“Feçor Shehu ka përdorur postin zyrtar për favore seksuale”. Përtej kësaj akuze për të cilën u dënua, ndër të tjera ish-ministri i Brendshëm i regjimit komunist, Rukie Rama, tropojania që kaloi rininë në ferrin e burgjeve të diktaturës, rrëfen një ngjarje tronditëse që hedh dritë mbi këtë ves bastard të ish-kreut të policisë sekrete. “Ishte ora dy pasmesnate e 22 gushtit 1974, – tregon ajo – kur më morën nga qelia dhe më çuan në një dhomë tjetër. Aty bashkë me operativin e zonës u shfaq Feçor Shehu, i cili sa më pa, më urdhëroi të hiqja kapësen e flokëve. Sakaq u çua nga vendi ku ishte dhe mu vërsul si qen i tërbuar. Nuk e di ku i gjeta forcat dhe ia hoqa krahët gjithë urrejtje. Tjetri që rrinte në këmbë, kur e pa se përpjekja e shefit nuk pati sukses, u mundua të ftohë gjakrat.

“Bushtër e poshtër, keq e më keq do vejë puna jote”, mërmëriti nëpër dhëmbë Feçori dhe hapi derën e u zhduk si hije”. Në vijim të intervistës për gazetën nga dje, , Rukie Rama tregon rrethanat si është arrestuar, rolin e ish-kreut të sigurimit të shtetit në prangosjen e saj, profilin e 43 dëshmitarëve dhe dhjetëra bashkëpunëtorëve të fshehtë të policisë sekrete me të cilët është përballur drejtpërdrejt, por jo vetëm gjatë procesit, përjetimet nga përballja me ta pas daljes nga burgu dhe brengat e shumta për rininë e humbur në qelitë e errëta…

Zonja Rukie, në çfarë rrethanash jeni arrestuar dhe cila ka qenë akuza që ju kanë komunikuar në momentin që u kanë hedhur prangat?

Kjo është një ndër pyetjet më të vështira që mund t’i përgjigjem, pasi rrethanat janë sa komplekse aq dhe të mistershme. Dy javë përpara se të arrestohesha, më thirrën zyrtarisht për të më komunikuar emërimin si drejtoreshë arsimi në zonë. Ishte koha kur po bëhej një riorganizim i arsimit dhe mua kjo detyrë më dukej e vështirë, ngaqë shkollat në zonën e Bytyçit ishin të shpërndara në terren, mjetet e qarkullimit ishin të pakta dhe për një vajzë të re nuk ishte e lehtë të lëvizte në këmbë, pasi shkolla nga shkolla ishte dy orë larg duke filluar nga Paci, Kami, Berisha e deri në Zogaj. Për këtë arsye e refuzova detyrën e re, pa ditur çdo të ndodhte më tej. Atyre që ma ofruan iu përgjigja se dëshiroja të shërbeja në shkollën e fshatit tim, edhe për një arsye personale, pasi nënën e kisha me probleme shëndetësore. Vetëm pak ditë më vonë ndodhi ajo që nuk e prisja, arrestimi…

Kush ua komunikoi urdhrin e arrestit dhe a e prisnit, ndërkohë që vetëm pak ditë më parë u kishin propozuar një detyrë me përgjegjësi?

Këtë çast nuk kam për ta harruar deri sa të vdes. Ishte 17 gushti i vitit 1974. Bashkë me time motër marrim rrugën për t’u bashkuar me familjen që ishte në bjeshkë. Sikur Zoti ta kishte bërë me plan atë takim, ishte ky rasti i vetëm që grumbullohej e gjithë familja në Sulbicë. Lokja (nëna ime) na shtroi një darkë me gjithë të mirat. E sikur ta dinim që do ishte takimi i fundit që rrinim së bashku, atë natë të ulur ë gjithë në një sixhade, shkëmbyem biseda nga më të ndryshmet, kujtuam gjithçka të fëmijërisë deri në të zbardhur. Ishim ballë përballë Gjerovicës dhe puhia e erës na dukej se na reflektonte në atë kthjellim të syve tanë në atë natë të paharrueshme. Të zbardhurit e ditës na gjeti zgjuar. Im vëlla Sadiku, si më i madhi i familjes, na propozoi që drekën ta hanim në rudinat e epra, aty ku ishin liqenet e bjeshkës. Dhe kështu vepruam. Pra, data 18 gusht u kthye në një festë familjare. Ishte ky takimi i fundit ku festonim të gjithë bashkë, pasi tim vëlla Sadikun nuk e gjeta kur dola nga burgu, se kishte vdekur. Në momentin kur po zbrisnim nga rudinat te stani, komandanti i postës së kufirit dërgoi 2 ushtarë të më lajmërojnë se më kërkonin urgjent në Barjam Curri. Nuk di pse, por në çast e gjithë ajo gjendje e gëzuar na u prish dhe na u duk sikur një erë e keqe u përhap gjithandej. Askujt nuk i shkonte mendja se bëhej fjalë për një kurth të pabesë. Të nesërmen, më 19 gusht, mbi 10 herë erdhën sërish ushtarët e dërguar nga komandanti i tyre duke përsëritur kërkesën ultimatume se duhej të zbrisja në B.Curri. Më datë 20 gusht, në ora 5 të mëngjesit, mora rrugën për në aty, pa ditur përse bëhej fjalë…

Ju shkonte në mendje se ju kishin thirrur për t’u arrestuar?

Ato çaste mund të paramendoja gjithçka, por se mund të më arrestonin, kurrë. Atë ditë më përcolli im vëlla, Mehmeti, që banonte në Shkodër dhe mbaj mend që duke u ndarë te telat e Zogajve më porositi: ‘Ki kujdes veten!’. Sikur më dogji kjo fjalë, po s’kisha kohë të mendoja gjatë. Mora vrapin për të zënë bashkëfshatarët dhe bashkë me ta hymë në Tropojën e vjetër aty nga ora 7 e mëngjesit. Sa mbërritëm, shkuam të hamë mëngjes në një mensë ku shërbente një mbesë e familjes sonë. Në tavolinat pranë, në atë orë të mëngjesit, si rrallë herë tjetër, ishin ulur disa punonjës të Degës. Hajria, një grua e bukur dhe shumë fisnike, erdhi më takoi dhe si nënbuzë më tha: Ça të ka ra moj çikë gjithë ky nur sot? Bëmë porosinë dhe gjatë kohës që po hanim bukë, erdhi një nga këta operativët e degës dhe me një përzemërsi të çuditshme na takoi dhe na propozoi që të udhëtonim me një makinë të tyre që po shkonte për Barjam Curri. Aty për aty pranuam. Me të udhëtuam deri në qytet. Sa zbrita, u nisa me nxitim për të qenë në orar për takimin që më kishin caktuar. Ishte ora 10:30 e ditës së enjte, datë 20 gusht 1974. Ngjis shkallët e Komitetit të Partisë me kuriozitetin tundues për të ditur arsyen e të thirrurit me kaq urgjencë, pasi unë nuk isha anëtare partie. Isha thjesht një mësuese, një profesioniste e thjeshtë, një aktiviste në të mirë të popullit e vendit tim.

Një moment sikur m’u plogështuan këmbët, sikur m’u drithërua zemra e m’u hidhërua goja. Nuk di pse më erdhi kjo gjendje nga e cila më shkundi përballja me një prej burrave fisnikë të Tropojës, një lexues i jashtëzakonshëm i letërsisë, Sherif Malësia. Drejtoreshë zbrite nga Sulbica, më thotë sa përshëndetemi, paske sjellë me vete aromën e luleve të Gjerovicës. I them: ‘Më kanë thirrur në Komitet, nuk e di arsyen pse. – Sikur do të nisin me shërbim – më tha dhe u ndamë”. Njëri nga instruktorët që më njihte, sa më pa, më tha se më prisnin te zyra e Sekretarit të Parë. I bie derës dhe sa futëm brenda më shfaqet portreti i Sekretarit në krahë të të cilit rrinte hijerëndë kryetari i Degës së Tropojës. Qysh në fillim më presin me kritika, se gjoja kisha refuzuar detyrën, por pastaj e zbusin tonin duke më thënë se do nisesha urgjent për në Tiranë, ngaqë do të merrja diçka për muzeun e Bajram Currit që ishte duke u bërë. Për momentin u habita, por faktikisht kam qenë shumë e apasionuar për tema historike dhe para disa kohësh kisha punuar me një koleg për disa figura të rrethit të Tropojës, megjithëse isha mësuese matematike.

Çfarë ndodhi kur mbërritët në Tiranë, kush ju priti aty dhe kur e kuptuat alibinë për udhëtimin e papritur?

Sipas detyrës që dhanë, shkova tek agjencia e udhëtarëve për të prerë biletë. Kur sportelistja e shërbimit më tha se ishin mbaruar, m’u afrua një punonjës i Degës së Brendshme, i gjendur aty “rastësisht”, i cili kishte punuar tetë vite në zonën time dhe pasi më afrua, m’u drejtua me një sjellje të shtirur: “Për ku e ke rrugën mësuese?”. E sqarova pa të keq. Ndërkohë ai m’u afrua pranë dhe aty për aty ma ktheu: ‘Të pret puna, apo e ke me urgjencë, se nesër do të udhëtojmë ne për në Tiranë me një makinë të Degës?’. Një çast më erdhi mirë, por shpejt ndërrova mendje dhe ia ktheva me shpoti: ‘Të më quajnë dhe spiune, ë?”. Sakaq nisi e qeshura, ai fals e unë sinqerisht. Pas pak u ndamë, ai drejt daljes së qytetit dhe unë në drejtim të Komitetit të Partisë për të raportuar se nuk kisha gjetur biletë. Sa mbërrita aty, u ndesha me ultimatumin: ‘Bëj çfarë të duash, nesër duhet të jesh patjetër në Tiranë!’. Ika prej andej dhe shkova te shtëpia e vëllait, Ganiut. Pasdite dolëm me të shëtitje në qytet. Më tërhoqi vëmendjen fakti që gjatë gjithë lëvizjes, na ndiqnin nga afër punonjës Sigurimi, ndër ta edhe kryetari i Degës, Sulejman Abazi, me të cilin nuk kishim asnjë lloj lidhjeje, por na përshëndeste gjithë përzemërsi. Kur po shkonim në shtëpi, vumë re se afër saj dy punonjës Sigurimi që rrinin aty si rastësisht. Me sa po kuptoja, problemi paskësh qenë serioz, mua më paskëshin survejuar kudo dhe me sa po dukej siç e mora vesh më vonë, ata vigjilonin se mos arratisesha. Këta mjeranë nuk e dinin që unë si banore e zonës kufitare, po të kisha pasur ndonjëherë mendim për t’u arratisur, do ta bëja me lehtësi, pasi kufirin nuk e kisha më larg se 30 minuta në këmbë. Nejse, e ngrysëm si e ngrysëm atë natë dhe të nesërmen në mëngjes dola për t’u nisur. Tek Post-Telegrafi e qytetit, dallova një makinë që po më vinte nga mbrapa, e cila u ndal te këmbët e mia. Në vend të parë ishte kryetari i Degës, i cili sa më pa, m’u drejtua: “Drejtoreshë vendi yt është bosh. Në makinë kemi vetëm Hazbiun, i cili ka shërbyer 8 vjet në zonën tuaj. Eja ta bëjmë rrugën bashkë, se nuk ka makina të tjera”. Hipa gati pa vetëdije. Sikur më ra një hije vdekjeje dhe m’u kyç goja. Aty për aty më përshkroi një parandjenjë e keqe. Në fakt, kjo ishte dita e arrestimit tim, 20 gusht 1974. Hipa në atë mjet që të detyrohesha pastaj t’i hyja një lufte të gjatë për jetë a vdekje në mbrojtje të dinjitetit dhe personalitetit tim…

Ju thatë që urdhrin për arrestimin tuaj e ka dhënë Feçorr Shehu, kreu i Sigurimit të Shtetit. Ku ju njihte ai dhe për çfarë motivesh ju dërgoi në qeli, ndërkohe që nuk kishit asnjë precedent armiqësor me regjimin?

Në zonën time në ato vite ishte një operativ Sigurimi nga Vlora, Seit Zeqiri quhej. Isha drejtoreshë në Zogaj, zonë kufitare, me një popullatë jashtëzakonisht të mirë, por siç ishte në atë kohë, punonjësi i Sigurimit gjithandej në çdo kohë. Ky djalë i ri filloi të frekuentonte më shpesh se paraardhësi shkollën ku shërbeja duke u bërë i bezdisshëm. Ai mendonte se si punonjës Sigurimi duhej të dominonte gjithkund. Më së pari, si djalë i ri e i paraqitshëm, donte të dominonte mbi vajzat, sidomos tek ato që kishin kohë në detyra të ndryshme. Nga natyra isha një vajzë shumë indiferente ndaj sjelljeve të tilla, e përkushtuar në maksimum për detyrën, e dashuruar me profesionin dhe nxënësit, e dhënë jashtë mase pas familjes. Operativi i ri për ditë e më shumë po bëhej i neveritshëm. Filloi të më shprehte simpatinë vend e pa vend në një mënyrë vulgare, udhëhequr nga mendimi se ishte i gjithëpushtetshëm mbi çdo gjë dhe mbi gjithkënd, por tek unë nuk i shkoi. Mori një përgjigje të prerë: “Më lër rehat dhe m’u hiq nga territori i shkollës!”. Një herë, dy…, tri herë. Përditë e më shumë më dukej i pështirë, zvarranik, bastard. Sidoqoftë, ai nuk më ndahej. Besonte se një ditë do t’i nënshtrohesha. Nuk e di nga i vinte kjo siguri. Një herë u ndeshëm në një dyqan në Kam, ku shitës ishte një pjesëtar i familjes sonë. Diçka deshi të më thoshte me fodullëk, por u fut në mes i zoti i dyqanit dhe ai mbeti keq. Pas disa kohësh, këtij të fundit ia gjeti anën dhe me një shkak pa shkak e burgosi një vit. Një rast tjetër prapë, në një ambient publik, më erdhi shumë afër, gjoja po më komunikonte për një çështje pune dhe u shpreh në një mënyrë të pështyrë, por ia ktheva reston në vend, duke i thënë: “Mu hiq sysh, jevg i fëlliqur”. Në fakt, nuk dija gjë mbi origjinën e tij, por ngaqë ndjehesha e bezdisur në kulm, u shpreha asisoj. Ndodhi pastaj që ky tipi gjithë atë ndjenjë simpatie që kishte e shndërroi në urrejtje dhe ngriti skemën e hakmarrjes, duke bërë atë që bëri. Në këtë ndërmarrje shpaguese, operativi i zi ndjente sigurinë dhe mbështetjen e Feçor Shehut, të cilin siç e mësova më vonë, e kishte mik të ngushtë. Arsyet e lidhjes së tyre nuk i di, por di që gruaja e tij kishte një afrimitet me Feçorin, saqë pushimet i kalonin bashkë. Pikërisht këto rrethana misterioze e bënë Feçor Shehun të firmoste fletë-arrestin tim, por realisht unë nuk jam arrestuar si gjithë të tjerët, por jam vjedhur, jam mbajtur në qelitë e Tiranës nga data 21-29 gusht, duke më ushtruar presion e duke më bërë tortura nga më të ndryshmet. Aty madje jam ballafaquar për herë të parë edhe me Feçor Shehun, këtë përbindësh me fytyrë njeriu. Në datë 30 gusht 1974 më komunikuan urdhrin e arrestimit.

Kush ishin njerëzit me të cilët Feçor Shehu operonte nga Tirana në Tropojë për të përligjur skemën e penalizimit tuaj?

Bashkë me operativin e zonës, siç e shpjegova, u bashkuan edhe të tjerë, kuptohet nga soji i tyre i sojsëzëve, por për habi pas asaj që ndodhi me mua, këtë punonjës Feçori e gradoi me një gradë shumë të lartë, ndërkohë që gruan e tij e mori si mësuese për lëndën e Gjuhë Letërsisë për punonjësit e Ministrisë së Brendshme. Unë kurrë nuk e kam ditur se për çfarë ishte diplomuar ajo grua.

A e keni ndjerë gjatë kësaj periudhe presionin e Feçor Shehut dhe zyrtarëve të Sigurimit për marrëdhënie intime me ta?

E vërteta, liria, virtyti janë tri gjërat e vetme për të cilat duhet ta duam jetën. Pra, e vërteta është se unë e mbrojta gjithnjë me kryelartësi personalitetin dhe figurën e mirë të familjes sime si malësore. Njeriu duhet të jetë i lirë në të zgjedhurit e jetës së tij, unë kurrë në jetën time nuk kam bërë diçka për hir të asaj që e ka bërë dikush tjetër dhe duhej ta bëja edhe unë. Jo, gjithë jetën jam prirë nga parimi që duhet të bëj ato veprime që janë në përshtatje me normat dhe parimet e mia, familjes dhe shoqërisë sime.

Si qëndron e vërteta e kërkesës për certifikatën e virgjërisë dhe si u realizua ky operacion në Maternitetin e Tiranës?

Mbi mua u hodh kaq shume baltë, më shtrinë përtokë, më vunë shqelmat në gjoks dhe duart e përgjakura në fyt. U tha e çfarë nuk u tha, u bënë eksperimente nga më të ndryshmet, gjetën dhe një budalla që i shkreti ndoshta kishte dëgjuar historinë e dhelprës me rrushin, por harronte ai qyqar që isha e bija e Ramë Bajramit, e atij burri që vdekja në moshën 93-vjeçare e gjeti si një div, që kur më niste për diku më porosiste: “Udhë të mbarë bija ime, por ruama fytyrën!”. Nejse, të kthehemi te historia e certifikatës. Kur procesi kishte kaluar një vit hetime, prokurori i çështjes ishte i detyruar të pranonte se asnjë nga provat e servirura ndaj meje nuk ishin bindëse. Mirëpo nuk mund të pajtohej me këtë gjendje njeriu që kishte urdhëruar arrestimin tim për tentativë arratisje, i cili nuk ngopej ta shikonte të stërmunduar vajzën që i kishte guxuar t’i refuzonte ofertën për dashuri. Andaj u ngrit skema tjetër. U gjet një dëshmitar i fortë për të provuar në hetuesi prapësitë që do më linin edhe disa kohë në qeli. Ky kaqoli i përpunuar, duke mashtruar se kishte qenë prej vitesh i dashuri im, deponoi se në çaste intime, ishte njohur me qëllimin tim për t’u arratisur! Teksa akuza do të krijonte përvijimin e saj disi të besueshëm, unë do të revoltohesha edhe më shumë. Këtë radhë isha goditur edhe më rëndë, duke më cenuar në gjënë më të shenjtë të jetës. Gjeta forca dhe u përgjigja se këtë të lajthitur nuk e njihja fare, pa le të kisha bërë dashuri me të. E thashë hapur se gjithçka e këtij monstrës ishte një trillim i poshtër. Se unë deri atëherë, jo vetëm nuk kisha dashuruar ende kërkënd, por isha një vajzë e virgjër. Këtu beteja u bë edhe më egër e komplekse. Unë kërkova me plot gojën që të më bënin analizat mjekësore përkatëse për t’i konfirmuar drejtësisë të vërtetën, për të zbardhur intrigën e këtij soj “të dashuri”. Që këtej skena u zhvendos në laboratorët e Tiranës… Për disa ditë u bëra banore e burgut të Tiranës. Prej aty iu nënshtrova kontrollit mjekësor. Qëlloi që mjekët e Maternitetit të Tiranës ishin njerëz me integritetet dhe pa pikë ndroje nënshkruan çertifikatën me mbishkrimin: “Është e virgjër!”. Trupi im ishte ai që ishte, dhe iu përgjigja tim ati në varr: “Jam bija jote; ju përgjigja Lokes. Jam Bija jote. Ju përgjigja 4 vëllezërve të mi: mos e ulni kokën, se jam motra juaj. Ju përgjigja gjithë Bytyçit, jam bija juaj, me gjithë virtytet që më keni mësuar”. Kjo për mua ishte gjithçka. Ishte pikërisht kjo certifikatë që rrëzoi alibinë e atij bashkëpunëtorit të Sigurimit, të cilit i paskësha pohuar në moment intime se do të tradhtoja atdheun e do të arratisesha. Tashmë ai dokument që vërtetonte shkencërisht virgjërinë, ra si bombë te të gjithë ata që kishin organizuar tërë këtë kurth. Po deri këtu më kishte kaluar një dramë e tërë. Sa herë i kthehem asaj, më del para syve ajo malësorja, e cila kur ia patën vrarë të dy djemtë njëherësh, u ul në mes dy kufomave për t’i vajtuar dhe filloi të thoshte, “nëna do jetojë o bir, se mendja paska rrënjë”. E ndjej, pra të arsyeshme të thosha këtë shprehje në ato momente, se vërtet mendja kishte rrënjë.

Sa dëshmitarë legalë kanë qenë në procesin tuaj?

Dëshmitarë legalë ishin 43. Shumicën i kam takuar pasi kam dalë nga burgu, se argati ngelet argat. Ata ishin të shitur. Asnjë person që ka pasur vlera njerëzore nuk ka dalë kundër meje. Mirënjohje, mirënjohje pa fund popullit të zonës Kepenek-Kam.

Pas kaq vitesh, ju ka qëlluar ta shfletoni dosjen tuaj dhe çfarë keni mësuar rreth mistereve të panjohura të saj?

Sa për problemin e dosjeve, është njësoj sikur t’i varësh ujkut mëlçitë në qafë. Cila logjikë e shëndoshë mund ta pranojë se dosjet që u formuan në atë kohë nga punonjës të Sigurimit dhe që përsëri po këta punonjës po lëvizin vetëm karriget, nuk janë ndryshuar. Para disa vitesh doja të dija për një ditar timin që ma kishin marrë dhe mua tha: “Mos është një fletore me ngjyre kafe?”. Personi që ma tha këtë nuk kishte të bënte fare me dosjet, por ishte një punonjës i kulturës, që rastësisht po pinim kafe. Nga e dinte se ngjyra e bllokut (ditarit tim të rinisë) ishte ngjyrë kafe?! Pra, për mua cilido që vjen në pushtet, ne të burgosurve politikë na përdorin për garniturë. Di që mua 5 herë më është dhënë akt-akuzë dhe po 5 herë është anuluar po prej tyre. Më janë marrë shumë libra në bibliotekën time dhe pas 9 vitesh, novelat e Stefan Cvajkut e kam gjetur të grisur, që përdorej për të ndezur stufën. Gjithmonë kur lexoja, nënvizoja diçka në libër dhe nga nënvijëzimet e bëra njoha librin tim. Ne duam të ndjekim modelin gjerman për hapjen e dosjeve, por nuk mund të krahasohemi me kulturën e popullit gjerman në këtë lloj aspekti.

Si jeni ndjerë kohët e fundit kur keni mësuar dekorimin e Feçor Shehut, njeriut që ju gjymtoi jetën dhe çfarë do të thoshit për zyrtarët e politikanët që vazhdojnë t’i kenë idhuj të tillë kriminelë?

Nuk po më habit asgjë tani, pasi prej kohësh vijon të dekorohen e të nderohen njerëz të tillë, që kanë bërë madje edhe krime. Shkurt po rehabilitohen vrasësit. Vetëm diçka dua të them për Feçorin: është data 22 gusht 1974, ora 2 pas mesnate, ku me urdhrin e tij më morën e më dërguan në një dhomë në krahë të qelisë. Aty ishte ish-operativi i zonës dhe Feçori. Sa u futa unë, doli Kadri Ismailati dhe dy punonjësit e qelisë që më shoqëruan. Feçori më urdhëroi të hiqja kapësen e flokëve dhe e hoqa. Sakaq, ai u ngrit nga vendi i eksituar si një qen i tërbuar dhe u lëshua mbi mua. Nuk e di ku i gjeta forcat dhe ia hoqa krahët gjithë urrejtje. Tjetri që rrinte në këmbë, kur e pa se përpjekja e shefit nuk pati sukses, u mundua të ftohë gjakrat. “Bushtër e poshtër, keq e më keq do vejë puna jote”, mërmëriti nëpër dhëmbë Feçori dhe hapi derën e u zhduk si hije”. I tillë ishte ai bastard, një maniak seksual i tërbuar, pa llogaritur veset e tjera që ka pasur.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb