Bashkia Durrës ka reaguar pas vendimit të Gjykatës për sekuestro preventive të trualit në zonën e Gjirit të Lalzit, ku do të investonte biznesmeni amerikano-libanez Faadi Mitri, tokë që dyshohet se është përfituar me dokumente false. Bashkia sqaron pozicionin e saj në këtë çështje.

Bashkia ka qenë palë ndërgjyqëse në gjyqin e hapur nga Pal Selçuni, që pretendonte pronësinë mbi sipërfaqen 42 mijë metra katrorë por ajo thotë se vendimi është dhënë në mars dhe në këtë kohë toka nuk kishte kaluar në pronësi të bashkisë, pasi vendimi i qeverisë hynte në fuqi në qershor.

“Në lidhje me çështjen gjyqësore para Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës me palë paditëse Pal Selçuni dhe i paditur Bashkia Durrës, Avokatura e Shtetit Durrës, kërkojmë të sqarojmë opinionin publik si më poshtë:

Pyjet dhe kullotat publike janë transferuar në pronësi të bashkive (konkretisht Bashkisë Durrës) me VKM nr. 433, datë 08.06.2016. Procesi i marrjes në dorëzim të fondit pyjor sipas kësaj VKM-je akoma nuk ka përfunduar.

Procesi gjyqësor civil i diskutuar dhe i bërë publik në disa media, ka nisur më datë 16.07.2015 dhe vendimi përfundimtar i Gjykatës së Shkallës së Parë ka nr. 457, datë 25.03.2016.

Pra, si gjatë gjykimit të çështjes edhe kur ka përfunduar ky gjykim civil në datën 25.03.2016, ngastrat pyjore nuk ishin në pronësi të Bashkisë Durrës, pasi ato i janë kaluar bashkisë më vonë në kohë, konkretisht me VKM nr. 433, datë 08.06.2016”, deklaron Bashkia Durrës.

Në kërkesën e zbardhur të prokurorisë për sekuestrimin e 42 mijë metra katrorë tokë, thuhej se në këtë gjykim kanë qenë si palë ndërgjyqëse Bashkia Durrës dhe Avokatura e Shtetit. Rezulton se në seancën përfundimtare kanë munguar Bashkia e Durrësit dhe Avokatura e Shtetit. Në këto kushte, ku palët e interesuara nuk kanë ngritur pretendime (për shkak të mungesës së tyre), gjykata e Durrësit, me vendimin nr. 457, datë 25. 03. 2016, ka vendosur të njohë shtetasin Pal Selçuni si pronar të pronës, objekt shqyrtimi.

Gjithashtu, rezulton se kundër këtij vendimi nuk është bërë ankim nga palët ndërgjyqëse dhe vendimi ka marrë formë të prerë më datë 19.04.2016. Në veprimet e mëtejshme hetimore, Prokuroria e Durrësit do të shqyrtojë arsyet e mungesës së palëve ndërgjyqëse dhe mungesën e ankimit mbi vendimin e njohjes së pronës në emër të shtetasit Selçuni.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: