Mbahet sot seanca plenare në Kuvend. Parfia Demokratike ka kërkuar ndryshimin e Rendit të Ditës. Kërkohet që në rend të futet, diskutimi në lidhje me raportin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian për Shqipërinë.
Në rend të ditës është parashikuar interpelancë me kryeministrin Rama e kërkuar nga një grup deputetësh të PD. Gjithashtu interpelancë është kërkuar edhe me ministrin e infrastrukturës Enea Karakaçi.
Është parashikuar gjithashtu edhe një seancë pyetje-përgjigje me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, e kërkuar nga deputetja Ina Zhupa.
Gjatë seancës së sotme plenare pritet gjithashtu që të shqyrtohet akti normativ që parashikon uljen e akcizës për naftën.
Në seancën e sotme plenare janë përfshirë edhe disa projektligje, mes tyre: Ratifikimi i marrëveshjes ndryshuese për programin IPA të bashkëpunimit ndërkufitar mes Shqipëria dhe Mali i Zi për periudhën 2021–2027; ndryshime në ligjin “Për shtetësinë”; ndryshime në ligjin për Kodin Rrugor si dhe ndryshime në ligjin “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
Në vijim të seancës, deputetët do të shqyrtojnë edhe projektligjin për identifikimin elektronik, shërbimet e besuara dhe portofolin e identitetit digjital, dy nisma për ndryshime në ligjin “Për taksat kombëtare” si dhe projektligjin për mekanizmin e reagimit ndaj krizave të furnizimit dhe çmimeve të lëndës djegëse.

