Një përpjekje e re diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë është vënë në lëvizje nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump. Të dërguarit e tij specialë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, pritet të takohen këtë javë në Berlin me zyrtarë ukrainas dhe evropianë, ku në fokus do të jenë garancitë e sigurisë për Kievin dhe plani për rimëkëmbjen ekonomike të vendit pas përfundimit të luftës.

Lajmi është bërë i ditur nga Axios, duke iu referuar një zyrtari amerikan. Takimi është planifikuar të zhvillohet të enjten në kryeqytetin gjerman, një javë pasi Witkoff dhe Kushner i kërkuan Rusisë të paraqesë propozime për një kornizë të re sigurie në Evropën e pasluftës.

Kjo nismë konsiderohet pjesë e përpjekjeve diplomatike të Uashingtonit për të krijuar kushtet e nevojshme për përfundimin e konfliktit.

Në të njëjtën ditë, Donald Trump pritet të zhvillojë takime në Kinë me presidentin rus Vladimir Putin dhe presidentin kinez Xi Jinping. Vetë presidenti amerikan ka deklaruar se pret të diskutojë me dy liderët edhe çështjen e luftës në Ukrainë.

-Garancitë e sigurisë dhe rindërtimi i Ukrainës

Sipas zyrtarit amerikan, objektivi kryesor i takimit në Berlin është hartimi i garancive të sigurisë që do të parandalonin sulme të ardhshme ruse ndaj Ukrainës, si dhe diskutimi i planeve për rindërtimin e ekonomisë ukrainase pas luftës.

Witkoff dhe Kushner kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme me zyrtarët ukrainas dhe evropianë, ndërkohë që kanë vijuar komunikimin edhe me Moskën.

I njëjti zyrtar amerikan e përshkroi takimin në Berlin dhe vizitën e Trump në Kinë si pjesë të një përpjekjeje të koordinuar diplomatike.

Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, sekretari i Thesarit, Scott Bessent, dhe shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Stephen Miller, të cilët shoqërojnë Trump gjatë vizitës në Kinë, janë informuar për ecurinë e negociatave lidhur me Ukrainën.

-Kontaktet me Putinin dhe kërkesa e Uashingtonit ndaj Moskës

Witkoff dhe Kushner u takuan me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë të enjten e kaluar. Ata zhvilluan gjithashtu një bisedë të hënën me këshilltarin e politikës së jashtme të Kremlinit, Yuri Ushakov, për të diskutuar hapat e mëtejshëm të negociatave.

Javën e kaluar, Axios raportoi se Uashingtoni i kishte kërkuar Moskës të paraqiste një propozim për sigurinë evropiane, i cili do të përfshinte masa konkrete nga ana e Rusisë për uljen e tensioneve.

Megjithatë, disa qeveri evropiane mbeten skeptike për mundësinë që Moska t’i përmbahet një marrëveshjeje të tillë.

Më herët gjatë këtij muaji, SHBA-ja kishte shpresuar se lehtësimi i sanksioneve ndaj naftës ruse mund të nxiste lëshime nga ana e Kremlinit. Pavarësisht kësaj përpjekjeje, Vladimir Putin ka vijuar të refuzojë një armëpushim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb