Bahreini dhe Kuvajti kanë dërguar avionë luftarakë për të goditur objektiva brenda Iranit, në atë që do të ishte përfshirja e tyre e parë e drejtpërdrejtë ushtarake kundër Teheranit, raportoi The Wall Street Journal, duke cituar persona të njohur me çështjen.
Sipas burimeve, sulmet ajrore u kryen në fillim të këtij muaji dhe kishin në shënjestër depo të dronëve dhe raketave, si dhe instalime të tjera ushtarake iraniane.
Ky zhvillim pasqyron pozicionin delikat të shteteve arabe të Gjirit, të cilat përballen me presion të madh ndërsa konflikti në rajon vazhdon të zgjerohet.
Sipas raportimit, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë ofruar mbështetje me informacione inteligjence për objektivat dhe mbulim ajror mbrojtës gjatë operacioneve. Burimet e cituara nga gazeta amerikane e shohin këtë si një shenjë të rritjes së bashkëpunimit mes disa vendeve arabe përballë Iranit.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes së Kuvajtit njoftoi se sistemet e mbrojtjes ajrore të vendit janë aktivizuar për t’iu kundërvënë një sulmi me dronë, pa dhënë detaje të tjera.
Nga ana tjetër, retorika mes palëve është përshkallëzuar. Komandanti i shtabit iranian të emergjencave Khatam al-Anbiya, Ali Abdollahi, lëshoi kërcënime ndaj Shteteve të Bashkuara, duke deklaruar se për çdo iranian të vrarë do të kishte një përgjigje ndaj forcave amerikane.
“Për vdekjen e çdo qytetari iranian, një ushtar amerikan do të dërgohet në ferr”, tha Abdollahi, sipas deklaratave të publikuara nga mediat iraniane.
Edhe grupi Huthi në Jemen ka paralajmëruar SHBA-në kundër çdo ndërhyrjeje në mbështetje të Arabisë Saudite. Mohammed al-Buhaiti, anëtar i byrosë politike të Huthëve, deklaroi për kanalin libanez Al Mayadeen se nëse Uashingtoni mbështet Riadin në një përballje me Jemenin, përgjigjja e grupit do të drejtohet ndaj Shteteve të Bashkuara.
Tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të rriten, ndërsa aleancat rajonale dhe përfshirja e aktorëve të rinj ushtarakë rrisin rrezikun e një zgjerimi të konfliktit.
