Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka shprehur sërish kundërshtimin e tij të qartë për dërgimin e raketave me rreze të gjatë “Taurus” në Ukrainë.

Scholz është përballur me kritika të ashpra nga opozita konservatore pas refuzimit për t’i ofruar Ukrainës raketat, pavarësisht lutjeve të përsëritura të Kievit.

Scholz ka refuzuar sërish kërkesën e Kievit gjatë një debati sot në parlamentin gjerman, Bundestag, duke përmendur shqetësimin se sigurimi i armëve të avancuara mund ta çojë Gjermaninë drejtpërdrejt në një konflikt me Rusinë.

“Maturia nuk është diçka që mund të klasifikohet si dobësi, siç bëjnë disa, por përkundrazi maturia është ajo që u takon qytetarëve të këtij vendi,” tha socialdemokrati.

Sipas Scholz, furnizimi i forcave ukrainase me raketa “Taurus” do të kërkonte gjithashtu përfshirjen e ushtarëve gjermanë për të ndihmuar në përdorimin e tyre.

“Kjo është një vijë që unë si kancelar nuk dua ta kaloj”, theksoi Scholz.

Politikanët e opozitës, madje edhe disa anëtarë të koalicionit trepartiak të Scholz, e kanë vënë në dyshim këtë pretendim.

Blloku i opozitës së qendrës së djathtë CDU/CSU ka planifikuar nesër një votim për një rezolutë që kërkon që qeveria e Scholz t’i japë Ukrainës raketat “Taurus”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb