TIRANE – Banka e Shqipërisë në bashkëpunimin me Universitetin e Oksfordit organizoi të premten në Tiranë, konferencën e saj vjetore me temë: “A i ndryshojnë krizat, themelet ekonomike në vendet e Evropës Juglindore?”, me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dhe ekspertëve të ekonomisë dhe bankierëve të huaj e vendas.

Guvernatorit i BSH-së, Sejko në fjalën e mbajtur me këtë rast vlerësoi se, “ekonomia shqiptare po vazhdon të performojë pozitivisht, por vazhdon të jetë nën potencialet e saj të rritjes, duke pozicionuar aktivitetin ekonomik në një vend, aty ku nuk duhet të jetë”.

Sistemi bankar vazhdon të jetë financiarisht i shëndetshëm, u shpreh Guvernatori, ndërsa vuri në dukje se, Banka Qendore po rrit transparencën me publikun.

“Ekonomia shqiptare ka një potencial të papërdorur. Duhen reforma strukturore për të ndryshuar gjendjen. Rritja afatgjatë kërkon reforma të orientuara drejt produktivitetit”, u shpreh guvernatori Sejko.

Për herë të parë pas shtatë vitesh, tha Guvernatori arritëm të ulin nivelin e kredisë me probleme, ndërsa një plan i bashkërenduar me Ekzekutivin, BSH, FMN dhe Shoqatën e Bankave do të synojë të përmirësojë më tej këtë tregues, me qëllim rritjen e kreditimit.

“BSH mbetet e angazhuar të mbështesë aktivitetin e biznesit dhe rritjen ekonomike të vendit, por kreditë e këqija i kanë bërë bankat më konservatore në drejtim të dhënies së kreditimit. Ndërsa politika monetare lehtësuese do të mbështesë kreditimin e biznesit”, tha guvernatori Sejko.(atsh)
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: