Rojet bregdetare italiane njoftuan sot se kishin shpëtuar 100 migrantë të rrezikuar në një barkë që po mbytej, përballë brigjeve të Libisë, ndërkohë që asnjë autoritet kompetent libian nuk kishte dashur të ndërhynte.

“Barka me motor të prishur u pa nga një avion në zonën libiane të kërkim-shpëtimit (SAR)”, sipas komunikatës së rojeve bregdetare.

“Autoriteti libian, përgjegjës për aktivitetet e kërkim shpëtimit në det nuk ka marrë përsipër koordinimin e operacioneve të shpëtimit në mungesë të mjeteve detare”, thekson komunikata.

Rojet bregdetare kanë informuar autoritetet malteze.

Ata kanë lajmëruar gjithashtu autoritetet e Gjibraltarit, një anije me flamurin e këtij territori që ndodhej në afërsi, si dhe autoritetet franceze për shkak të pranisë në zonë të një platforme nafte të kompanisë ”Total”.

Franca u përgjigj se asnjë anije me flamurin francez nuk ndodhej në këtë zonë në përgjegjësi të Libisë dhe duke parë heshtjen e vazhdueshme të autoriteteve malteze dhe Gjibraltarit, Roma mori përsipër koordinimin e operacioneve dhe dërgoi një anije për të shpëtuar refugjatët.

Këta të fundit, 84 persona, mes të cilëve gjashtë gra dhe dy fëmijë, u transferuan sot në anijen italiane që drejtohej tashmë drejt ishullit të Lampeduzës.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb