KORÇË

Ish-deputeti demokrat Arben Ristani, një prej mbështetësve të Sali Berishës deklaroi sot nga Korça se nesër anëtarët e PD-së do të votojnë për shkarkimin e Lulzim Bashës, duke iu bërë thirrje të gjithëve të vijnë në votim. Ristani tha se votimi do të bëhet në ambiente të përshtatshme dhe komode për anëtarësinë. Sa i përket atyre që iu janë marrë kartat që në muajin qershor, ai tha se të gjithë anëtarët njihen nga strukturat dhe duhet të votojnë.

Si paraqitet situata në Korçë por edhe në degët e tjera të PD pak orë para zhvillimit të referendumit?
Kuvendi i partisë demokratike i datës 11 futi mbas shumë kohës në statutin e PD dhe të drejtën e anëtarësisë për t’u shprehur me referendum e cila është një risi shumë e madhe për demokratizimin e PD.

Mbi bazën e vendimit po të kuvendit të datës 11 i cili shkarkoi kryetarin e Partisë Demokratike u vendos që ky shkarkim të ratifikohet në referendumin e datës 18 pra nesër dhe jemi sot në Korçë, kemi bërë gati bazën materiale dhe çdo gjë do jetë gati në 08:00 të mëngjesit për të gjithë demokratët e Korçës të cilët ftohen të vijnë për të votuar, ratifikuar vendimin e kuvendit të PD për shkarkimin e kryetarit Basha.

Thuhet se në pjesën më të madhe të degëve të PD përveç Kolonjës referendumi nuk do mbahet në selitë e PD por në ambiente të tjera private?
Përveç disa pengesave nga Lul Brava siç ka marrë emrin tashmë, disa njerëz të tij kanë ndërruar bravat edhe në selitë e PD, por gjithsesi nuk është kjo arsyeja kryesore, arsyeja është që ne duhet të krijojmë komoditet për atë ditë, për njerëzit që vijnë për të votuar si në Korçë që është zgjedhur salla e kinemasë edhe në qytete të tjera janë zgjedhur pallatet e kulturës apo ambiente të përshtatshme në mënyrë që votimi të bëhet sa më komod.

Anëtarë të PD të Korçës kanë bërë publike në rrjetet socialë që një pjesë e mirë e anëtarëve të PD u është marrë karta e anëtarësisë  prej muajit qershor dhe nuk është kthyer?
Edhe kjo është problem, se vërtet një pjese prej tyre u janë marrë kartat e anëtarësisë gjithsesi ne kemi listat dhe nga ana tjetër meqë është ftuar anëtarësia për të votuar anëtarët e njohin njeri-tjetrin, ne i njohim demokratët, aq më tepër që strukturat janë të gjitha të përfshira, në komision do jenë po njerëz të strukturave që i njohin demokratët prandaj do i ftoja të gjithë pavarësisht se mund t’u jetë marra karta e anëtarësisë, nesër janë të lutur të votojnë.

Prisni një proces të qetë?
Një proces absolut i qetë me një pjesëmarrje të madhe.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb