Flasin për herë të parë gjashtë fëmijët e Ardjana Shahollit, 40-vjeçares që u vra nga bashkëshorti i saj pak ditë më parë në Durrës.

Në shtëpinë ku ka pllakosur mjerimi, djali 18-vjeçar dhe vajza 15-vjeçare janë kthyer në prindër të dytë për më të vegjlit. Mes lotëve ata thonë se do ecin në rrugën që u mësoi e ëma, ndërsa për të atin thonë pak fjalë.

Gjithçka është krejt ndryshe nga më përpara. Mungon kreu i shtëpisë. Mungon mamaja jonë. Tani jam unë e vëllai që do mbajmë 4 më të vegjlit. Duam ndihmë t’ia dalim mbanë. Dua të ndjek rrugën e asaj, rrugën e mamit. Ajo ka vuajtur jashtë mase. Ajo na la, vdiq vetëm për ne. Ka qenë bota për ne. Edhe bukën qe e hante na priste ne, nuk e hante pa ne. Ka qenë mbështetja jonë më e madhe. Më mungon jashtë mase, ishte motra ime, bota ime, atje hapesha për gjithçka. Kisha shumë ëndrra, të punoja, të dilja jashtë, të sillja të ardhura, por tani ëndrra ime më e madhe është që motrat dhe vëllai të ecim përpara, tja dalin mbanë, për vete, gjithçka më duket e kot. Unë, vëllai dhe motra e dytë jemi në punë, tani detyrohemi akoma më shumë të mbajmë katër fëmijë, duhet të kem më shumë forcë tani që jam kreu i shtëpisë bashkë me vëllanë, duam ndihmë, sa të rregullohemi, se pastaj, do jemi të fortë, do punojmë”, shprehet vajza më e madhe e shtëpisë për “Fundjavë Ndryshe” që iu është gjendur pranë në këto momente.

Por ndërsa babai vrasës është në burg, barra e shtëpisë i bie djalit 18-vjeçar të familjes. Ai kujton se i ati iu bërtiste e pinte gjithë kohës pa punuar asnjë ditë.

Unë punoja, babai ishte pijanec, nuk bënte asgjë, bërtiste, motrave, mamasë, nuk merrte mundimin për të bërë as gjënë më të vogël. Punonte nëna dhe ne… Na ndihmoni për të ndërtuar shtëpinë, si e shikoni është në gjendje të mjerueshme”, tregon ai.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb