Një qytetare e cila mori fjalën nga podiumi para Kryeministrisë gjatë protestës së 51-të, e cilësoi lëvizjen qytetare si “revolucionin e rinisë dhe Gjeneratës Z”, duke kërkuar largimin e klasës së vjetër politike nga skena.

Në fjalën e saj, ajo falënderoi qytetarët që, pavarësisht vështirësive personale dhe problemeve të përditshme, vijojnë të marrin pjesë në protestë dhe të kërkojnë ndryshim politik.

“Ky është revolucioni i rinisë, i Gjeneratës Z. Falënderoj të gjithë ata qytetarë që janë mbledhur këtu dhe e mbështesin këtë Gjeneratë Z. Ne kërkojmë dorëheqjen e qeverisë”, u shpreh ajo.

Protestuesja vlerësoi veçanërisht qytetarët që udhëtojnë nga rrethet, ata që lënë punën apo përballen me pasoja personale për t’iu bashkuar protestës.

“Falënderojmë ata që lënë punën dhe vijnë në protestë, ata që vijnë nga rrethet, ata që janë hequr nga puna dhe përsëri vijnë këtu për të protestuar”, tha ajo.

Më tej, qytetarja iu drejtua drejtpërdrejt kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke kërkuar që të dy të largohen nga drejtimi politik për t’i hapur rrugë brezit të ri.

“I drejtohem atyre të dyve në parlamentin shqiptar, Edi Rama dhe Sali Berisha: po sikur ju të bëni një hap mbrapa, asgjë nuk do të ndodhte. Jepeni dorëheqjen të dy. Rama jep dorëheqjen, Berisha bëj hap pas, liroje PD-në. Ka nevojë për brezin e ri”, deklaroi ajo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb