TIRANË

Një situatë e qetë në dy spitalet COVID në Tiranë ku ka rënie të shtrimeve dhe urgjencave. Kështu raportoi nga spitali “Shefqet Ndroqi” gazetari Erjon Skëndaj, teksa tha se edhe mosha e pacientëve është mbi 50 vjeç.

“Në të dy spitalet ka një rënie të numrit të shtrimeve dhe urgjencave. Në spitalin infektiv ka një mesatare mes 2-3 shtrimeve në ditë. Daljet nga spitali janë më të mëdha në spitalin Infektiv ku urgjencat nga Tirana janë hequr, pra nuk çohen më në Infektiv. Në spitalin e sanatoriumit ku prej 15 shtatorit listohen dhe urgjencat nga Tirana, shkon nga 6-8 numri i urgjencave në ditë. Situata në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ është e qetë, 90 të shtruar. Nuk ka asnjë pacient poshtë moshës 50-vjeçare dhe rreth 80% e tyre janë të moshës mbi 60 vjeç”, raportoi për “BalkanWeb” Skëndaj.

Sipas informacioneve të siguruara nga komunikimi edhe me mjekët, ai tha se shumica e pacientëve po trajtohen në shtëpi me ilaçe që i marrin tek mjeku i familjes që shkojnë nga 100 deri në 300 mijë lekë.

“Po trajtohen në kushtet e shtëpisë dhe me oksigjeno terapi. Një grua nga Korça që kishte sjellë bashkëshortin në spital tha se e kishte trajtuar në shtëpi burrin për disa kohë me mjekim dhe oksigjen. Sipas saj mos oksigjenimi i duhur e ka rënduar situatën e bashkëshortit. Ky është dhe apeli i mjekëve që të mos qëndrojnë në shtëpi kur gjendja është e rënduar ose nëse saturimi bie poshtë 90% të oksigjenit”, tha Skëndaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb