KORÇË

Policia e Korçës dhe forcat “Shqiponja” kanë arrestuar një 64-vjeçar pasi u kap teksa tentoi të shiste tre mina me telekomandë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Korçë, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponjat”, nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Remote”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Ilir Burbuqi, banues në Korçë.

Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se një shtetas do të tentonte të shiste mina me telekomandë, u organizuan shërbimet, u bë i mundur lokalizimi i personit dhe kapja e tij në aksin rrugor Korçë-Pogradec, pranë vendit të quajtur Qafë-Plloçë. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga forcat e policisë shtetasit Ilir Burbuqi, iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 mina me telekomandë.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme dhe për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb