NGA FATMIR POPJA

ELBASAN-
Dy lagje të fshatit Cërunjë, Njësia Administrative Funar, Bashkia Elbasan janë izoluar nga rrëshqitjet masive të tokës, të cilat kanë nisur shumë vite më parë, por tashmë situata është bërë emergjente pasi rrezikohen seriozisht banesat dhe jetët e njerëzve.

Kryetari i Grupit Parlamentar Taulant Balla së bashku me Kryetarin e Bashkisë së Elbasanit, Kryetarin e Këshillit të Qarkut dhe të tjerë drejtues lokalë verifikuan në vend situatën dhe u bënë thirrje banorëve për evakuim të menjëhershëm, ndërkohë që Shërbimi Gjeologjik do të bëjë edhe konstatimet e tij të mëtejshme për të dhënë një gjykim më të specilizuar.

“Bashkë me kryetarin kemi verifikuar gjithë dokumentacionin dhe rezulton se në vitin 2002-2003 kur ka ndodhur rrëshqitja është bërë një kompensim nga ana e qeverisë sipas çmimeve të kompensimit të asaj kohe. Ndërkohë që rrëshqitja e re ka shkaktuar dëmtime edhe në banesa të tjera që nuk kanë qenë pjesë e verifikimit dhe akt konstatimeve në dokumentacionet e asaj kohe.

Menjëherë do të fillojë procesi i verifikimit të ri për ata që nuk kanë qenë pjesë e procesit të parë, me qëllim që t’u gjendemi pranë të gjitha familjeve.

Unë do t’u bëja thirrje të gjithëve që kjo zonë duhet evakuuar menjëherë sepse ashtu siç e konstatojmë të gjithë nga momenti në moment pritet që rrëshqitja të vazhdojë. Kështu që, për ne më e rëndësishmja se gjithçka tjetër janë jetët njerëzore për të cilët duhet të biem të gjithë dakord që të evakuoheni.

Masat do të merren nga Emergjencat Civile me qëllim që të kemi mundësi që të spostoheni diku tjetër, qoftë përmes çadrave apo banesave me qira, me qëllim që të kemi mundësi të garantojmë jetën në radhë të parë dhe së dyti plotësimin e të gjithë dokumentacionit për të gjithë ata që nuk kanë qenë dëmshpërblyer ndonjëherë”, thuhet nga Shërbimi Gjeologjik.

Edhe kryetari i Bashkisë, Sejdini bëri thirrje për largim të menjëhershëm të banorëve të rrezikuar ndërkohë që i gjithë dokumentacioni për dëmshpërblim është plotësuar.

“Ne e njohim gjendjen, unë e njoh që në vitin 2002 sepse kam qenë prefekt në atë periudhë dhe atëherë për herë të parë, 28 familje kanë marrë dëmshpërblim. Kemi bërë përgatitjen e dokumenteve për pjesën tjetër që kanë mbetur, por unë vetëm ju bëj një thirrje që duhet të ikni nga këtu”, tha Sejdini.

Banorët gjithashtu kanë kërkuar ndihmë për t’u strehuar në pamundësi të një zgjidhje tjetër përballë një fenomeni natyror i cili ka nisur 20 vite më parë dhe tashmë ka marrë përmasa masive.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb