* Mandatet e Leskajt dhe Sulit, mblidhet sot Këshilli i Rregullores

TIRANË– Mbledhja e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve, për diskutimin për mandatin e deputetëve Valentina Leskaj dhe Rakip Suli, ka përfunduar pa marrëveshje. Shkak janë bërë debatet dhe mos dakordësitë lidhur me mënyrën e paraqitjes në Gjykatën Kushtetuese të kërkesave për mandatin e dy deputetëve.

Në përfundim të mbledhjes, deputeti demokrat Arben Ristani tha se mazhoranca po kërkon të gjejë makinacioneve për të mbrojtur dy deputetët.

“Mazhoranca e kapur ngushtë prej arrogancës së saj për shkak të moszbatimit të Kushtetutës dhe vendimeve te Gjykatës Kushtetuese kërkon të gjejë mjet shpëtimi nëpërmjet formulimeve evazive për dërgimin e cështjes në Gjykatën Kushtetuese.

Në fakt nuk është e rregullt ligjërisht dicka e tillë, duhet të shkojë po e njëjta në Gjykatën kushtetuese, shqyrtimi i kërkesës së deputetëve të PD të cilët kërkojnë që këtyre dy deputetëve për shkak të abuzimit me mandatin në përfitimin e fondeve publike, tu mbarojë mandati. Megjithatë është një diskutim që nuk u mbyll me një dakortësi sepse vendimi i mazhorancës është goxha evaziv. Përsa i përket PD, ne do ta vendosim në forumet tona për të marrë një qëndrim për seancën plenare.

Në Gjykatën Kushtetuese nuk mund të shkojnë kërkesa e zonjës Leskaj dhe e zotit Suli. Në Gjykatën Kushtetuese duhet të shkojë vendimi i Parlamentit, së bashku me kërkesën e deputetëve të PD, të cilët kërkojnë mbarimin e mandatit. Për të vendosur në raport me sjelljen e PD, në sencën parlamentare do të vendosin forumet. Do të ishte shumë e thjeshtë që kur u paraqit kërkesa në parlament, parlamentit të kishte vendosur ashtu sic është shprehur Gjykata Kushtetuese, që cështja ti shkojë Gjykatës Kushtetuese. Pra të mos përpiqen të gjejnë makinacione të fshehin deputetët nga shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese, aq më tepër që sot kemi një vendim të qartë të kësaj Gjykate sesi duhet të sillet Parlamenti në raste të tilla. Ndaj ne kemi vendosur sic e dini dhe ju një marëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin që ka të bëjë jo vetëm me zbatimin e vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por ka të bëjë dhe me amendamentin e ligjit për dekriminalizimin dhe me amendamentin e ligjit për komisionet hetimore parlamentare. Pra situara është pak më e komplikuar nga c’duket”, tha Ristani.

Deputetët socialistë, Valentina Leskaj dhe Rakip Suli, janë akuzuar nga opozita se kanë përfituar fonde publike në kushtet e konfliktit të interesit.

Pas shqyrtimit, të enjten Parlamenti do të votojë dhe projektvendimin përkatës, i cili do t’i hapë rrugën dërgimit për interpretim në Gjykatë Kushtetuese të mandatit të dy deputetëve. Disa javë më parë Kuvendi dërgoi në Kushtetuese mandatin e deputetit Koço Kokëdhima, i cili po ashtu akuzohej nga opozita se ka përfituar fonde publike në mënyrë të paligjshme.

Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, së bashku me miratimin e amendamenteve për ligjin e funksionimit te komisioneve hetimore dhe atyre në ligjin për dekriminalizimin, janë tre kushtet e vendosura nga Partia Demokratike për rivendosjen e normalitetit në marrëdhënien e saj me parlamentin.
(ed.me/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: