Babai i Armando Sadikut, Durimi, në një rrëfim të sinqertë për “Panorama Sport” tregon për mundësinë e pajisjes me pasaportë bullgare të Armandos, i cili me golin ndaj Rumanisë u bë i pari dhe i vetmi futbollist që ka shënuar për Shqipërinë në një Europian. Durimi sqaron se kjo bëhet për lehtësirat e Armandos në karrierën si futbollist, sepse në të kaluarën i kanë ikur jo pak mundësi për të luajtur diku tjetër vetëm për këtë arsye se shihej si ekstrakomunitar. Më tej, ai pohon se prejardhja nuk është një çështje zgjedhjeje, ndaj nuk ka pse të paragjykohet nga asnjë për këtë çështje. Durimi rrëfen gjithashtu se edhe djali tjetër, i cili luan me Elbasanin aktualisht, po bën procedurat për t’u pajisur me këtë pasaportë, në mënyrë që ta ketë më të lirë në të ardhmen të luajë atje ku do.

Pse aplikoi Armando për pasaportë bullgare?
Në radhë të parë, kjo erdhi për shkak të lehtësirave që do të ketë në karrierën e tij si futbollist. Me pasaportën bullgare nuk do të jetë më një futbollist ekstrakomunitar gjë e cila e ka penguar jo pak deri më tani.

Si e ka penguar?
Po i ka humbur mundësitë për të luajtur në skuadra të tjera, si më parë edhe tani, pasi ekipet kërkonin futbollistë që nuk ishin ekstrakomunitarë. Madje, tani ka pasur mundësi për të shkuar te Peskara apo Palermo dhe për këtë arsye nuk shkoi dot.

Dakord, por çfarë lidhjeje keni me Bullgarinë?
Atëherë, për ta sqaruar këtë çështje. Gjyshërit e mi janë nga Bullgaria, ndërsa prindërit e mi kanë lindur në Trebishtë. Ndaj, prejardhja është nga ky vend.

E kishte diskutuar Armando këtë gjë edhe me ju më parë?
Sigurisht, madje edhe vite më parë kemi pasur biseda të tilla. Por, të jem i sinqertë, më parë edhe nuk i kishim këto mundësi për t’i ndjekur procedurat. Tani që i kemi mundësitë, po merremi me këtë çështje.

Përveç Armandos, kush tjetër nga familja ka aplikuar për pasaportën bullgare?
Jam unë, edhe djali tjetër, i cili gjithashtu është futbollist dhe luan me ekipin e Elbasanit. Edhe për atë bëhet mirë, në mënyrë që në të ardhmen të mos ketë më probleme si ektrakomunitar si futbollist.

Mendoni se mund të paragjykoheni për këtë fakt, duke qenë se Bullgaria nuk është një shtet si Gjermania apo Italia p.sh?
Absolutisht jo. Nuk e zgjedh dot njeri origjinën nga e ka, as unë dhe askush. Origjina nuk mohohet asnjëherë. Nuk është se ne kishim mundësi zgjedhjeje dhe zgjodhëm Bullgarinë, atë prejardhje kemi.

Mendoni se me këtë pasaportë Armando do të ketë më shumë mundësi në futboll?
Mendoj se po, duke qenë se në të kaluarën kemi pasur probleme për të shkuar në ekipe të tjera për këtë arsye.

Armando ju ka bërë ndonjë premtim si futbollist?
Armando ma thotë gjithnjë që, kudo që të luajë, do të japë 100% nga vetja e tij, në rang klubesh. Ndërsa për Kombëtaren jep gjithmonë më shumë se maksimumin e tij.

Ku do të donit ta shihnit djalin tuaj? Si çdo prind i dëshiroj më të mirën dhe sa më lart. Dëshira ime është që ta shoh në kampionatin italian apo gjerman. Nuk ka rëndësi skuadra, pasi për mua më mirë të luajë në një skuadër jo shumë të madhe, por të jetë në fushë, sesa në një ekip të madh dhe të qëndrojë në pankinë.

Po në lidhje me djalin tjetër, Sherin, mendoni se do të ecë në gjurmët e të vëllait?
Ai aktualisht luan me Elbasanin, pastaj me punë ta shohim deri ku do të arrijë. Ndoshta me pasaportën bullgare do të ketë më lehtësi për të shkuar jashtë në të ardhmen

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: