Kishim javë që kishim planifikuar këtë intervistë me Ndriçim Xhepën, por ai me modestinë e pashoqe që ka në llojin e tij dhe jo vetëm, pasi përdori gjithë arsyet, mbiarsyet, justifikimet dhe argumentat, për ta shtyrë sa më shumë të mundej u gjend pa alternativë tjetër në një ditë të bukur Maji. Ashtu sikundër një nga aktorët e tij të preferuar, – të cilin e quan çokollata e Holliwood-it, – Denzel Washington, ku në filmin “Flight”, në rolin e pilotit të alkoolizuar Whip Whitaker, teksa gjendej para trupit gjykues, për rënien e avionit që drejtonte, kur e ndante një fije peri nga mosdënimi, vendosi të tregonte të vërtetën. “Kisha thënë aq shumë gënjeshtra, sa nëse thosha edhe një tjetër do të isha rrëzuar!”. Duke thënë të vërtetën Whitaker shkoi në burg. Dhe humbi shumë. 5 vite jete dhe liçencën e pilotimit.

ndricimi

Në rastin tonë gjendja nuk është kaq dramatike. Çimi, siç e thërrasin miqtë, nuk ka humbur asgjë, përveçse vjen edhe me një eksperiencë të re, me një rol më shumë në BORDO.

Kjo indicie i jep një motiv për të folur, pasi ai nuk lufton të jetë në qendër të vëmendjes pa shkak. Këtë sfidë ai e ka kaluar që në vitet ’80, kur edhe pse ishte heroi, protagonisti i xhirimeve, ai nuk rreshtohej asnjëherë pranë regjisorit, skenaristit e kolegëve por e gjeje mes elektriçistëve, punëtorëve të skenës dhe njerëzve të thjeshtë. “Përpiqem t’ia ushqej edhe djalit tim këtë. Jo më larg se para dy ditësh kisha marrë djalin nga shkolla dhe në një copë të rrugës shoh dy pastruese, që kishin nga një copë bukë, po e hanin me një copë djathë të vogël, sa dukej sikur po e hanin thatë bukën. I fola tim biri dhe i them: babi shikoji se ka dhe njerëz që hanë kështu.

Kur u largova prej tyre kisha një dhimbje”! Sipas tij është shteti që duhet të veprojë dhe të ngrihen rrogat në këto lloj profesionesh, të cilat në botë paguhen jo keq përballë punës së vështirë që bëjnë! “Nga i gjithë ky realitet ndjej një neveri për politikanë dhe biznesmenë, që ka dhe të sajuar prej tyre, të cilët nuk kanë aspak ndjeshmëri”! Në fakt kjo lloj ndjeshmërie Xhepën e ka karakterizuar ngahera. Ai nuk ka rendur pas njerëzve me prestigj, nuk është treguar mendjemadh, arrogant ndaj më të vegjëlve, apo edhe atij brezi të ri, që ndoshta edhe nuk e njeh. Përkundrazi! “Unë kam pasur njohje dhe me punëtorë të thjeshtë, pijanecë, intelektualë, gazetarë, politikanë, kam pasur njohje kudo ku më ka çuar puna. Nuk kam përtuar dhe kam qëndruar me kënaqësi, kjo ndoshta më ka dhënë prekshmërinë e shumë natyrave. Më ka dhënë një plus për të dhënë tipa dhe karaktere nga më të ndryshmit që profesionit tonë i bëjnë mirë”, tregon Çimi.

Me siguri të qendruarit me të gjithë e ka bërë atë jo thjesht popullor, por të adhurueshëm nga të gjithë, edhe nga brezi që ai pretendon se nuk e njeh apo nuk sheh filmat e tij. Një i ri jo më shumë se 18 vjeç na e dëshmon këtë, kur teksa bisedojmë për BORDO na ndërpret dhe i kërkon një autograf gjithë emocion Ndriçim Xhepës!

20 kupa, tituj e çmime

Ndriçim Xhepa është si një bingo për artin shqiptar, një fat që e kemi. Fat më i madh për ne që u rritëm, u frymëzuam, jetuam dhe jetojmë me artin e tij dhe të! Ai është i vetmi artist fituesi i tre çmimeve “Kult” për shfaqjet, “Kapitulli i Dytë” i autorit Neil Simon, “Për një fjalë goje” i autores franceze Natali Sarrot dhe “Xhaxha Vanja” nga Çehov. “Imagjinoje të kishte pasur “Kult” dhe kur është luajtur Fernando Kraft e Tankred Dorst-it apo dhe Dorian Gray do ishin bërë 5 çmime “Kult”, sepse këto dy role asnjë s’i ka prodhuar. Edhe po të ishte juria e “Kult” ndërkombëtare nuk do të thoshte njeri që s’e meriton ai. Me Kraftin gjithsesi është marrë çmimi i parë në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrove”, tregon Xhepa, për të preferuarin Fernando Kraft, një nga personazhet më të skalitur të tij, e pa frikë mund të thuhet një nga personazhet më të suksesshëm të vetë Teatrit Shqiptar. Por ai, i madhi Ndriçim Xhepa, me tituj e role si askush tjetër, me kërkesa nga regjisorët si asnjë tjetër, nuk i thotë “Jo” as roleve që do ta shfaqin qoftë edhe në një skenë të vetme. A nuk ishte kështu pak muaj më para në “Familja Tot”! Ai shfaqet në një skenë jo më shumë se 10 minuta, një shfaqje e një regjisoreje të re Andia Xhunga, duke lënë mbresë tek publiku, edhe për këtë fakt!

Por veçori e Ndriçim Xhepës është dhe fakti se asnjëherë nuk ka pasur prioritet regjisorë me emër, nuk ka bërë teka, ka shkuar edhe tek mesatarët, nganjëherë edhe për shoqëri ka shkuar e ka pranuar edhe role të vogla. “E kam filluar punën me një regjisor modest siç është ai me filmin “Këshilltarët”. Nuk e kam filluar si disa të tjerë që kanë qenë të “përkëdhelur” me regjisorë të mëdhenj, por rritja ime ka ardhur gradualisht, i paprivilegjuar as si djali i Margaritës, por me një gjys koke të ulur siç mund të jetë një njeri, që ka mbi shpatulla dhe një emër të tillë, por që në harkun e 2, 3, 5 viteve duke i treguar të tjerëve me modesti për t’ia hequr vetes atë emërtim dhe për të mbërritur në emrin që sot është aty ku është”!

Një emër që shënon gati 20 kupa, tituj dhe çmime: dy medalje si Aktori më i mirë në festivalet e filmit, për filmin “Shokët” dhe “Duaje emrin tënd”, katër kupa në Festivalet e Filmit me rolet Toma në “Flutura në kabinën time”, Beni tek “Hije që mbeten pas”, Alush Beu tek “Dasma e Sakos”, Haruni tek “I dashur armik”; mandej me “Kapitulli i Dytë” dy çmime si aktori më i mirë, në Festivalin në Fier, si dhe në festivalin ndërkombëtar në Prishtinë, (ku mori çmim dhe aktorja më e mirë e Kosturicës, Mirjana Karanoviç), tre çmime Kult, titujt “Naim Frashëri i Klasit të parë”, “Artist i Merituar” (1989) “Mjeshtër i Madh” (2010) dhe së fundi “Simboli i Qytetit” që iu dha nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj këtë vit me rastin e 60-vjetorit të lindjes.

Të sfidosh mbiemrin
Tek jeta e çdo njeriu shpesh përpiqemi të kërkojmë pengje, megjithatë për një aktor që ka rreth 100 role në teatër dhe film, dhe dhjetra role të tjerë të refuzuar, apo lënë për arsye nga më të ndryshmet, pengu thuajse nuk ekziston.

Për Xhepën më prezente ka qenë sfida; përballë një emri të madh që mbante në supe, “paragjykimit” të zakonshëm kur je i biri i dikujt, por që falë punës së tij brenda një kohe të shkurtër ai gdhendi emrin e tij. Sot etalon i aktrimit. Frymëzues dhe një sfidë determinuese për breza të tërë që do të vijnë.

Jeta e tij vijoi mandej natyrshëm mes Akademisë së Arteve, ku pas përfundimit të studimeve erdhi një jetë po aq e dedikuar si pedagog, ku për gati 20 vite (dy vitet e fundit para ’90 dhe deri në 2007-ën) ka qenë pedagog i jashtëm.

“Pas vitit ’80 e këtej unë s’e di kush mund të ishte një aktor mashkull tjetër i realizuar në role dhe i refuzuar në role në masën time. Do ta kisha të vështirë të gjeja një të dytë. Kjo ka ardhur si pasojë e para e dhuntive dhe e dyta, një super pune të lodhshme në shesh xhirime, që po t’i mbledhësh muajt mund të bëhen 7 vite jetë në set të xhirimit dhe pafundësisht jetesë në skenë. Sot janë 45 role në teatër dhe 40 në filma”. Vetëm vitin e fundit ka realizuar role në filmin me regji nga Kushtrim Bekteshi “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar” dhe “Delegacioni” me regji nga Bujar Alimani, ndërsa hoqi dorë nga një projekt në Prishtinë.

“Kam qenë kaq i plotësuar si mundet të kem pengje?! Në gjithë këto punë jam begenisur në kuptimin e mirë të fjalës nga gati 90 përqind e regjisorëve të filmit dhe teatrit, me përjashtim të dy regjisorëve të filmit të cilët më kanë afruar role si Pirro Milkani apo Saimir Kumbaro, por nuk kam pasur mundësi të shkoj, sepse kam qenë me tjetër punë”.

Rolet e tij paraqesin një mori karakteresh, ku veçojnë ato të Tomës, apo Benit, djalit të pabindur tek “Hijet që mbeten pas”, megjithatë ai në jetën reale ngjan fare pak ose aspak me ta. “Nuk e fus veten në tipat problematikë, me bëma të çuditshme jashtë normave. Por kam bërë një jetë të ngjyrshme me një lloj koloristike, jo monotone. Kam pasur shoqëri të shumtë dhe të kategorive të ndryshme. Nuk më ka ardhur turp nga njerëz të shtresës që i quajnë dhe të parëndësishëm dhe të këputur të filmit, por për atë lloj shtrese më krijohet një lloj dhimbje”!.

Teatri vs kinema… Të preferuarit dhe brezi i ri

“Unë jam i mendimit se aktori është njësoj si në film dhe në teatër. Kur je në skenë përballë ke 300, 400, 500 apo 700 veta, por ti me nuhatjen tënde si aktor duhet të ndjesh se si kësaj salle ti përvishesh artistikisht brenda nocioneve realiste, brenda peshës si aktor, vokalit potent që gjithçka të shkojë në mënyrë realiste deri tek radha e fundit, mos të humbi marrëdhënia me partnerin dhe forca e frazës, forca vokale, potenca; në këtë fjalë rrumbullakoset puna! Po kjo potencë duhet të vijë dhe nëpërmjet kamerës. Unë kam parë Al Paçinon në Amerikë duke luajtur teatër “Rikardi i tretë”, ndihej që ishte teatër dhe nuk i ndjeheshin elementë patetikë”. Al Paçino është një muzë për gjithë botën e aktrimit, megjithatë Xhepa ynë jep disa mendime për të preferuarit e tij. “Është një mori jo një e dy apo tre. Kemi si Marlon Brando, që është gjigand, që vijnë njëherë në 200 vjet në rruzull me shijet interpretative që kishte ai si aktor.
Ke De Niro, Al Pacino, Jack Nikolson, Jean Hakman, Antony Hopkins i jashtëzakonshëm, por ke një gjeneratë më pas si Daniel De Luis rreth të 60-tave në një moshë me mua, i jashtëzakonshëm, Havier Barden që është i jashtëzakonshëm. Mund të veçosh tjetër Rain Gostin nga të rinjtë interesantë, por ke dhe pjesëtarin e Akademisë Oscar Tom Hanks. Te femrat kemi Meryl Streep që nga ana aktoriale është e paarritshme, si në dramë apo dhe komedi. Por kemi dhe aktore si Angelina Jolie dhe Julia Roberts që ka role me emocione dhe i përcjell shumë fine, kemi aktore si Halle Berry. Dhe po e përmbyll tek gjenerata e sotme që është tamam si çokollatë Denzel Washington, të cilit jo më vonë se mbrëmë i pashë filmin që ishte vetë regjisor, por dhe kishte rol dhe ishte i nominuar për Oscar, ndërsa aktorja që luante gruan në film partnerja e tij Viola Devis mori Oscar për rol të dytë”, mbyll opinionin për të preferuarit e tij botërorë Çim Xhepa.

Teksa i hedh sytë në oborrin shqiptar, mes aktorëve tanë, Çimi nuk e sheh realitetin as gri e as të zi! “Padyshim që ka të rinj të talentuar. Nuk janë me dyzina, por me kokrra. Por dhe në vitet ‘80-‘90 nuk kishte me dhjetra të rinj e të reja. Edhe këtë 15 vjeçarin e fundit mund të jenë disa djem dhe vajza, që janë me punë, në role interesante në skenë dhe në film. Por dhe të tjerë dyzina që nga mungesa e punës dhe rënies së prodhimit të filmit kanë mundësi të pakta për të qenë prezentë për të marrë role të para apo të dyta në film sikundër dhe teatrot vuajnë mjerisht nga buxhetet dhe sallat e teatrit që të rinjtë dhe të rejat të kenë mundësi të lançohen më shumë.

Megjithatë të metën e aktorëve sot e sheh tek fakti se punohet shumë pak. “Gjërat merren dhe gërmohen në mënyrë sipërfaqësore; që në mjeshtërinë e aktorit dhe lëndën e të folurit skenik.Ndaj unë ndjej mungesë përgatitjesh në të folur dhe përgatitjen plastiko-shpirtërore të studentëve! Ndoshta vjen dhe nga puna pedagogjike, që siç ka vërtet pedagogë cilësorë veteranë dhe ata që janë 40 vjeç që janë me eksperiencë, por ka dhe marrje njerëzish në pozicione pedagogësh si në degën e regjisë, filmit, etj, njerëz që s’i kanë thënë as mirëmëngjes apo natën e mirë skenës dhe ekranit. Vende që merren me alliverishe, miqësira dhe ata ju japin mësim të rinjve, që prindërit i kanë sjellë për të mësuar në shkollë”!

Në Set me “Delegacionin”
Prag Pranvera e gjeti buzë Vjosës, në një nga qytetet më të buta të këtij vendi, por me një klimë jo të tillë, siç është Përmeti. Xhiroi filmin e fundit “Delegacioni”, i bërë mediatik, si një testament i regjisorit dhe skenaristit Artan Minarolli, “i cili do ta xhironte vetë, por fatkeqësisht u nda nga jeta aq i ri dhe mbeti pezull për disa kohë. Ai sapo pati dalë si drejtor nga QKK dhe donte të xhironte”!, tregon Xhepa, i cili ka qenë në bordin e QKK-së, kur u bë përzgjedhja e filmit. Më tej edhe i zgjedhur nga vetë Minarolli për të qenë pjesë e filmit. Pas disa kohësh pauzë familja e regjisorit të ndjerë vendosi, që regjisor i filmit të ishte Bujar Alimani. “Janë tre role kryesore, është Viktor Zhusti me rol kryesor të Leos, polici Alushi, që interpretohet nga Xhevdet Ferri dhe roli im shoku Spiro. Ngjarjet e filmit zhvillohen në vitet ’90 kur fillojnë dhe vinin delegacionet nga Europa. Shefi i një X delegacioni për të drejtat e njeriut që quhej Loheren dhe ka qëlluar rastësi që ka qenë mik me të burgosurin politik Leo, kur vjen në Tiranë do ta takojë. Shteti i asaj kohe bie në dijeni për këtë dhe marrin të burgosurin politik dhe e bëjnë gati që ta sjellin në Tiranë në shtëpinë e tij që ai do ta takojë”. Këtu nis gjithë ngjarja e filmit që zhvillohet brenda disa orësh. Gjithë ngjarjet zhvillohen në pak orë të udhëtimt nga burgui i largët për në Tiranë. “Është një film autor, i gjithi është në një linjë. Por do të ketë surprizën e tij se si do të mbahet filmi në ritëm dhe gjendje. Karaktere të dyta në këtë film janë dhe Kasem Hoxha dhe Rovena Lule, por ka dhe aktorë të tjerë nga Kosova.

E ardhmja… Frikë…
Pasiguri apo…

Teksa shëndeti e ka sfiduar jo pak herë, frika nga vdekja për të është si per gjithsecilin nga ne. “Një temë që gjithsekujt mund t’i lëvizë në kokë. Njeriu është një krijesë, që do të jetojë”, thotë ai.

E kur tiktaku shënoi të 60-tat, dhe urimet tradicionale i thoshin u bëfsh 100 vjeç, Çimi nuk është nga ata që nxjerr bllokun e të merret me shifra. “Absolutisht nuk kërkoj llogari, sepse nëse e bëj këtë i bie që njeriu ta shikojë jetën si buxhet ndërmarrje. Nuk e shikoj fare në atë formë. Mund të them që ka tashmë disa dhjetëvjeçarë që ka pasur një vijueshmëri sipas disa parametrave normalë dhe të këndshëm, sepse dhe rinia ka ecur në këndshmëritë e saj. Unë hyj tek ata të rinj dhe qytetarë të Tiranës që kanë bërë jetë sipas vlerave dhe kënaqësive, që kishte ajo kohë. M’u plotësua një dëshirë, që nuk ishte imponim i prindërve, por qe një ngacmim i imi pas mesit të gjimnazit që u konkludua me punën përgatitore për në Akademinë e Arteve dhe me mënyrën e të punuarit dhe me të tjerë jo me time më, që kisha çdo ditë në shtëpi”.

Ndricim Xhepa

E vetmja pasiguri që ndjen është koha që ka përballë pikës së tij të dobët, Martinit. “Nuk do ta quaj trembje se sa një lloj keqardhje nëse nuk do të kisha dhe disa vite të mira me detyrën kryesore dhe ndjesinë, që djalin ta çoj në një moshë që të bëhet i vetëdijshëm në të gjitha drejtimet dhe të jetë i përcaktuar se çfarë drejtimi mori në jetë. Të kem kënaqësinë ta shikoj në një profesion që ai do të ishte i kënaqur!”

Ndoshta aktrimi? Një tjetër Xhepa?! “Ai ka disa elementë, që rrahin tek çështja e këtij profesioni, por unë e them me sinqeritet që brenda artit që investohet dhe paguhet në këtë vend, edhe pse si individ jam në kuotat më të larta, – nuk e shikoj në nivelin që të marrin pagesë djerse që të jetojnë mirë, jo shkëlqyeshëm. Ne jetojmë normal bashkë me bashkëshorten time dhe tim bir Martinin. Por duke parë të përgjithshmen se si po vlerësohet arti, ndoshta për këtë arsye nuk e shikoj shumë të dëshirshme në veten time, që ai të jetë në këtë zanat. Por do të kalojnë dhe nja 4-5 vjet për t’i kuptuar dëshirat dhe më mirë. Por brenda meje, me sinqeritetin më të madh nuk kam dëshirë të merrte rrugën time’! /Bordo/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: