Kryetarja e Komisionit Institucional Zgjedhor, KIZ në Universitetin e Tiranës Majlinda Keta, në një lidhje të drejtpërdrejtë në “News 24” ka deklaruar se UT ka riskuar deri ditën e fundit e më në fund mbajti zgjedhje të brendshme.

Keta tha se rektori nuk ka treguar sjellje të mirë institucionale.

Dita e djeshme ka qenë dita përfundimtare. Ne kemi marrë të gjitha masat për të realizuar zgjedhjet, në mënyrë të qartë dhe të drejtë. Ne kemi riskuar deri ditën e fundit. Këto zgjedhje ishin detyrim ndaj Universitetit të Tiranës. Kemi marrë përgjegjësi në emër të Universitetit të Tiranës.

Rektori erdhi me një zhurmë të madhe dhe po iken jo në një mënyrë normale. MASR po kryen të gjitha procedurat, ndërsa iu jemi përmbajtur ligjeve e normave. Punët tona shikohen nga njerëz intelektualë, që kanë jetë publike, që kanë personalitetin e tyre. Di që edhe kolegët tanë në rrethe kanë shkuar shumë mirë”, tha Keta.

Majlinda Keta theksoi se Koni nuk pyet askënd dhe ka bërë që universiteti të drejtohet me një bajraktarizëm, që sipas saj, sjellje e tille nuk duhet lejuar më.

“Ne nuk jemi autoritete drejtuese. Ne kemi vendim kolegjial. Ne kemi qenë në vendimet tona koherent dhe në kohezion. Sa i përket pjesës që si do bëhet fushata, varet sa zgjat Covid-19. Unë di se ka një urdhër, që ne njëfarë mënyre e kemi zbatuar. Z. Koni në 4 vite nuk ka kryer ndonjëherë proces, që nga incidenti i tij në vitin 2016. Edhe në tetor ndoshta zgjedhjet mund të bëheshin, por mendoj se rektorët përfshirë edhe zotin Koni nuk kanë bërë presionin e duhur tek ministrja. Ne zakonisht vuajmë nga sindroma e njëshit.

“Koni nuk ka komunikuar fare me ne dhe vazhdon të bëjë luftë me akuza, që në fund të fundit ndikojnë në prestigjin e UT. Këtu janë në lojë UT, por jemi para syve të një publiku që na jep taksa. Cdo denigrim i UT, cdo prekje e demokracisë së brendshme të universitetit, është dëmtim i Universitetit të Tiranës, duke dëmtuar inteligjencën e vendit. Universiteti nuk drejtohet me bajraktarizëm. Ne jemi këtu për t’ju shërbyer studentëve. Në përcaktimin e fituesit, ka votë edhe studenti”, vlerësoi kryetarja e KIZ, Keta.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb