KAVAJE- Ish-kryekomunari i Gosës së Kavajës, ka përfunduar pas hekurave, si dhe është shapllur në kërkim shefi i Kadastrës. Prokuroria e Kavajës mori sot lejen e gjykatës për arrestimin e ish-kryetarit Sinan Shala, si edhe të Shefit të Kadastrës Kavajë, Nezir Leçini, të dyshuar për konsumimin e veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Falsifikimit të dokumentave”.

Sipas organit të akuzës, mësohet se këta zyrtarë, në cilësinë e personave që kanë për detyrë t’i lëshojnë, në procesin e ndarjes së tokave në zonën bregdetare të Vilë-Bashtovës. Nga ana e Policisë së Shtetit është ekzekutuar urdhri i arrestit për të dyshuarin Sinan Shala. Ndërkohë, nuk është bërë i mundur arrestimi dhe është shpallur në kërkim i dyshuari Nezir Leçini.

Gjithashtu, Prokuroria e Kavajës ka vendosur edhe sekuestrimin e rreth 76 hektarë tokë në zonën e rërës, të ndara në disa parcela, të dhëna në pronësi nga disa ish-zyrtarë, përfshirë edhe ish-kryetarin e komunës. Nga hetimet e Prokurorisë, të nisura në bazë të materialit nga Njësia Antikorrupsion pranë Këshillit të Ministrave dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit, ka rezultuar se, nëpërmjet një mekanizmi të ndryshimit të strukturës së tokës nga “tokë pa fryt” në “tokë arë”, me anën e dokumentave të falsifikuar, i është dhënë pronësia personave të ndryshëm, duke tejkaluar normën e përcaktuar në ligj për familje, si edhe shtetasve të tjerë, të cilët nuk përfitonin nga kjo e drejtë.

Pjesa më e madhe e sipërfaqes së tokës bregdetare, të shpërndarë nëpërmjet këtij mekanizmi abuziv, tashmë është tjetërsuar në emër të personave të tjerë, të cilët i kanë blerë në shuma të konsiderueshme. Blerësit e rinj i kanë regjistruar këto prona në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Zhvillimet e sotme janë pjesë e hetimit të nisur disa kohë më parë, gjatë të cilit janë arrestuar para disa javësh edhe tre ish-zyrtarë të tjerë, përfshirë ish-kryetarin e zonës së ndarjes së tokave dhe ish-kryeregjistruesi i Kavajës.

Ndërkohë, Prokuroria e Kavajës po vijon hetimet edhe për parcela të tjera në zonën bregdetare, për të cilat ka dyshime se mund të jenë ndarë nëpërmjet dokumenteve të falsifikuar. Gjatë analizës së Prokurorisë në nivel Apeli në Durrës, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, kërkoi nga Prokuroria e Kavajës që të intensfikohen hetimet lidhur me ndarjen abuzive të tokave në zonën bregdetare të rrethit.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: