Autoritetet ukrainase akuzojnë Rusinë se po shënjestron qëllimisht ekipet e shpëtimit dhe operacionet e kërkim-rekuperimit, dy javë pas një sulmi të përgjakshëm të dyfishtë në një fshat pranë vijës së frontit, ku humbën jetën të paktën 72 persona.
Sipas autoriteteve të Kievit, më 2 nëntor, forcat ruse kryen dy sulme të njëpasnjëshme ndaj një qendre të ndihmës humanitare në fshatin Komyshuvakha. Në sulm u përdorën edhe bomba ajrore me peshë rreth 3 mijë kilogramë, të cilat goditën një strehë ku banorët ishin larguar për t’u mbrojtur nga bombardimet.
Pamjet e verifikuara dhe të publikuara në ditët pas sulmit tregojnë dëme të konsiderueshme në automjetet e emergjencës dhe pajisjet e përdorura për gërmimin dhe nxjerrjen e personave nga rrënojat.
Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës (DSNS) i tha BBC Verify se gjatë operacioneve të shpëtimit janë regjistruar disa sulme të tjera ruse.
Sipas këtij institucioni, tre efektivë policie, katër punonjës të ekipeve të shpëtimit dhe dy qen të trajnuar për kërkim janë plagosur, ndërsa pesë automjete janë dëmtuar.
“Për shkak të kërcënimit nga bombardimet e përsëritura, punonjësit e emergjencave detyrohen vazhdimisht të ndërpresin përkohësisht punën dhe të tërhiqen në një vend të sigurt”, thuhet në deklaratën e DSNS-së.
Autoritetet ukrainase bëjnë me dije se numri i viktimave nga sulmi fillestar ka arritur në të paktën 72, duke e renditur këtë ngjarje ndër incidentet më vdekjeprurëse të regjistruara që prej nisjes së pushtimit rus në shkallë të plotë, në shkurt të vitit 2022.
Oleksiy, një oficer i inteligjencës që po heton ngjarjen për Shërbimin e Sigurisë së Ukrainës (SBU), i cili kërkoi të identifikohej vetëm me emrin e tij, deklaroi se automjetet e shpëtimit ishin të shënuara qartë dhe akuzoi forcat ruse për shkatërrimin e qëllimshëm të pajisjeve humanitare.
Ai tha gjithashtu se infrastruktura e fshatit dhe banorët që vijojnë të jetojnë aty po sulmohen sistematikisht me dronë dhe bomba.
“Ky është terror i hapur ndaj civilëve, ndaj banorëve paqësorë”, deklaroi Oleksiy, duke shtuar se qëllimi është ta bëjnë jetën pranë vijës së frontit të pamundur.
BBC Verify ka verifikuar edhe disa video të publikuara nga policia ukrainase, ku shihen punonjësit e shpëtimit në vendngjarje duke bërtitur “dron, dron” dhe duke vrapuar për t’u strehuar, një ditë pas sulmit të 2 nëntorit. Në pamje shfaqet gjithashtu një grup punonjësish që po i japin ndihmën e parë një personi të plagosur.
Sipas Oleksiy, në rrënoja vijojnë të ketë trupa që ende nuk janë nxjerrë. Ai pretendon se forcat ruse janë plotësisht të vetëdijshme se operacionet që po zhvillohen në zonë janë në thelb një mision humanitar për gjetjen dhe nxjerrjen e viktimave.
BBC Verify bëri të ditur se i ka kërkuar Ministrisë ruse të Mbrojtjes një koment lidhur me sulmet në Komyshuvakha, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje.
