Aleati i PD, Nard Ndoka, del në mbështetje të kryedemokratit Sali Berisha, teksa shkruan në “Facebook” se “non grata që po i bën ligjin parlamentit”, shoqëruar me foto të Berishës nga foltorja e Kuvendit.

Ndoka shkruan se “Sali Berisha nuk është zgjedhur deputet me votat e socialistëve, pavarësisht se ai pretendon se përfaqëson më shumë se elektoratin e djathtë, që e ka votëbesuar që ta përfaqësojë në parlament, në Kuvendin e Popullit”, duke shtuar se “Mënyra se si Berisha sulmohet, tregon një lloj paniku që nuk e fshehin socialistët”.

Postimi i Ndokës:

“Non Grata” që po i bën ligjin parlamentit!
Kryeministri, Edi Rama e quan Sali Berishën, fantazëm, të vdekur, e plot epitete të tilla denigruese. Kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla thotë se nuk do të njohim asnjë shkresë me firmën e tij, thua se Kuvendi i Shqipërisë është në sarajet e tija dhe se ligjvënësit e popullit janë skllevërit e kësaj tiranie.
Zv/Kryeministri, Arben Ahmetaj shton se ai e ka humbur të drejtën të jetë në Parlament. Perla te tilla të një arbitrariteti politik, i ka thënë e gjithë shpura e Edi Ramës. Dhe të gjithë fatmirësisht janë në një gjatësi vale me atin e tyre shpirtëror, Edi Rama.
Kjo jo për proamerikanizmin e madh të tyre, se sa për të vënë secili nga një tullë në këtë mur që ka pagëzuar Rama për të ndarë Berishën nga e drejta që atij i’a jep vota e zgjedhësve shqiptarë.
Këto kategorizime absurde politike, nuk kanë sens dhe logjikë, për sa kohë që ne ende nuk jemi kthyer në diktaturë, dhe ku vullneti i popullit përmes votës suprimon çdo inat politik dhe deklaratë kokëkrisur.
Çdo deputet i Kuvendit të Shqipërisë ka të drejta dhe detyrime dhe nuk ka asnjë urdhër politik, që ta ndryshojë këtë.
Në fund të fundit, Sali Berisha nuk është zgjedhur deputet me votat e socialistëve, pavarësisht se ai pretendon se përfaqëson më shumë se elektoratin e djathtë, që e ka votëbesuar që ta përfaqësojë në parlament, në Kuvendin e Popullit.
Mënyra se si Berisha sulmohet, tregon një lloj paniku që nuk e fshehin socialistët. Mobilizimi për ta sulmuar me të gjitha mjetet dhe mënyrat, Sali Berishën, nuk është për të ruajtur të paprekur statusin euroatlantik të Parlamentit, i cili gjendet i cenuar nga Non Grata i Departamentit Amerikan të Shtetit ndaj Berishës, se sa është për të hequr qafe në një mënyrë apo në një tjetër, një problem që vjen me Saliun.
Rikthimi i tij nuk ka prishur rehatin vetëm socialistëve, por të gjithë atyre që nën këtë mburojë e kanë shndërruar Shqipërinë në një vend të pabanueshëm nga shqiptarët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb