Pasi Rusia sulmoi Ukrainën, ushtria dhe qytetarët filluan të përdorin lidhjen në internet përmes satelitëve “Starlink” të kompanisë SpaceX të Elon Musk-ut. Duke mundësuar qasje në internet me shpejtësi të lartë dhe të pavarur nga infrastruktura tokësore, satelitët Starlink u kthyen në një mjet jetik për rezistencën e Ukrainës.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës Myroslava Gongadze, bisedoi në Kiev me një prej inxhinerëve të parë ukrainas që ndihmoi për përhapjen e internetit satelitor. Në këtë apartament në periferi të Kievit, inxhinieri Oleg Kutkov testonte lidhjen në internet përmes satelitëve “Starlink” të kompanisë SpaceX, shumë kohë para fillimit të luftës.
Mijëra satelitët e vegjël, që përbëjnë rrjetin “Starlink”, u dërguan për herë të parë në hapësirë më 2019. Inxhinieri entuziast Kutkov, u zhvendos në Kiev pasi rusët pushtuan Krimenë më 2014, ishte magjepsur nga teknologjia e re hapësinore.

“Fillova ta ndjek këtë projekt që në fillimet e tij dhe mendova se do të ishte mirë të merrja sinjalin nga satelitët, thjesht për ta analizuar se si është”, thotë inxhinieri.

“Starlink” nuk kërkon infastrukturë tokësore – mjafton një antenë satelitore dhe një aparat marrës, për qasje në internet me shpejtësi të lartë.

Lidhja në internet përmes “Starlink “në Ukrainë nuk ishte e mundur më 2021. Por zoti Kutkov bleu një pajisje në e-Bay dhe filloi të eksperimentonte. Dy ditë pasi Rusia sulmoi Ukrainën më 24 shkurt, Mykhailo Federov, ministër i Transformimit Dixhital të Ukrainës, i çoi një mesazh Elon Musk-ut në Twitter.

“Ndërsa anijet tuaja hapsinore ulen me sukses në tokë, raketat ruse sulmojnë popullin civil ukrainas. Ne ju kërkojmë t’i ofroni qasje Ukrainës në rrjetin Starlink”, shkroi ai.

Elon Musk iu përgjigj brenda pak orësh… “Shërbimi Starlink tani është aktiv në Ukrainë”, shkroi ai.

Brenda pak ditësh, pajisjet e nevojshme për lidhje në internet përmes satelitit filluan të mbërrinin në Ukrainë. Deri në maj, rreth 150 mijë njerëz kishin filluar përdorimin e sistemit. “Në fillim nuk e kuptova, por pastaj filluan të më vinë jashtëzakonisht shumë mesazhe. Të gjithë po më shkruanin për të më pyetur për satelitët Starlink, si të lidheshin në internet, çfarë duhet të bënin”, thotë inxhinieri Kutkov.
Edhe ushtria ukrainase filloi përdorimin në shkallë të gjerë të teknologjisë së kompanisë SpaceX. Për ushtarët në vijën e parë të frontit, satelitët Starlink u shndërruan në një dritare për pjesën tjetër të botës dhe një mjet jetik për operacionet ushtarake.

Inxhinieri Kutkov mendon se as vetë kompania SpaceX nuk e kishte parashikuar rolin e saj në luftë. Pranë kufiriit verior të Ukrainës, satelitët Starlink ofrojnë lidhjen më të qëndrueshme të komunikimit për operacionet ushtarake, thotë oficeri Oleksiii Shevchuk.

“Satelitët Starlink janë të pazëvendësueshëm. Janë sytë dhe veshët tanë, jemi të varur nga ta”, thotë ai.

Forcat ruse i dinë mundësitë e ofruara nga satelitët Starlink, por bllokimi i sinjaleve të tyre është pothuajse i pamundur. ër gati një vit, apartamenti i inxhinierit Kutkov ngjante me një dyqan riparimi, ku ushtarët nga vija e parë vinin për të kërkuar ndihmë.

Ai rregullon marrësit dhe antenat satelitore, ndonjëherë të dëmtuara nga plumbat – një shembull se si një qytetar mund të ndihmojë përpjekjet e luftës. “E bëj falas, në kohën time të lirë. Kam një punë tjetër që e bëj gjatë ditës, ndërsa natën riparoj pajisje interneti”, thotë ai.

Për shkak të përpjekjeve të tij, inxhinieri doli në kopertinën e revistës Time me presidentin ukrainas Zelenskyy. Starlink nuk është teknologjia e vetme e kompanisë së Elon Musk-ut që zoti Kutkov përdor.

Gati çdo ditë, me makinën e tij elektrike Tesla ai shkon në postë dhe u dërgon ushtarëve pajisjet e riparuara. Ai e sheh këtë si një mënyrë për të shërbyer, ndërsa shpreson se një ditë do të kthehet në shtëpinë e tij në Krime./voa

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: