Vendi është përfshirë nga protesta masive, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Nëpërmjet një reagimi në Facebook, Luan Rama ka shprehur gjithashtu revoltën e tij. Një poezi që sjell më së miri, pasqyrimin e zhvillimeve të fundit, dhe ngre shqetësimet për keqqeverisjen në vend.

Reagimi;

Poezia e së dielës:

Ç’NDODH KËSHTU ME VENDIN TIM

Ç’m’u kujtove, Faik Beu,

Beu ynë nga Konica!

Ti i pari bëre pyetjen:

Ku i gjeti politika?

Ku i gjeti politika

këta telendarët tanë,

që me marrëzitë e tyre

po çudisin gjithë dynjanë?

– Çfarë të them unë, i shkreti?

Ç’pata për të thënë, e thashë.

Fjalën time, fjalë poeti,

nëpër libra jua lashë.

Jua lashë, po kujt ia thashë?

Një i gjatë, tjetri kokëtrashë,

si “Anadollak’ në mesallë”,

kuvendarë që bëjnë pallë!

Tunden, shkunden e përkunden,

flasin, po nuk dinë se ç’flasin;

mjerë, o popull, kë ke zgjedhur,

kuvendarë që pëllasin!

Flet e flet e s’ka të sosur

i pari i qeverisë,

përlyer e nakatosur

në dyert e drejtësisë!

Një pas një në burg i vanë

ata që vetë i ka zgjedhur;

pas shpine dardhat ia hanë,

zullumqarë e bishtpërdredhur!

Ndërsa zoti President,

që e ka emrin Bajram,

edhe kur i flasin shqip,

me shqiptarët kufje mban!

Ndaj, ç’të them për ditëzinë?

Më vjen keq për atë vend;

hall i madh për Shqipërinë:

kë i vunë President!

Hall i madh, sa s’ka më tjetër

– ç’ndodh kështu me vendin tim?

Mykur, opozitë e vjetër,

endet rrugëve pa shpëtim!

Ndaj, ç’më pyet, pse më lodh?

Lermë të prehem në trishtim.

– Shqipërisë ia bëtë nënën,

njëqind vjet që s’gjen shërim!

Luan Rama

Qershor, 2026.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: