Partia Demokratike ka vendosur të votojë pro shtyrjes së afateve për organet e vetingut duke marrë në këmbim plotësimin e dy kushteve kryesore të saj, kryerjen e reformës territoriale dhe kryerjen e reformës zgjedhore.

Burimet thanë për ‘BalkanWeb’, se pas votimit për zgjatjen e mandatit për organet e vetingut, Parlamenti do të votojë për ngritjen e 2 komisioneve për zbatimin e menjëhershëm të kërkesave të PD.

Gazetari Osman Stafa ka siguruar sakaq fjalimin e kreut të PD-së, Lulzim Basha me deputetët, ndërsa në fokus të diskutimeve të tyre kanë qenë dhe reforma zgjedhore dhe ajo territoriale.

“Sot nisim punën për dy reforma të rëndësishme dhe që janë prioritet për Shqiperine dhe demokracinë, prioritete për PD, reformen zgjedhore dhe atë territoriale.”, mësohet të jetë shprehur Basha, shkruan BalkanWeb.

Po ashtu ai iu është drejtuar deputetëve se: “Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë prioriteti ynë. Ne duhet të bëjmë gjithçka, të konsultohemi me ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj, në mënyrë që të ndërtojmë mekanizmat e duhur për të garantuar që vullneti i zgjedhësve të mos deformohet, si deri më sot, nga shitblerja e votës, bashkëpunimi me krimin dhe përdorimi administratës dhe fondeve publike. Prioritet i yni është reforma territoriale. Grupi i punës së bashku me deputetët do të nisin një tur konsultimesh në të gjithë vendin, për një ndarje të drejtë administrative, për të fuqizuar pushtetin vendor dhe për të ofruar shërbime publike me cilësi të mirë. PD ka qenë që prej ditës së parë mbështetëse e reformës në drejtësi. Natyrisht ndërhyrjet e mazhorancës për ta vënë në shërbim të saj e kanë dëmtuar atë dhe pasojat po i shohim dhe sot.”.

Stafa bënë me dije se në rendin e ditës në Kuvend jane futur sot ngritja e komisionit të reformes zgjedhore dhe asaj territoriale. “Këto jane dy reforma themelore për rikthimin e demokracisë dhe votës së lirë si dhe rindarjen territoriale. PD dhe Basha kanë deklaruar prej kohësh se këto janë dy ndër prioritetet më të rëndësishme për vendin dhe opozitën.”, thanë burime për BW.

Mes të tjerash Basha theksoi se PD është pro integrimit të Shqipërisë në BE, dhe kurrsesi nuk do të pengonte në zhvillimin e këtij procesi.

“Pa një drejtësi të fortë, të pastër dhe të pavarur Shqipëria nuk do te këtë progres ekonomik dhe as në rrugën drejt integrimit. PD është kontribuesja më e madhe e procesit të integrimit europian, dhe kurrë nuk do të ndërmarrë ndonjë vendim kundër apo që e dëmton këtë proces.”, iu ka thënë më tej Basha deputetëve.

Ndërkohë, deputeti i PD-së, Dashnor Sula në mbledhje tha se: “Vendimi që keni marrë, vendim prej lideri. Jemi krenar për rrugën që kemi zgjedhur. Kjo është ndarja përfundimtare nga e shkuara.”.

Në fokus të kësaj mbledhjeje është edhe tema kryesore e seancës së sotme plenare për votimin e zgjatjes së afateve të Vettingut.

Gazetari Osman Stafa në një lidhje direkte nga selia blu deklaroi për ‘News24’ se deputetët e PD-së nuk kanë dashur që të shprehen publikisht rreth faktit nëse do të votojnë pro apo kundër këtyre ndryshimeve.

Kujtojmë se ka qenë Partia Socialiste, e cila ka kërkuar të zgjaten afatet e Vettingut, nismë kjo e mbështetur edhe nga ndërkombëtarët, që nga ana e tyre, kërkojnë rezultate konkrete në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb