Ditët e para të javës që sapo nisëm do të jenë të ngrohta, me temperatura vere, por një gjë e tillë nuk do të ndodhë nga mesi i javës. Në një lidhje me “Skype” për News24, sinoptikania Lajda Porja theksoi se të mërkurën dhe të enjten do të ketë reshje shiu, shoqëruar me rrebeshe, në të gjithë territorin e vendit.

Siç u shpreh sinoptikania Porja, e enjtja do të sjellë edhe një rënie drastike temperaturash, ku nga 31 gradë celsius që janë tani, do të zbresin në 24-25 gradë celsius, raporton “BalkanWeb”.

“Temperaturat e larta kanë vijuar edhe gjatë ditës së sotme, edhe pse ka pasur vranësira. Temperaturat pritet të jenë deri në 31 gradë celsius, tipike këto temperatura për verën. Parashikohet që këto vlera termike të na shoqërojnë sot dhe nesër, ndërkohë që sonte gjatë natës pritet të kemi edhe zhvillim të vranësirave, që do të përfshijnë të gjithë territorin. Sot do të ketë reshje në zonat veriore, por rrezikohen edhe Elbasani e Tirana nga pikat e shiut, ndërsa nuk do të ketë reshje në jug. Të mërkurën e të enjten do të kemi reshje në të gjithë territorin, madje priten edhe rrebeshe. Edhe pse reshjet do të jenë të pranishëm, sasia e tyre parashikohet të jetë e ulët, deri në mesatare. Ende nuk i kemi ato ditët me shira të konsiderueshme. Ditën e enjte do të kemi rënie të menjëhershme të temperaturave. Do të kemi rënie në vlera ekstreme, ku nga 31 gradë, do të zbresin në 24-25 gradë celsius. Temperaturat e ulëta do të na shoqërojnë edhe në fundjave, duke bërë që tetori të nisë me temperatura të ulëta”, u shpreh sinoptikania Porja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb