimin që ju bë në Plenumin e 14 të LK të Serbisë, se ato do të diskutohen në Kuvendin Federativ dhe Kongresin e 9-të të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë dhe se patjetër do të gjejnë zgjidhje pozitive, etj. Megjithëse në popull punimet e këtij Plenumi janë pritur negativisht dhe reagimet vijnë gjithmonë duke u shtuar nga masat shqiptare.
Po për të evituar atë çka u tha më sipër, me pretekstin se gjoja duan të tërheqin mendimin anëtarëve të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë në të gjithë Kosovën, po bëhen mbledhje të organizatave bazë të Lidhjes Komuniste, në të cilat u kërkohet anëtarëve të Partisë të japin mendime dhe të bëjnë propozime për “sigurimin e autonomisë së Kosovës dhe Vojvodinës” dhe janë krijuar komisione në shkallë krahine autonome, republike dhe federate për të dhënë mendime e për të bërë propozime përsa sipër, mendime që do të kalohen këto në fund në komisionet federative.
Për shkak të situatës së Kosovës, demonstratave të studentëve në e me qëllim presioni ndaj kosovarëve, kohët e fundit në Kosovë janë bërë lëvizje të forcave ushtarake nga thellësia e krahinës në drejtim të kufirit me vendin tonë. Repartet e Ferizajt, të pajisura me mjete të karrocuara dhe me topa të kalibrave të vegjël, janë dislokuar në afërsi të Pejës, Gjakovës dhe Grykës së Rugovës, duke bërë edhe punime xheniere. Po ashtu, kanë larguar ata kosovarë që kryejnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak në afërsi të kufirit me vendin tonë për në thellësi të Kosovës.
3. Reaksioni serb në Kosovë, i trembur nga gjallërimi i ndjenjave dhe veprimtarisë kombëtare në Kosovë, vazhdon të armatoset në mënyrë sekrete dhe deri diku të organizuar. Tipik është rasti i Trepçës, ku elementit serb që punon në këtë kombinat, i janë shpërndarë para një muaji dy kamionë me armë, të çuara në orët e vona të natës pa e marrë vesh kosovarët, në të njëjtën kohë, ata i porositën që të jenë në gatishmëri të plotë në çdo kohë për të mbrojtur vetën nga sulmet që mund të ndërmarrin elementët kosovarë. Për një armatosje të organizuar dëshmon edhe një e dhënë tjetër, sipas së cilit që para tri javësh, janë kapur midis Pejës dhe Lipjanit, dy kamionë me armë të reja të papërdorura, shumica e të cilave ishin pushkë, të destinuara për elementët shovinistë serbë, përkrahës të Rankoviçit. Para kësaj situate edhe kosovarët nuk janë duke qëndruar indiferentë. Ata kanë hedhur parullën “të shesim kopetë dhe të blejmë armë, për t’i pasur për çdo situatë” dhe janë duke u armatosur me armë të blera në Gjermaninë Perëndimore kontrabandë.
(vijon)
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: