Trajneri i ri i Milanit, Ruben Amorim, u prezantua para mediave para miqësores ndaj Interi, që do të zhvillohet të mërkurën në Perth të Australisë. Portugezi ndau përshtypjet e para si drejtues i kuqezinjve. “Jam vërtet shumë i lumtur që ndodhem këtu. Është një nder i madh të jem trajner i Milanit”, u shpreh Amorim.
I pyetur se përse zgjodhi Milanin, Amorim kujtoi deklaratat e tij të mëparshme: “Nëse keni parë intervistat e mia të vjetra, e dini se kam thënë gjithmonë se Milani është një klub shumë i rëndësishëm për mua. Kjo është një mundësi e madhe. Pas eksperiencës së fundit i kisha thënë vetes se do të zgjidhja sfida më pak të vështira, por ja ku jam, përballë një sfide edhe më të madhe. Jam krenar që ndodhem këtu dhe mezi pres të nis punën me stafin dhe lojtarët.”
Në lidhje me objektivat, Amorim ishte i qartë: “Nuk mund të vish te Milani pa këtë mentalitet. Kemi shumë punë për të bërë, por kur je trajner i Milanit, duhet të luash gjithmonë për të fituar.” Duke folur për rivalitetin me Interin, tekniku portugez pranoi sukseset e rivalëve, por theksoi peshën historike të klubit që drejton: “Interi ka fituar më shumë vitet e fundit, por Milani mbetet Milani. Është një klub me histori të jashtëzakonshme dhe me një identitet unik. Kur je këtu, duhet të synosh gjithmonë trofetë dhe të rikthesh ekipin në nivelet më të larta.” Amorim pritet të nisë menjëherë punën për ndërtimin e skuadrës, me objektivin për ta rikthyer Milanin protagonist në Serie A dhe në arenën evropiane.
