Gazetarja Klodiana Lala, në një lidhje direkte për studion e lajmeve në “News 24”, ka njoftuar, se ka rinisur seanca në Gjykatë për dhënien e masës së sigurisë ndaj ish-kryebashkiakut Fatos Tushe, 8 vartësit e tij dhe 2 biznesmenët e përfshirë në dosjen e SPAK.

Lala thotë, se në përgjime, që “BalkanWeb”, i ka siguruar e ilustruar, tregohet se Tushe dhe drejtuesit e tjerë të bashkisë, ishin në dijeni ndaj hetimit të Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion e për këtë arsye, kishin nisur përgatitjet për të kamufluar aktin korruptiv me në fokus një tender me vlerë 24 milionë lekë për rehabilitimin e kanaleve vaditëse në rrethinat e Lushnjes.

Gazetarja thotë më tej, se në filtrin e SPAK, është dhe një tjetër tender, ai i naftës, pasi në përgjime, është folur dhe për favorizime të drejtuesve në këtë drejtim.

“Pas dy orësh ka rifilluar senca në Gjykatë për masën e sigurisë të Tushes. Gjithashtu janë dhe 8 vartës dhe 2 biznesmenë të favorizuar në SPAK. Ndërprerja u bë pasi avokatët kërkuan të njihen me dosjen voluminoze. Përgjimet janë provat që SPAK ka ndaj Tushes, ai bisedon me Ibrahim Lamit dhe shihej si favorizohej tenderi. Në momentin që zyrtarët kanë mësuar se SPAK ka nisur hetimet, kryebashkiaku i kishte orientuar ata se si t’i përgjigjej prokurorëve.

Sa i përket personave të tjerë të dyshuar, dëgjohet Ibrahimi flet me Lamin, duke thënë se do të shkonte SPAK-u, që nënkupton se po përgatiteshin. SPAK do të kërkojë që kryebashkiaku të qëndrojë prapa hekurave ai dhe biznesmenët. Duhet theksuar që krahas tenderit me vlerë 24 milionë lekë për rehabilitimin e kanaleve vaditëse, SPAK ka në filtër dhe një tender të karburanti”, tha Lala.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb