Në ikonografinë e derbit gjen me bollëk foto të numrave 10, duke filluar që nga i madh Xhani Rivera. Numrin e shenjtë e kanë mbajtur dhe mbuluar me lavdi edhe emra si Lidolm, Kapelo, Gulit, Papen, Saviçeviç, Boban, Rui Kosta dhe Sedorf. Pas holandezit, blasfemia u materializua kur 10-ta kaloi nga shpatullat e Boateng tek ato të Keisuke Hondës. Pas tyre, më në fund fanella në fjalë ka gjetur një pronar të denjë, i cili mezi pret ta lartësojë edhe më shumë, sidomos në një ndeshje si derbi, të cilën nuk e ka shijuar ende në Milan.

Bëhet fjalë për Çalhanoglunë, i cili me italishten e tij ende jo të përsosur në një intervistë për “La Repubblica”, ka pranuar se: “Mezi pres të luaj kundër Interit. Do të jetë një ndeshje ëndrrash, sidomos për mua që mungova në derbin e parë. E vërtetë që luajta atë të Kupës, por nuk isha titullar, ndaj këtë herë do të ketë krejt shije tjetër.”

Firma e dyfishtë për Trabzonsporin dhe Karlsruhen kur ishte ende minoren i kushtoi 6 muaj pezullim nga aktiviteti, një periudhë që Çalhanoglu e përshkruan kështu: “Ishte një makth të stërviteshe duke e ditur se nuk luaje dot. Kisha një përgatitës që Bajer Leverkuzeni ma kishte vënë në dispozicion dhe përfitova për t’u përmirësuar atletikisht, por në thelb unë jam futbollist dhe jetoj për fushën”.
Fillimi i tij te Milani nuk ishte nga më të bukurit. Problemet në Gjermani bënë që të kishte edhe një psikolog dhe një i tillë i nevojitej edhe te kuqezinjtë, sidomos mes problemeve të rendimentit dhe atyre gjuhësore. Fantazisti pranon se ka qarë shpesh dhe ka menduar të largohet nga Italia me Totenhemin si destinacionin më të mundshëm. Por në mes të këtij kaosi psikologjik, rezultatet e skuadrës bënë që të ndryshohej trajneri (Montela) dhe në rrugën e Çalhanoglusë të dilte Gatuzo. Për trajnerin e tij aktual, 23-vjeçari turk shprehet me italishten e tij të perfeksionuar nga kurset private në “Milanello”:

“Gjithçka ndryshoi kur Gatuzo u bë trajneri im. Është një lider i vërtetë për ekipin dhe unë e admiroja që kur luante ende futboll. Ai përmirësoi mënyrën tonë të lojës dhe mentalitetin e skuadrës, ndërsa për mua ka bërë gjëra të jashtëzakonshme”. Pas sfidës së fituar me turkun e Romës Ynder, kalendari rezervon derbin dhe një përballje të dyfishtë me patriotin Mesut Ozil, që luan tek Arsenali.
Për rivalin e “Djallit” në Ligën e Europës, Çalhanoglu tha: “Do të jetë e bukur të përballem edhe me të. Ky është momenti më fantastik i karrierës sime dhe i jetës sime, por më parë duhet të fitoj edhe derbin”. Komente pozitive, paraqitje dinjitoze dhe premisa për më shumë, është pikërisht ky numri 10, për të cilin kishte nevojë Milani. “Nuk keni parë asgjë akoma, është fenomen i asisteve, i goditjeve të dënimit. E ndjek prej pesë vitesh”, deklaronte i entuziazmuar vetëm tri ditë më parë Masimiliano Mirabelit. Ndoshta ka të drejtë, por numrat 10 legjitimohen në derbi…

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: