Pesë ton kokainë janë sekuestruar në një anije kontejnerësh në brigjet e Portugalisë, gjatë një operacioni të përbashkët të Policisë Gjyqësore, Marinës dhe Forcave Ajrore Portugeze. Gjatë aksionit janë arrestuar tre shtetas të huaj, të dyshuar për përfshirje në një rrjet ndërkombëtar të trafikut të drogës.
Sipas autoriteteve portugeze, anija, e cila ishte nisur nga një vend i Amerikës Latine, u lokalizua rreth 640 milje detare larg Lisbonës, në kushte të vështira detare.
Policia bëri të ditur se operacioni mundësoi “çmontimin e një grupi kriminal të dedikuar për kontrabandën e sasive të mëdha të drogës drejt kontinentit evropian”.
Gjatë kontrollit në anije u sekuestruan edhe prova të tjera materiale, ndërsa në pranga përfunduan dy pasagjerë dhe një anëtar i ekuipazhit. Autoritetet nuk kanë bërë publike identitetet apo kombësitë e tyre.
Pas përfundimit të operacionit, anija me ngarkesën e drogës dhe tre të arrestuarit u shoqërua nga Marina Portugeze drejt portit të Sines.
Operacioni, i koduar “Skydrop”, u zhvillua nga Njësia Kombëtare Kundër Narkotikëve e Policisë Gjyqësore, me mbështetjen e Marinës dhe Forcave Ajrore Portugeze. Hetimi, i nisur në fillim të muajit, u realizua në bashkëpunim me autoritetet britanike dhe spanjolle.
