Merce Puige Ribot ishte një qytetare e zakonshme spanjolle, deri ditën që fitoi kurajën dhe u paraqit në stacionin më të afërt të policisë në Puigcerda, një komunë e vogël me vetëm 9 mijë banorë në provincën e Gironas, në Katalonia; aty ku denoncoi zhvatjen e një shume të madhe parash që i ishte bërë kohë pas kohe.

Emisioni “Në Shënjestër” në News24 ka sjellë sot rastin e saj, një grabitje që la të shokuar edhe vetë agjentët në rajonin e vogël policor.

Ajo tregonte se si vjedhja nuk ishte kryer nga një bandë hajdutësh që sulmuan beftas një mbrëmje kasafortën e banesës së saj, por nga një organizatë e sofistikuar kriminale, e cila në vend të maskave dhe kaçavidave kishte përdorur mashtrimin telefonik dhe një palë kufje, për t’i marrë jo pak, por fillimisht 560 mijë euro.

Para të cilat ishin sipas saj shpenzimet e një jete të tërë; llogaria e së cilës ishte zeruar në pak vite, nga mashtrues të cilët ajo më pas zbuloi se fshiheshin pas platformave software që aktivitetin e tyre kriminal e zhvillonin në një vend të vogël, të Europës, shumë larg Spanjës së saj, deri në atë moment të panjohur për të, të quajtur Shqipëri.

Bëhej fjalë për platformat e njohura si Call Center, një punë gati e përgjithshme në Shqipëri, ku janë të punësuar mijëra të rinj të cilët pavarësisht se kanë përfunduar studimet në disiplina të ndryshme universitare, kanë zgjedhur të punojnë në këto platforma, të joshur edhe nga fitimi i kënaqshëm mbi rrogën mesatare të tregut në Shqipëri.

Megjithatë kjo platformë i ka shkatërruar jetën zonjës Ribot, referuar fjalëve të saj para hetuesve.

“Merce Puigot Ribot u paraqit fillimisht në stacionin e policisë në qytezën e Puigcerdas në rajonin e Katalonjës, në veri të Spanjës, për të kryer një denoncim ndaj një kompanie investimesh në bursë, pasi sipas saj kishte rënë pre e mashtrimit. Ajo i tha hetuesve se një investim fillestar prej 250 eurosh nëpërmjet kompanisë ‘Universe Markets’ ishte fryrë në një humbje, që i kishte kushtuar më shumë se 560 mijë euro”, thuhen në dosjen hetimore të autoriteteve spanjolle.

Por ky nuk do të ishte mashtrimi i parë dhe i vetëm ku zonja Ribot do të binte.
Pasi i zhvati qindra mijëra euro, kompania ‘Univers Market’ nuk do ta ndalte këtu grabitjen ndaj “viktimës së tyre të preferuar”.

Kjo kompani do ta përndiqte deri në fund zonjën Ribot, duke krijuar këtë herë një skemë tjetër peshkimi ku futej në lojë një studio ligjore, e cila merrte angazhimin se do t’i kthente paratë e humbura zonjës Ribot.

Studio ligjore, që në fakt pas saj nuk fshihej askush tjetër përveçse kompanisë ‘Univers Market’, e njëjta që i kishte grabitur 560 mijë euro, e bindi edhe njëherë zonjën Ribot, t’i jepte asistencë ligjore dhe i grabiti kësaj të fundit edhe 290 mijë euro të tjera nga llogaria.

Pra, në total brenda katër viteve, e njëjta shoqëri, i zhvati jo pak por 850 mijë euro shtetases spanjolle, derisa Merce Puigot Ribot (Merse Pig Ribot) u paraqit edhe njëherë në stacionin policor të Puigcerdas (Puhiserdas).

“Katër vite më vonë, më 22 prill 2022, Ribot u shfaq përsëri para hetuesve duke deklaruar se këtë herë kishte humbur edhe 291 mijë euro të tjera, pasi ishte kontaktuar nga një studio e pretenduar ligjore, e cila ishte në dijeni të mashtrimit të parë dhe kishte premtuar që t’i rikuperonte paratë”, thuhet në dosjen e autoriteteve spanjolle.

Në bazë të hetimeve të kryera nga prokuroria spanjolle, skema në të cilën zonja Ribot, kishte rënë pre e mashtrimit, ishte një karrem i zakonshëm të cilin e përdornin të tilla kompani, të dedikuara sipas tyre në tregun e bursave.

Skemë e cila fillonte me investimin e një shume modeste parash, në rastin e zonjës Ribot, prej vetëm 250 eurosh, madje duke i instaluar edhe një platformë, me qëllim që të shikojë ecurinë e përfitimit, që supozohej se do të merrte, kjo sa për të fituar besimin e klientëve.

Fitim që jo vetëm nuk erdhi kurrë, por në dëshpërimin për të rikuperuar paratë e humbura, viktimat investuan edhe para të tjera që kishin në llogarinë bankare, deri në momentin që prekën fundin.

“Merce Pigout Ribot ka shpjeguar se pasi humbi 560 mijë euro, u kontaktua nga një studio e supozuar ligjore, e cila ishte në dijeni të mashtrimit ku ajo kishte qenë viktimë.

Kjo në fakt është një praktikë e zakonshme e organizatës kriminale. Pas një farë kohe, ata kontaktojnë sërish viktimat e shumave të mëdha me qëllim qe t’u ofrojnë shërbime ligjore për të rikuperuar paratë e mashtruara. E gjithë kjo është pjesë e të njëjtit mashtrim dhe kryhet nga e njëjta organizatë”, thuhet në dosje.

Por Merce Pigout Ribot (Merse Pig Ribot), nuk ishte shtetasja e vetme spanjolle e grabitur në këtë formë.

Shumë të tjerë u paraqitën në rajone të ndryshme policore të Spanjës, duke deklaruar shuma të mëdha parash të humbura si pasojë e mashtrimit që vinte nga këto Call Center, të instaluar në Shqipëri, një situatë që vuri në alarm policinë spanjolle, e cila i referoi rastet në prokurori.

Organi i akuzës në Spanjë që nisi një hetim të gjerë, për të parë se kush fshihej, pasi këtij megamashtrimi.

“Më datë 29 Shtator 2020, shtetasja Eva Odenas Rojas u paraqit në stacionin policor të Vielha, ku bëri një denoncim ndaj kompanisë Terrafinance, e cila sipas saj e kishte mashtruar për një shumë totale prej 164 mijë euro.

Po në të njëjtën ditë, zonja Odenas mori një telefonatë nga një operator i dyshuar i Microsoft, i cili e informoi atë se mund të pësonte një sulm kompjuterik dhe se duhej të lidhej me kompjuterin e saj në mënyrë që operatori të mund te lidhej me të nëpërmjet telekomandës”, thuhet në dosjen spanjolle.

Krahas zonjës Ribot dhe Rohas, në Policinë spanjolle denoncoi po ashtu, edhe zoti Ricardo Mestre, i cili më datë 14 Mars 2019, raportoi se ka pësuar një humbje prej 6500 euro në investimin e produkteve financiare nëpërmjet platformës universemarkets.

Më herët Aniceto Rasi më 20 shkurt 2019, deklaroi se ka pësuar një mashtrim prej 47 800 euro.
Një tjetër shtetas ishte Jose Atares, i cili më 5 gusht 2019, raporton se ka pësuar një mashtrim prej 132 000 euro.

Denoncuesit vendosën në dispozicion të policisë platformat dhe numrat e telefonit përmes të cilëve ishin kontaktuar.
Ishte këto denoncime dhe ky hetim që çuan prokurorinë spanjolle në mendimin se kishin të bënin me një organizate kriminale, nga ku u arrit që nëpërmjet gjurmimit të IP-ve, adresave të protokollit të internetit, të lokalizonin vendndodhjen e call center-ave mashtrues.
Midis tyre edhe të IP-ve të kompanisë ‘Universe Market’, ku kishin rënë pre e mashtrimit shumë shtetas spanjollë, midis tyre edhe zonja Ribot dhe Rojas nga ku u zbulua se kjo platformë ishte e shtrirë në Shqipëri, Ukrainë dhe Serbi.
Fitimi si pasojë e zhvatjes nga këto kompani ishte marramendës duke shkuar deri në 50 milionë euro, në vetëm tri muaj.

“Nëpërmjet gjurmimit të rrjeteve kompjuterike, hetuesit arritën të lokalizonin adresat e protokollit të internetit (IP) nga ku funksiononte platforma ‘universe-markets.com’ në Shqipëri, Ukrainë dhe Serbi.
Gjithashtu u zbuluan një duzinë platformash mashtruese të ngjashme, të krijuara nga një organizatë kriminale ndërkombëtare e njohur si ‘Group’, e cila përdorte qendra thirrjesh të njohura si call center dhe operatorë në Shqipëri, Bullgari, Gjeorgji, Maqedoni e Veriut dhe Ukrainë”, thuhet në dosjen spanjolle.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb